Të krishterët e Zarkës, në Tokën e Shenjtë, përgatiten për të pritur Papën Françesku
Mëshira, dashuria vëllazërore, qëndresa në fe dhe udhëtimi i ardhshëm i Papës Françesku
në Tokën e Shenjtë: këto ishin disa nga temat, që shtjelloi e Patriarku latin i Jeruzalemit,
Fouad Twal, para anëtarëve të famullisë katolike të Dymbëdhjetë Apostujve, në Zarka.
Famullia gjendet në veri të Mbretërisë së Jordanisë, ku pakica katolike u mblodh,
në një klimë festive, për të pritur Patriarkun e Jeruzalemit, me rastin e vizitës
baritore në atë zonë, për të përforcuar në fe dhe në shpresë besimtarët, shpesh herë
të lënë në harresë. Gjatë predikimit, ipeshkvi i ftoi të pranishmit ta mbajnë
fort fenë në Jezusin, “ta ripërtërijnë besimin në dashurinë dhe në faljen e tij”,
sepse “sa herë që kthehemi tek ai për t’i kërkuar falje, themi: na i fal fajet tona,
si ua falim ne atyre që na kanë fyer”. Pas takimit me famullitarin Elia Kourzoum,
Patriarku Twal takoi disa familje të krishtera, bashkësitë rregulltare, studentët,
punonjësit dhe përgjegjësit e Karitasit të famullisë, të sëmurët dhe të varfërit.
Patriarku i bëri thirrje bashkësisë katolike jordaneze të përgatitet shpirtërisht
për vizitën e Atit të Shenjtë në tokën e tyre dhe të luten për Sinodin e ardhshëm
për familjen. Vizita vijoi në famullinë e Shën Jozefit në Zarkën e Re.