2014-04-09 14:32:20

Papa në audiencën e përgjithshme: ta shikojmë gjithçka me sytë e Zotit


Nuk duhet të jemi të krishterë pa kripë. Jeta jonë duhet të ketë gjithnjë më shumë shijen e Ungjillit, erëmirën e Krishtit, për t’ua komunikuar të tjerëve ëmbëlsinë dhe dashurinë e Zotit. Është thirrja e Papës drejtuar sot besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme. Ati i Shenjtë nisi një cikël të ri katekizmi kushtuar dhuratave të Shpirtit Shenjt, duke u ndaluar sot te urtia.

“Ta shikojmë botën, t’i shikojmë situatat, rrethanat, problemet, gjithçka, me sytë e Hyjit. Kjo është urtia. Disa herë ne i shikojmë gjërat sipas dëshirës sonë ose sipas gjendjes së zemrës sonë, me dashuri, me mllef, me zili… Jo, ky nuk është syri i Zotit. Urti është ajo, që bën Shpirti Shenjt në shpirtin tonë, për të mundur, kështu, t’i shohim të gjitha gjërat me syrin e Zotit”.
Shpirti Shenjt, vijoi Papa, përbën shpirtin, limfën jetike të Kishës e të çdo të krishteri: është Dashuria e Hyjit, e cila hyn në bashkim me ne, që Shpirti Shenjt të jetë gjithnjë në zemrën tonë e t’i përcjellë, atij që e pranon, dhurata të ndryshme shpirtërore. Papa edhe i kujtoi: përveç urtisë, edhe mendjemprehtësinë, këshillën, qëndresën, shkencën, mëshirën, frikën e Zotit. Në këtë kohë Krezhmësh, kohë hiri, që jemi duke jetuar, Françesku, duke u ndaluar pikërisht tek urtia, saktësoi se nuk është fjala thjesht për urtinë njerëzore:
“Kjo dhuratë vjen nga afërsia me Hyjin, nga lidhja e thellë që kemi me Të, lidhje e bijve me atin. E Shpirti Shenjt, kur e kemi këtë lidhje, na jep dhuratën e urtisë”.
Kur jemi në bashkim me Zotin, shtoi Papa, na duket sikur Shpirti Shenjt na e shndërron zemrën tonë, duke na bërë ta perceptojmë gjithçka me ngrohtësinë e Tij e me dashurinë e Tij. Atëherë Shpirti Shenjt e bën të krishterin të urtë, shpjegoi Ati i Shenjtë, në kuptimin se “ka dijeni” për Zotin. Zemra e njeriut të urtë, në këtë kuptim, ka ëndjen e shijen e Hyjit, saktësoi.
Më pas Papa vërejti sa e rëndësishme është që në bashkësitë tona të jenë të pranishëm të krishterë, në të cilët gjithçka flet për Zotin: është fjala për diçka, që nuk mund ta improvizojmë, e as ta sigurojmë vetë, sepse, dhuratë e Hyjit për ata, që i shtrohen Shpirtit Shenjt:
“Nëse ne e dëgjojmë Shpirtin Shenjt, Ai na e mëson udhën e urtisë, na e dhuron urtinë, që do të thotë të shikosh me syrin e Zotit, të dëgjosh me veshin e Zotit, të gjykosh me gjykimin e Zotit”.
Kjo, shtoi Papa, është urtia që na e dhuron Shpirti Shenjt, urti, që mund ta gjejmë në jetën e përditshme, në një nënë, e cila qorton ëmbëlsisht fëmijën a në dy bashkëshortë, që janë grindur e, si kalon trazira, pajtohen e bien në paqe:
“E kjo nuk mësohet: është dhuratë e Shpirtit Shenjt. Prandaj duhet t’i lutemi Zotit të na e japë Shpirtin Shenjt e të na japë dhuratën e urtisë, të asaj urtie, që na mëson të shikojmë me sytë e Zotit, të ndjejmë me zemrën e Zotit, të flasim me fjalët e Zotit. E kështu, me këtë urti, të shkojmë përpara, të ndërtojmë familjen, të ndërtojmë Kishën e të shenjtërohemi të gjithë”.










All the contents on this site are copyrighted ©.