2014-04-07 11:05:51

Ati i Shenjtë në famullinë romake të Shën Gregorit të Madh: vetëm Jezusi mund të na bëjë të dalim nga varret e zemrave tona


Vetëm Jezusi mund të na ndihmojë të dalim nga varret e mëkatit, nga zonat e vdekjes, që i kemi në zemrat tona. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës Shenjte, kryesuar mbrëmë në famullinë romake të Shën Gregorit në Maliana. Duke kujtuar Ungjillin e djeshëm kushtuar ringjalljes së Lazrit, Ati i Shenjtë i nxiti besimtarët të dalin nga varret, që i ka secili nesh brenda vetes. Para kremtimit, u takua me realitetet e ndryshme të famullisë. RealAudioMP3

Të gjithë i kemi disa pjesë të vdekura në zemër. Disa kanë shumë, e kjo është nekrozë e vërtetë shpirtërore. Vetëm Jezusi, pohoi Papa, mund të na ndihmojë të dalim nga këto zona të vdekura, nga këto varre të mëkatit:
“Të gjithë jemi mëkatarë. Por nëse lidhemi ngushtë me këto varre të mëkatit, atëhere edhe i ruajmë brenda nesh e nuk duam që e gjithë zemra jonë të ridalë në jetë: kalbemi për së gjalli e shpirti ynë nis të bjerë erë të keqe, erën njeriut që lidhet fort me mëkatin”.
Duhet të kemi forcën për të dëgjuar atë, që i thotë Jezusi Lazrit:
“Lazër, dil jashtë! Ju ftoj, prandaj, të mendoni një çast në heshtje: ku është nekroza ime shpirtërore? Ku është pjesa e vdekur e shpirtit tim? Ku është varri im?…E ta flakni gurin, gurin e turpit…Ta dëgjojmë zërin e Jezusit, që me pushtetin e Hyjit na thotë: dil jashtë nga ky varr, që ke në shpirt!”.
Papa solli edhe në famullinë romake, dhuratën e Ungjillit format xhepi:
“Është dhuratë, që jua solla për ta marrë Fjalën e Zotit e edhe për ta dëgjuar Jezusin, që thotë: dilni jashtë! E të përgatiteni, kështu për natën e Pashkëve”.
Para Meshës, Papa u takua me realitetet e ndryshme të famullisë. Fëmijëve e të rinjve u kujtoi se nuk mund të jetohet pa shpresën e vërtetë:
“Shpresa nuk të zhgënjen kurrë, sepse është dhuratë e Zotit e ne duhet t’ia hapim zemrën Hyjit, që të na e japë shpresën”.
Të sëmurëve e pleqve u shpjegoi se shpresa është e gjallë edhe në vuajtje:
“U ringjallëm me Jezusin në kryq. E kur vjen kryqi i sëmundjes, ne i përngjasim Jezusit”.
Bashkëshortët, që i kanë pagëzuar kohët e fundit fëmijët, i porositi:
“Ka shumë rëndësi të mbajnë lidhje me famullinë pas pagëzimit, sepse rriten të shkrirë me bashkësinë famullitare. Kështu edhe bashkësia rritet e ndihmohet”.
Duke u takuar me vullnetarët e kooperativës “Prora”, për rikthimin në punë të ish të burgosurve dhe të ish të droguarve, Ati i Shenjtë u tregoi vendin më të mirë, ku mund ta takojnë Krishtin:Vendi më i mirë për ta gjetur Zotin, është ligështia jonë. Jezusin e gjejmë më shpejt në fajet tona, në mëkatet tona, në gabimet tona”.







All the contents on this site are copyrighted ©.