Papa: krishterimi nuk shërben për të qenë të edukuar, Kryqi nuk është zbukurim
“Nuk ekziston krishterim pa Kryqin”. Në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës,
Papa Françesku iu kthye edhe një herë këtij mendimi, të shprehur disa herë. Nuk kemi
asnjë mundësi për t’u shëlbuar vetëm me forcat tona, nënvizoi. Kryqi nuk është thjesht
objekt për të zbukuruar elterin, por është misteri i dashurisë së Zotit. Udhës në shkretëtirë,
populli mërmëriste kundër Zotit e kundër Moisiut. Por kur Hyji dërgoi gjarpërinj,
që helmonin me pickimet e tyre, populli e pranoi mëkatin e vet dhe u lut për një shenjë
shëlbimi. Ati i Shenjtë meditoi mbi Leximin e parë të liturgjisë së sotme, marrë nga
Libri i Numrave. Vuri në dukje edhe fjalët, që Jezusi u thotë farisejve në Ungjill:
“Do të vdisni në mëkat”: “Nuk ka asnjë mundësi të dalim vetë nga mëkati. Nuk
është e mundur. Këta dijetarë të ligjit, këta njerëz që u mësonin ligjin të tjerëve,
nuk kishin ide të qartë për këtë. Besonin në faljen e Zotit, posi jo, por ndjeheshin
të fortë, të vetëkënaqur, dinin gjithçka. E në fund të fundit, e kishin kthyer fenë,
adhurimin e Zotit, në një kulturë me vlera, reflektime e disa sjellje të detyrueshme
për t’u treguar me edukatë. Po, po… mendonin se Zoti mund të falë, e dinin këtë, por
kjo ishte larg prej tyre”. Në shkretëritë, kujtoi Papa, Zoti e urdhëron Moisiun
të bëjë ai vetë një gjarpër, ta vendosë mbi një shtyllë, në mënyrë që të gjithë ata,
që ishin pickuar, ta shihnin e të mbeteshin gjallë. Por ç’është gjarpri, pyeti Ati
i Shenjtë? Është shenja e mëkatit, siç e shohim në Librin e Zanafillës, ku pikërisht
gjarpri e josh Evën, duke e shtyrë drejt mëkatit. Por pse Zoti e ngre mbi shtyllë?
Mëkati përdoret si flamur i fitores! Kjo, vazhdoi Papa Françesku, kuptohet mirë nga
fjalët, që Jezusi u thotë judejve në Ungjill: “Kur ta lartoni Birin e njeriut, atëherë
do ta merrni vesh se UNË JAM”. Në shkretëtirë, shpjegoi Ati i Shenjtë, u lartua mëkati,
por është mëkat, që kërkon shëlbim, sepse shëron. Ai që lartohet në të vërtetë, është
Biri i Njeriut, Shëlbuesi i vërtetë, Jezu Krishti: “Krishterimi nuk është doktrinë
filozofike, nuk është program për të mbijetuar, për të qenë të edukuar, për të arritur
paqen. Këto janë pasoja. Krishterimi është një person, njeri i lartuar në Kryq, një
person që mohoi vetveten për të na shpëtuar; që u bë vetë mëkat. E ashtu si në shkretëtirë
u lartua mëkati, ashtu u lartua edhe Zoti i bërë njeri e i bërë mëkat për ne. E të
gjitha mëkatet tona ishin aty. Nuk kuptohet krishterimi, pa kuptuar këtë përvojë të
thellë të Birit të Zotit, që përuli vetveten, duke u bërë shërbëtor deri në vdekje.
Vdiq në Kryq, për të shërbyer”. Për këtë arsye, Shën Pali Apostull, kur thotë
se për çfarë lavdërohet, përmend mëkatet e veta. Është mjerim për ne, ku lavdërohemi
për gjëra të tjera, nënvizoi Papa. Ne duhet të lavdërohemi për Krishtin e kryqëzuar,
sepse Ai është mëshira e Zotit për ne. Prandaj, nuk ka krishterim pa Kryqin e nuk
ka Kryq, pa Jezu Krishtin. Thelbi, zemra e shëlbimit hyjnor është Biri i Zotit, që
mori mbi vete mëkatet tona, krenarinë, sigurinë, kotësitë tona, dëshirën tonë për
t’u bërë si Zoti. Prandaj, tha Ati i Shenjtë, i krishteri që nuk di të lavdërohet
me Krishtin e kryqëzuar, nuk e ka kuptuar ç’do të thotë të jesh i krishterë. Plagët,
që na lë mëkati shërohen me plagët e Zotit, bërë njeri, përbuzur e agjësuar krejtësisht.
Ky është misteri i Kryqit: “(Kryqi) nuk është zbukurim, që duhet ta vendosim
gjithnjë në kisha, mbi elter. Nuk është simbol, që na dallon nga të tjerët. Kryqi
është mister, është misteri i dashurisë së Zotit, që e përul vetveten, bëhet ‘asgjë’,
bëhet mëkat. Ku është mëkati yt? ‘Po nuk e di, kam kaq shumë’. Jo, mëkati yt është
aty, në Kryq. Shko e kërkoje atje, në plagët e Zotit, e ai mëkat do të shërohet, plagët
e tua do të shërohen, mëkati yt do të falet. Falja, që na jep Zoti, nuk është mbyllja
e ndonjë llogarie që kemi me Të: falja e Hyjit janë plagët e Birit të Tij mbi Kryq,
lartuar mbi Kryq. Na tërheqtë Krishti drejt Tij, që ta lëmë të na shërojë”.