2014-04-09 12:33:47

Siri: të krishterët mblidhen për t’u lutur edhe pas martirizimit të Atit Van der Lugt


Në Haleb e shohim çdo ditë çfarë do të thotë ta përballosh me fe kohën e vuajtjes. Tani do të na ndihmojë me shembullin e vet edhe Atë Frans Van der Lugt, i cili e dëshmoi me martirizim dashurinë e vet për Krishtin dhe për popullin sirian. Kështu tha për agjencinë Fides meshtari armen katolik Joseph Bazuzu, përgjegjës i takimeve të pëmuajshme të meshtarëve dhe punonjësve baritorë të metropolit të sirian.
Prej më shumë se një viti, shpjegon Atë Bazuzu, e kemi orientuar punën e zakonshme baritore, në drejtim të gjetjes së fjalëve dhe mendimeve, që mund ta ndihmojnë popullin e Hyjit në kushtet ku jetojmë. Jemi niur nga fjalët e Jezusit në Ungjill dhe nga ato që thotë Shën Pali në Letrën e dytë drejtuar Timoteut: “Ta dish: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira”. Nganjëherë njerëzit i caktojnë vetë pendesat për vetëpërmbajtje. Neve na vijnë nga jashtë kryqet, që duhet të mbartim, nuk i zgjedhim vetë. Si ndihmë për ta jetuar mirë këtë kohë, në homelitë dhe katekezat tona, e përqendrojmë vëmendjen tek pjesët e Besëlidhjes së Re, ku përshkruhen këto kushte, në të cilat vetëm ndihma e Krishtit mund të na japë mbështetje.
Vrasja brutale e Atit Van der Lugt nuk ka tronditur vetëm të krishterët. 72-vjeçari hollandez, prej 40 vjetësh në Siri, kishte kanale të çmueshme komunikimi me myslimanët, edhe falë veprimtarisë së tij si psikoteraupet. Kishte vendosur të rrinte në Homs, nën bombardimet e përditshme, pa ushqim, në lagjen Bustan al-Diwan, të cilën e kanë nën kontroll rebelët, por që është e rrethuar prej shumë kohësh nga forcat e Asadit. Kishte vendosur të rrinte në banesën e vet edhe pas shpërnguljes së popullsisë civile nga forcat e OKB-së, të cilat kishin bërë një marrëveshje me palët në luftë.
Deri tani askush nuk e ka marrë përsipër zyrtarisht vrasjen. Burimet shtetërore të lajmeve ia ngarkojnë një grupi të papërcaktuar terroristësh, fjalë me të cilën qeveria siriane përshkruan të gjitha grupimet ushtarake të opozitës. Edhe Koalicioni Kombëtar Sirian, i cili bashkon grupimet kundër Asadit, që gëzojnë mbështetjen e disa vendeve të Londjes së Mesme dhe perëndimore, e ka dënuar vrasjen e meshtarit, duke thënë se Ati Van der Lugt ishte nën mbrojtjen e Ushtrisë së Lirë Siriane, që është pjesë e Koalicionit Kombëtar Sirian.








All the contents on this site are copyrighted ©.