2014-04-08 13:39:38

Eprori i Jezuitëve: lutemi që flijimi i Atit Frans Van der Lugt të japë fryte paqeje


Dje, në Homs, një tjetër viktimë e dhunës absurde, që po e cfilit Sirinë: këtë herë bëhet fjalë për jezuitin hollandez Frans Van der Lugt.RealAudioMP3 Pas njoftimit të dhimbshëm të ditës së djeshme, Kongregata e Shoqërisë së Jezusit dha sot këtë deklaratë për shtyp: “Eprori i Përgjithshëm dhe Kurja e Përgjithshme, pas lajmit të vrasjes së Atit Frans Van der Lugt, shprehin dhimbjen e thellë për zhdukjen brutale të një njeriu, që ua kushtoi jetën të varfërve dhe nevojtarëve, veçanërisht në qytetin e Homsit, të cilët nuk deshi t’i braktiste as në çastet e rrezikut të madh. Ai ka folur gjithmonë për paqe e pajtim dhe ua ka hapur dyert të gjithë atyre që i kërkonin ndihmë, pa dallim race apo feje. ‘Unë nuk shikoj myslimanë apo të krishterë, e kishte zakon të thoshte, por vetëm qenie njerëzore. Jam meshtari i vetëm dhe i huaji i vetëm në këtë vend, por nuk ndjehem i huaj’. Atë Fransi kishte shkuar në Siri në vitin 1966 dhe që atëherë ka punuar gjithmonë për të bashkuar sirianët me prejardhje të ndryshme, duke i nxitur për dialog. Urojmë dhe i lutemi Zotit, që flijimi i tij të japë fryte paqeje dhe të jetë edhe një arsye më shumë, që të heshtin armët e të lihet mënjanë urrejtja”.

“Një dëshmitar i Ungjillit dhe i jetës së krishterë”, i tillë qe Atë Fransi sipas dëshmisë së sivëllait të tij në Homs, Atë Ghassan Sahoui, me të cilin Radio Vatikani bëri bisedë intervistë telefonike:
Vërtet është e trishtueshme, por në të njëjtën kohë, kur shikojmë jetën e tij në qytetin e lashtë të Homsit, shohim misionin dhe thirrjen e të gjithë të krishterëve për të mos e lënë tokën e tyre dhe për të qëndruar aty. Detyra jonë, si të krishterë, është të dëshmojmë paqen, pajtimin dhe dashurinë. Dhe ai ishte njeri i paqes, njeri i dialogut, i dashur nga të gjithë.
Pra, ky akt mbetet i pashpjegueshëm: akti i një njeriu të vetëm, hakmarrje, shpagim?
Nuk di çfarë të them fare tani. Nuk dimë asgjë, sepse ky njeri u largua menjëherë. Sigurisht e paarsyeshme, por...
Atë Fransi, para disa muajsh, i pati bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, të të mos e harronte Homsin dhe popullin, që vuante atje...
Ai ka folur për gjendjen e rëndë, që mbetet e rëndë. Në fakt, njerëzit mezi kanë për të ngrënë.
Ju nuk ju ka trembur kjo ngjarje? Të kujtojmë se është zhdukur edhe një tjetër jezuit, atë Paolo Dall’Oglio. Që pas rrëmbimit të tij, nuk kemi më asnjë lajm...
Misioni ynë është të qëndrojmë deri në fund, prandaj e gjithë kjo nuk na tremb; përkundrazi, janë shembuj që na japin forcë: janë një dritë për ne, në këtë situatë shumë të vështirë e të ndërlikuar.
A ka reaguar bashkësia vendore, që e njihte mirë Atë Fransin, a ju rri afër?
Sigurisht. Kanë ardhur shumë ipeshkvij, meshtarë, shumë njerëz. Shumë vetë na kanë marrë në telefon, shumë të tjerë vijnë e luten me ne dhe janë të shumtë ata që e vajtojnë. Ne përpiqemi t’u themi se tani ai gjendet në jetën e vërtetë, ka shkuar për të jetuar jetën e plotë, të cilën ua ka dhuruar gjithmonë të tjerëve dhe e ka dëshmuar deri në fund, me gjakun e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.