P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: Bashkësia e shenjtorëve
Katekizmi i Kishës Katolike i kushton faqe të rëndësishme “bashkësisë së shenjtorëve”,
kuptuar si bashkësi e ‘sendeve shenjte” e bashkësi e besimtarëve. Pikërisht tek kjo
temë ndalet jezuiti atë Dariush Kovalçik, në reflektimin e 38-të të cilklit,
kushtuar 20 vjetorit të Katekizmit.
“Në Besojmë dëshmojmë
‘bashkësinë e shenjtorëve”. Katekizmi na shpjegon edhe se termi “bashkësi e shenjtorëve”
ka dy kuptime: bashkësi e gjërave të shenjta (e shenjtë) e bashkësi ndërmjet besimtarëve
(shenjtorëve) (cfr KKK 948).
Ne e ruajmë dhe e transmetojmë bashkimin
në fe, marrë nga Apostujt. Jetojmë bashkimin e shtatë Sakramenteve, ndërmjet të cilëve,
çka na mbledh e na bashkon më shumë, është Eukaristia. Provojmë edhe bashkimin vëllazëror,
që gjen shprehjen e vet, ndërmjet tjerash, në veprat e dashurisë së krishterë. Feja,
sakramentet, dashuria e krishterë, janë gjëra të shenjta, sepse vijnë nga Hyji, nga
Shenjti.
Kemi, pastaj, bashkimin ndërmjet njerëzve. Katekizmi kujton këtu doktrinën
e tri gjendjeve të Kishës: besimtarët shtegtarë mbi tokë; ata, që janë në purgator
duke u përgatitur për qiell si dhe të shëlbuarit, që gëzojnë bashkimin e plotë me
Hyjin në qiell (KKK, 954). Këto tri gjendje janë në lidhje njëra me tjetrën,
sepse të gjithë marrin pjesë, ndonëse në mënyra të ndryshme, në hirin e Zotit.
Ne,
që jetojmë mbi tokë, mbetemi, përmes lutjes e dashurisë, në bashkim me të vdekurit.
Kisha na fton të lutemi për të vdekurit sepse, siç e lexojmë edhe në Katekizëm, “lutja
jonë mund t’i ndihmojë, por edhe ta bëjë të frytshëm ndërmjetësimin e tyre në dobi
tonë” (KKK, 958). Kjo nuk do të thotë se Zotit i mungon mëshira, e prandaj
edhe duhet t’i lutemi. Përkundrazi, Zoti është gurrë e mëshirës së pambaruar, por
dëshiron ta shpëtojë njeriun, në bashkëpunim edhe me njerëzit e tjerë.
Një
nga shprehjet e bashkësisë të shenjtorëve, është kulti zyrtar i Shenjtorëve dhe të
Lumëve. Besojmë se në Hyjin mbetemi shpirtërisht të bashkuar me ta e se ata ndërmjetësojnë
për ne. Shën Deda, duke vdekur, u pati thënë vëllezërve të vet: “Mos qani. Unë do
të jem më i dobishëm për ju pas vdekjes e do t’ju ndihmoj më shumë, sesa kur isha
gjallë” (KKK, 956).