2014-04-08 14:23:15

Papa do ta kremtojë me të sëmurët, meshën e së Enjtes së Madhe


Do të jetë një nga vendet kryesore të solidaritetit të Romës, Qendra e Zojës së Provanisë Hyjnore e Fondacionit “Don Karlo Njoki”, ku Papa Françesku do të kremtojë meshën e Darkës së Mbrame, të Enjten e Madhe para Pashkëve, në orën 17.00. Nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit njofton se në të do të marrin pjesë të sëmurët e shtruar në këtë Qendër, së bashku me familjarët, personelin dhe përgjegjësit. Kujtojmë se vitin e kaluar, Ati i Shenjtë u pati larë këmbët të burgosurve në Burgun e të miturve, i cili gjendet gjithnjë në zonën, ku ngrihet qendra.
Kjo strukturë i ka kaluar Fondacionit “Don Karlo Njoki” në vitin 2003, ndërsa më parë e mbanin murgeshat e Kotolengos (Vepra e Shtëpisë së Vogël të Provanisë Hyjnore). Qendra ka 150 shtretër për të sëmurët, që kanë nevojë për rehabilitim e asistencë të specializuar mjekësore, me sëmundje si Alzhajmeri, apo iktusi. Shërbimi plotësohet me rehabilitimin ditor në qendër dhe me fizioterapinë në shtëpitë e të sëmurëve. Po këtu, ndodhet edhe Qendra e Formimit, Orientimit dhe Zhvillimit, e cila merret me formimin profesional të personave me aftësi të kufizuara dhe të atyre, që dëshirojnë të punojnë në këtë fushë. Organizohen shpesh laboratore për veprimtari të ndryshme shkencore, me përdorimin e tekonologjive të fundit.








All the contents on this site are copyrighted ©.