2014-04-11 14:09:21

Evangelii gaudium (XIII) – Përfshirja e të varfërve në shoqëri


Jemi në kapitullin e katërt të thirrjes apostolike Evangelii Gaudium, ku Papa Françesku flet për rrjedhojat shoqërore të shpalljes së Ungjillit. Duke predikuar Krishtin, Kisha duhet të jetë e vëmendshme ndaj të varfërve dhe të angazhohet për përfshirjen e tyre në shoqëri.
Angazhimi për të varfrit buron nga “feja në Krishtin që u bë i varfër” (n. 186). Hapi i parë në këtë angazhim është ai i dëgjimit të thirrjes së të varfërve. Shkrimi i Shenjtë na jep një numër të madh shembujsh se Hyji e dëgjon britmën e skamnorit dhe angazhohet për atë që është në nevojë, prandaj nëse “e bëjmë veshin shurdh ndaja asaj britme, ne që jemi instrumentet e Hyjit për dëgjimin e dë varfërve, dalim jashtë vullnetit të Atit dhe jashtë projektit të tij” (n. 187). Sjellja me të varfrit ndikon drejtpërdrejt në marrëdhënien tonë me Hyjin.
Kisha e di se kujdesi për nevojtarët nuk është detyrë vetëm e disa anëtarëve të saj, por e të gjithëve. Në ungjillin e Markut, përballë turmës së uritur, Jezusi u thotë apostujve: “Ju vetë jepuni të hanë” (Mk 6,37). Kjo do të thotë: 1) bashkëpunim për të zgjidhur shkaqet e varfërisë dhe 2) nevojë për të kryer gjeste të thjeshta të përditshme të solidaritetit me ta që janë në mjerim. Çfarë është solidariteti, sipas Papës Francesku? “Solidariteti është reagimi i vetvetishëm i atij që njeh funksionin shoqëror të pronës dhe shpërndarjen universale të të mirave, si realitete që i paraprijnë pronës private”, prandaj “solidariteti duhet jetuar si vendimi për t’i kthyer skamnorit çfarë i takon” (n. 189). Kjo bindje sjell krijimin e strukturave të reja shoqërore, por vetëm nëse kjo bindje qëndron, qëndrojnë edhe strukturat e reja, përndryshe korruptohen.
Bashkë me të drejtat e skamnorit duhen mbajtur parasysh edhe të drejtat e popujve më të varfër të tokës. Nganjëherë, shkruan Papa, “të drejtat e njeriut mund të përdoren si shfajësim për mbrojtjen e tepruar të të drejtave individuale ose për mbrojtjen e të drejtave të popujve më të pasur” (n. 190). Në respekt të kulturës dhe pavarësisë së çdo kombi, duhet të kujtohemi se planeti u përket të gjithëve, prandaj nuk është e lejueshme që ata të cilët kanë lindur në vende me më pak të ardhura të jetojnë pa dinjitet. Nuk është e pranueshme që, në një kohë kur nuk mungon ushqimi për të gjithë, mos shpërndarja e drejtë e tij të shndërrohet në praktikën e shkuarjes dëm, të hedhjes në mbeturina. Ushqimi, edhe pse është kërkesa e parë, nuk mjafton për të siguruar një jetë të denjë, prandaj duhen parë edhe aspektet e tjera të zhvillimit të njeriut. Ndër këto aspekte Papa radhit arsimin, kujdesin shëndetësor dhe të drejtën për punë, pa harruar pagën e drejtë, e cila “bën të mundur arritjen e të mirave të tjera që janë caktuar për përdorimin e të gjithëve” (n. 192).
Detyrimi për të dëgjuar britmën e skamnorit zbatohet nëse tronditemi thellë përballë dhimbjes së të tjerëve. Kjo është mëshira. Letërsia e urtisë biblike, kujton Papa, “flet për lëmoshën si ushtrim konkret i mëshirës kundrejt nevojtarëve” dhe Besëlidhja e Re na kujton se dashuria (bamirësia) i mbulon mëkatet e shumta” (n. 193). Edhe Pali Apostull, kur shkoi në Jeruzalem për t’u këshilluar me Pjetrin dhe me të tjerët, që të mos vraponte më kot, e kuptoi se “kriteri kyç i vërtetësisë, që i treguan, qe ai i moslënies në harresë të të varfërve” (n. 195). Të krishterët e parë krijuan një alternativë joshëse kundrejt paganizmit individualist, i cili sot paraqitet me forma të reja. Përballë këtyre formave duhet të shpallim bukurinë e Ungjillit, të cilën “jo gjithmonë mund ta shfaqim si duhet, por ekziston një shenjë, që nuk duhet të mungojë kurrë: zgjedhja për të fundmit, për ata që shoqëria i mënjanën dhe i hedh tej” (n. 195).
Vendimi për të qëndruar nga ana e të varfëve i vendos ata në qendrën e jetës së Kishës, sepse ata janë tashmë në zemrën e Hyjit, i cili, edhe ai vetë “u bë i varfër” (2 Kor 8,9). Varfëria e Hyjit në Krishtin del në pah nga vetë fakti që ai zgjedh për nënë një vajzë të thjeshtë të provincës së perandorisë Romake, lind në grazhd, si të varfrit e kohës së vet dhe rritet me punën e duarve të veta në familjen e thjeshtë të Nazaretit. Për këtë arsye, “për Kishën zgjedhja për të varfrit është një kategori teologjike më para se kulturore, sociologjike, politike apo filozofike” (n. 198). Të varfrit janë ata që, me vuajtjet e tyre, njohin vuajtjet e Krishtit. Tek ata zbulojmë Krishtin, prandaj duhet t’i dëgjojmë dhe t’i bëjmë miq. Kjo qasje na ndihmon që të mos biem në aktivizëm shoqëror, por të zhvillojmë respektin dhe vlerësimin për personin e nevojtarit. Në këtë mënyrë nuk lejojmë që çështja e të varfërve të kthehet në çështje ideologjike. Duke pasur parasysh se “diskriminimi më i keq prej të cilit vuajnë të varfrit është mungesa e vëmendjes shpirtërore”, duhet t’u kushtojmë “një vëmendje fetare të privilegjuar dhe parësore” (n. 200).







All the contents on this site are copyrighted ©.