2014-04-06 14:53:24

Papa në Engjëllin e Tënzot: “Mëshira e Zotit nuk njeh kufi”


“Krishti nuk dorëzohet para varreve, që i hapim me duart tona, me zgjedhjen e së keqes e të vdekjes”. Papa komentoi Ringjalljen e Lazrit, sipas Ungjillit të kësaj së diele të pestë të Krezhmëve, për të shpjeguar se të gjithë jemi të thirrur të dalim nga varri, ku na flakën mëkatet tona. Pastaj, një mendim për Ruandën, në 20-vjetorin e fillimit të genocidit kundër etnisë Tutsi, me inkurajimin për të vijuar, plot vendosmëri e shpresë, procesin e pajtimit. E, duke kujtuar tërmetin e 5 vjetëve më parë në Akuila, urimi që solidariteti dhe rilindja shpirtërore të jenë forcë për rindërtimin material. Në Shesh, mijëra njerëz ishin në një pritje të jashtëzakoshme, të këndshme: Papa u dhuroi të gjithëve Ungjillin, në format xhepi. RealAudioMP3

“Të lirohemi nga fashat e krenarisë. Sepse mburrja na bën skllevër të vetvetes, skllevër të shumë idhujve, të shumë gjërave”.
Papa Françesku kujtoi se Jezusi i fton me ngulm të gjithë të dalin nga errësira e burgut, në të cilin janë mbyllur. E në vijim e përshkroi qartë këtë burg. Foli për një jetë të rreme, mediokre:
“Krishti nuk nënshtrohet para varreve, që i ndërtuam me zgjedhjen e së keqes e të vdekjes, me gabimet tona, me mëkatet tona. Ai nuk i nënshtrohet kësaj”.
Ashtu si Lazri, Jezusi e fton secilin nga ne: “Dil jashtë!”. Dil nga varri, në dritën e Zotit:
Dil jashtë! Është ftesë vërtet e bukur për liri të mirëfilltë”.
Ringjallja jonë, shpjegoi Papa, nis pikërisht kur vendosim t’i bindemi urdhërit të Jezusit për të dalë në dritë, në jetë:
Shumë herë maskohemi pas mëkatit, por maska duhet të bjerë! E kur maskat bien, atëhere marrim guximin ta shikojmë fytyrën tonë origjinale, krijuar në përngjasim e sipas shembëlltyrës së vetë Zotit”.
Jezu Krishti, që ngjalli Lazrin, shpjegoi Françesku, dëshmon se deri ku mund të arrijë forca e hirit të Hyjit, e, prej këndej, edhe deri ku mund të arrijë pendimi ynë, kthesa, shndërrimi ynë:
Dëgjoni mirë: nuk ka kurrfarë kufiri për mëshirën hyjnore, që u ofrohet të gjithëve. Zoti është gjithnjë gati ta flakë gurin e varrit të mëkateve tona, që na ndan nga Ai, na ndan nga drita e të gjallëve’. Nuk ka kurrfarë kufiri për mëshirën e Zotit, që u dhurohet të gjithëve. Kujtojeni këtë frazë. E mund ta themi gjithë së bashku: ‘Nuk ka kurrfarë kufiri për mëshirën e Zotit, ofruar të gjithëve’. Ta themi së bashku!”.
Papa përsëriti disa herë se mëshira e Zotit nuk njeh kufi, duke i ftuar edhe besimtarët ta përsërisin së bashku këtë fjalë, që shpëton, e duke u rikthyer tek ajo edhe në përfundim të reflektimit.
Pas lutjes mariane, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek populli i Ruandës:
Dëshiroj t’i shpreh afërsinë time atërore popullit të Ruandës, duke e inkurajuar të vijojë me vendosmëri e shpresë, procesin e pajtimit, që tashmë ka dhënë fryte, si dhe impenjimin për rindërtimin njerëzor e shpirtëror të vendit”.
“Mos kini frikë!”, u bëri thirrje Papa. Mbi shkëmbin e Ungjillit ndërtojeni shoqërinë tuaj, në dashuri e harmoni, sepse vetëm kështu lind paqja e qëndrueshme. Kujtoj me dashuri ipeshkvijtë ruandezë, shtoi Papa, që ishin këtu, në Vatikan, javën e kaluar. E të gjithë ju, ju ftoj t’i lutemi Zojës së Kibehos.

Një mendim për bashkësinë e Akuilës, më pas, që, shtoi Papa, vuajti aq shumë e vijon të vuajë e të mundohet, të luftojë e të shpresojë, me besim të madh në Zotin e në Zojën e Bekuar. Pastaj, një lutje për viktimat e tërmetit si dhe për rrugën e ringjalljes së popullit aquilan.
Veç kësaj, Papa tërhoqi vëmendjen e botës për virusin e ebolës, që po përhapet në Guine e në vendet afrikane fqinje:
Zoti i ndihmoftë ata, që përpiqen ta luftojnë këtë fillim epidemie e t’u sigurojnë mjekime dhe asistencë të gjithë nevojtarëve”.
Më pas, një gjest, që Papa Françesku e quajti “të thjeshtë”. Kujtoi se të dielave të kaluara i pati këshilluar besimtarët ta kenë gjithnjë me vete Ungjillin, për të mundur ta lexojnë shpesh. E edhe se e rimendoi traditën e lashtë të Kishës që, gjatë Krezhmëve, u dorëzonte Ungjillin katekumenëve, në prag të Pagëzimit. Prej këndej, nisma për të shpërndarë, në Sheshin e Shën Pjetrit, si shenjë për të gjithë, një Ungjill xhepi. “Lexojeni çdo ditë, porositi Papa, e Jezusi do t’ju flasë”. E shtoi me shaka: ndoshta ndonjëri nuk e beson se është falas! Ashtu është, tha Ati i Shenjtë, për të shtuar një porosi tjetër: falas morët, falas jepni! Si shkëmbim për këtë dhuratë, bëjeni edhe ju një gjest dashurie të krishterë, falas!
Papa kujtoi se sot Ungjilli mund të lexohet përmes një mori mjetesh moderne teknologjike, edhe në celularë, në një tablet:
“Rëndësi ka ta lexosh Fjalën e Zotit, me të gjitha mjetet, e ta pranosh me zemër të hapur. Atëhere fara e mirë sjell fryt”.
Së fundi, përshëndetja drejtuar mbarë shtegtarëve të pranishën, posaçërisht pjesëmarrësve në Kongresin e Lëvizjes së Impenjimit Edukativ të Veprimit Katolik Italian, duke kujtuar se: “Të investosh për edukimin, do të thotë të investosh për shpresën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.