2014-04-09 12:34:12

36. Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, atë Mati Prendushi


Atë Mati Prendushi(Shkodër, 02. 10. 1881 - Shkodër, 11. 03.1948) frati, që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi "gjyq" komunist. Nuk i dihet as varri.

Gjykata para gjyqit të historisë
(Sipas atë Zef Pllumit)

Atë Mati Prendushi u dënua tri herë me vdekje. Mbasi mori pjesë në ngritjen e Flamurit të parë të pavarësisë së Shqipërisë, në Deçiç, përkrah Dedë Gjo’Lulit, më 1911, serbët e kapën dhe e dënuan me vdekje. Krajl Nikolla e fali, me ndërhyrjen e atë Gjergj Fishtës.
Të dytën herë e dënoi mbreti Zog, si pjesëmarrës në rebelimin e Dukagjinit. U fal përsëri, mbas ndërhyrjes së atë Pal Dodës.
Të tretën herë... Tregon atë Zef Pllumi:

“Me 13 janar 1948 u ba e njohun akt-akuza për dhetë persona, ndërmjet të cilëve, At Mati Prendushi, e edhe unë, që po i shkruej këta rreshta.
14 pika akt-akuze, për 10 vetë, prej të cilëve tre do të dënoheshin me vdekje.
Të gjithë akuzoheshin se:
“Janë klerikë të Kishës Katolike, qendër e obskurantizmit botnor gjatë gjithë historisë
Se i kanë sherbye skllavopronarëve e të gjithë monarkëve, gjatë shekujve.
Se kanë shkaktue shumë luftra fetare, Kryqëzatat anti-islamike e se kanë pregatitë Natën e Shën Bartolomeut në Francë
Se kanë pengue shkencën e persekutue shkenctarët, tue djegë për së gjalli Galileo Galilein e Xhordano Brunon
Se kanë bashkëpunue aktivisht me të gjitha perandoritë për shtypjen e popujve
Se kanë bashkëpunue me Perandorinë Turke në dam të popullit shqiptar
Se kanë bashkëpunue me Perandorinë Austro-Hungareze dhe kanë pregatitë ardhjen e sajë
Se kanë pregatitë ardhjen e fashizmit
Se kanë bashkëpunue me mbretin Zog për shtypjen e popullit shqiptar
Se kanë pregatitë okupacjonin italjan me 7 prill 1939 dhe atë të fashizmit gjerman
Se kanë luftue lëvizjen N. Ç.
Se kanë dashtë me përmbysë pushtetin popullor etj etj”.
E lexova shpesh ketë akt-akuzë, mbasi më kishte marrë malli me pa germat e alfabetit o diçka të shkrueme. E pata xanë krejt permendësh... Kjo akt-akuzë më çuditi mjaft dhe i thoshem vedit se duhet të ishte pregatitë nga ndonji prej agjitatorëve, që do të jepte provimet e historisë me shkrim....
E mandej ndigjova edhe akuza ma pak historike e ma të tmerrshme, dalë prej gojës së një meshtari, akt-akuza të një njeriu të Kishës, për Kishën. Para gjykatës komuniste!?
Deri në atë ças un njifshem nji histori Kishe vetëm me shenjtën, martirë, dijetarë, ndoshta edhe ndonjë mkatnuer të ligshtë e të penduem, po kurr kaq hipokritë të pamshirshëm, sa po kallxonte meshtari për meshtarët. U çatrafilue mendja ime....
Po mandej, kur nisën me folë të akuzuemit e tjerë, e ndigjova me veshët e mi se të gjitha ishin kenë shpifje... Atëherë m’u zhduk çdo re dyshimi për ndershmeninë e Klerit Katolik dhe e ndjejshem veten krenar...
Mbas tri ditësh në odën e Redaksisë së Hyllit të Dritës nisi gjyqi. Nuk ishte lojë...”.

Këtë herë Atë Mati Prendushi nuk do të falej. Do të pushkatohej ‘për të larë fajet e gjithë historisë së njerëzimit’. Nga një gjykatë e rregullt, që sot duhet të ishte gjykuar të paktën para gjyqit të historisë. Gjithsesi, katolikët besojnë në një gjyq tjetër...
Sipas At Zef Pllumit në “Rrno vetëm për me tregue”, pj. I, Tiranë, 1995, fq176-180







All the contents on this site are copyrighted ©.