2014-04-09 13:33:35

Irak: ndërron jetë patriarku i nderit i kaldejve, Kardinali Emanueli III Delly


Vdiq në moshën 87 vjeçare Patriarku i nderit i Babilonisë së Kaldejve Kardinali Emanueli III Delly. Në telegramin e ngushëllimeve, dërguar me këtë rast, Papa Françesku thotë se kujton “me mirënjohje të thellë përkushtimin e ish Patriarkut ndaj popullit të vet dhe angazhimin e tij për marrëdhënie të respektshme, të drejta dhe paqësore me ndjekësit e feve të tjera”. Edhe, pasardhësi i Emanuelit III, Fortlumturia e tij Luiz Rafaeli I Sako, në një komunikatë të cituar nga agjencia Fides thotë se Emanueli III “i ka shërbyer me devotshmëri Kishës kaldease për më se 60 vjet, në fillim si meshtar, pastaj si ipeshkëv e patriark. Jetoi kohë të vështira, që prej revolucionit të 1958-ës deri tek luftrat e dhjetëvjeçarëve të fundit, dhe njohu përndjekjen e të krishterëve pas ndërhyrjes së SHBA-ve. Gjatë gjithë kësaj kohe i qëndroi besnik atdheut të vet dhe popullit, nuk e braktisi grigjën, por ndenji me besimtarët, duke u lutur, duke i ndihmuar dhe duke u dhënë zemër. Me këto qëndrime, doli në pah shpirti i tij baritor”.
Gjatë ditëve të ardhshme do të kremtohet për të një meshë përkujtimore, në katedralen kaldease të Shën Jozefit, në Bagdad. Mesha e përcjelljes do të kremtohet nesër në San Diego të Kalifornisë, ku gjendej i shtruar në spital, ndërsa trupi do t’i prehet në afërsi të Detroitit, ku banon pjesa më e madhe e familjarëve të kardinalit të ndjerë.
Në vitin 2002 Emanueli III pati dhënë dorëheqjen nga shërbesa si ipeshkëv ndihmës, për shkak të moshës, por një vit më vonë, më 3 dhjetor 2003, ipeshkvijtë kaldeas e zgjodhën Patriark të Babilonisë, ndërsa Iraku po kalonte një çast historik të tmerrshëm, pas ndërhyrjes ushtarake në udhëhequr nga SHBA-të, për rrëzimin e Saddam Husseinit. “Politikisht na kanë çliruar nga regjimi i vjetër, por faktikisht na kanë pushtuar. Dhe popullit, cilitdo popull, kjo gjë nuk i pëlqen” – pati deklaruar Patriarku i sapozgjedhur, në një intervistë në dhjetor 2003. Kishat e Bagdadit dhe të Mosulit pësuan sulme të përgjakshme gjatë viteve të shërbesës së tij patriarkale.








All the contents on this site are copyrighted ©.