2014-04-06 12:42:05

E diela V e kreshmëve - Krishti, ringjallja dhe jeta


Leximi i parë (Ez 37,12-14)
Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! 14 Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj - thotë Zoti Hyj. RealAudioMP3

Psalmi 130 (129)

Ref. Zoti është mirësia dhe mëshira

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,
o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.

Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.

Le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek ai shpërblimi.
Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.

Leximi i dytë (Rom 8,8-11)

Ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.

Ungjilli (Gjn 11,1-45)

Asohere ishte i sëmurë një farë Lazri nga Betania, prej fshatit të Marisë e të motrës së saj, Martës. Maria ishte ajo, që e pati lyer Zotërinë me erëra të mira dhe ia pati fshirë këmbët me flokët e saj. Pra, vëllai i saj, Lazri, ishte i sëmurë. Prandaj motrat i çuan fjalë: “Zotëri, ai që ti e do është i sëmurë.”
Jezusi, kur dëgjoi, tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdi të Hyjit, që të nderohet në saje të saj i Biri i Hyjit.”
Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin. Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhi. Veç atëherë u tha nxënësve: “Ejani të shkojmë prapë në Jude.”
Nxënësit i thanë: “Mësues! Tani judenjtë deshën të të vrasin me gurë e ti përsëri do të kthehesh atje?”
Jezusi iu përgjigj: “Vallë, a nuk i ka dita dymbëdhjetë orë? Kush ecën ditën, nuk merr në thua, spese e sheh dritën e kësaj bote. Kush ecën natën, merr në thua, sepse nuk ka dritë në të.”
U tha kështu, pastaj shtoi: “Lazri, dashamiri ynë fle, por po shkoj ta zgjoj.”
Atëherë, nxënësit e tij i thanë: “Zotëri, nëse fle, do të shërohet!”
Jezusi u foli për vdekjen e tij, kurse ata menduan se e kishte për gjumë të rëndomtë. Atëherë Jezusi u tha haptas: “Lazri ka vdekur! Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, pikërisht për ju, që të besoni! Por, ejani të shkojmë tek ai!
Atëherë Toma, i quajtur Binjak, u tha bashkënxënësve: “Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!”
Kur, pra, Jezusi arriti, mori vesh se ai ishte varrosur para katër ditësh. Betania ishte afër Jerusalemit diku rreth pesëmbëdhjetë stadje. Shumë judenj kishin ardhur te Marta e Maria për t’i ngushëlluar për vëllain e tyre.
Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para, kurse Maria ndenji në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezusit: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.(Por) edhe tani e di se çkado që të lypësh prej Hyjit, Hyji do të ta japë.”
“Do të ngjallet vëllai yt!” - i tha Jezusi.
“E di se do të ngjallet - iu përgjigj Marta - në ringjallje, Ditën e fundit.”
Jezusi iu përgjigj: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson ti këtë?”
Marta iu përgjigj: “Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit, ai që duhej të vijë në botë!”
Si tha kështu, shkoi dhe thirri Marinë, motrën e vet dhe i tha lehtë: “Mësuesi është këtu dhe të thërret.” Kjo, posa dëgjoi, u çua me vrap e shkoi tek ai. Jezusi ende nuk kishte hyrë në fshat, por deri atëherë qëndroi atje, ku e kishte ndeshur Marta. Tashti judenjtë që ishin me Marinë në shtëpinë e saj dhe po e ngushëllonin, kur panë se si u çua me të shpejtë dhe doli përjashta, shkuan pas saj të bindur se po shkonte te varri për të qarë.

Maria, kur arriti atje, ku ishte Jezusi e, kur e pa, ra përmbys para tij dhe i tha: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla s’do të kishte vdekur!”
Jezusi, kur pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe judenjtë, që po e përcillnin, u trand në shpirt, u turbullua dhe pyeti: “Ku e keni vënë?”
“Zotëri, eja e shih!” - iu përgjigjën.
E Jezusin e zuri vaji. Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e ka dashur!” Disa prej tyre thanë: “A thua ky, që i dha dritën e syve të verbërit, nuk mundi të bëjë që ky të mos vdiste?”
Pastaj Jezusi, përsëri i tronditur, arriti te varri. Ishte shpellë e grykën ia kishin zënë me një gur.
Jezusi tha: “Hiqeni gurin!”
Marta, motra e të ndjerit, i tha: “Zotëri, tashmë ka marrë erë! Ka tashmë katër ditë që ka vdekur!”
“A nuk të thashë - iu përgjigj Jezusi - nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit?”
E hoqën, pra, gurin.
Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe tha: “O Atë, të falënderoj që ma dëgjove lutjen.
Unë e dija se gjithmonë më dëgjon, por thashë kështu për shkak të popullit që më rrethon: që të besojnë se Ti më dërgove.”
Si foli kështu, thirri me zë të lartë: “Lazër, dil jashtë!” Dhe, ai që pati vdekur, doli jashtë i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidheni dhe lëreni të ecë!”
Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të.




Krishti, ringjallja jonë

Temat e të dielave të kaluara përmblidhen më së miri në kremtimin e sotëm: Jezusi, burimi i ujit të gjallë (e diela III) dhe i dritës (e diela IV), që i jep jetën atij që beson në të. Tre leximet nënvizojnë të njëjtin realitet: vetëm forca e Shpirtit të Shenjtë e ripërtërin shpresën, i zgjidh leqet e vdekjes dhe kthen plotësinë e jetës. Njeriu është krejtësisht i pafuqishëm përballë forcës së vdekjes. Por Hyji e siguron popullin e vet: populli “do ta njohë” Zotin, do ta përjetojë vetë fuqinë e tij rigjallëruese.

“Nga vdekja në jetë...”

Fjala “jetë” është një fjalë kyçe në Ungjillin sipas Gjonit dhe njëra nga temat e tij kryesore. Krishti është Jeta: kush e pranon Fjalën e tij dhe bashkohet me Personin e tij është në gjendje t’i këpusë vargonjtë e vdekjes. Jezusi e thekson këtë me ringjalljen e Lazrit, shenjë profetike e ringjalljes së tij.
Aktorët e ndryshëm të kësaj skene (Marta e Maria, dishepujt, të pranishmit) Jezusi i udhëheq drejt hedhjes së hapit të fesë, që ta pranojnë veprën e tij si zbulimin e Hyjit të gjallë. Duk pritur për t’u bërë gjithnjë e më shumë gjymtyrë të gjalla në trupin e Krishtit, besimtarët thërrasin në ndihmë “Hyjin dhe Zotin e jetës, i cili, me sakramentet e veta, na bën të kalojmë nga vdekja në jetë”.

Pagëzimi: fillimi i krijimit të ri

Në rrafshin e itinerarit katekumenal, bashkësia e krishterë e shikon ringjalljen e Lazrit si shenjën profetike të misterit që bëhet i pranishëm në pagëzim. Gjatë kremtimit Kisha i drejtohet katekumenit siç bën me të krishterin e rënë në mëkat: “Lazër, dil përjashta”; Krishti dhe Kisha thonë: “Zgjidheni dhe lëreni të shkojë”; fashat e mëkatit bien, kur kumbon zëri i Kishës, e cila lutet me Krishtin para njeriut mëkatar, dhe lutja e saj ia kthen jetën, duke e zhytur në ujin e pagëzimit.
Ringjallja e Lazrit është edhe shenja e realizimit të krijimit të ri dhe të besëlidhjes së re të premtuar nga Ezekieli: Jezusi dridhet para krijimit të parë, që ka rënë në rrëmujë, në vdekje dhe në shthurje; mundimet, vdekja dhe ringjallja e tij me anë të Shpirtit të Shenjtë do ta shpallë Zot të vdekjes dhe të jetës. Leximi i ungjillit të sotëm, i parë në dritën e pashkëve, është aktual për ne, që, në mënyrë mistike, rilindemi në Shpirtin e Krishtit dhe jemi të thirrur të jetojmë, sipas Shpirtit, një ekzistenzë të re: te vdekur për kah mëkati, të gjallë për Hyjin (leximi i dytë).

Një vendim për tërë jetën

Hyji i gjallë, Zoti i jetës (Urt 11,26) ka zbuluar, mbi të gjitha në Jezusin, fuqinë e tij fitimtare mbi vdekjen. I pagëzuari merr pjesë në jetën e Krishtit me anë të Shpirtit të Shenjtë: kjo simbiozë (jetë së bashku) e bën të krishterin mbështetës të jetës. “Mishi”, domethënë njeriu i mbyllur në vetvete, që i bën ballë Hyjit dhe nuk u vë vesh nevojave të vëllezërve, prodhon vetëm vdekje dhe ushtron vetëm fuqinë e mbrapshtë. Dueli jetë-vdekje është një përplasje që ndodh para syve të të gjithëve dhe mund të kuptohet si kapje pas jetës, sepse “fara e amshimit, që njeriu mbart në vetvete, duke qenë e pakthyeshme në lëndë, ngre krye kundër vdekjes” (Gs 18). Nga ana tjetër duket se në të njëjtën masë njeriu ndjen instinktin e mistershëm të vdekjes dhe shkatërrimit. Kur ideologjia, interesi, shfrytëzimi shndërrohen në urrejtje dhe dhunë, duket sikur na e zë frymën atmosfera e vdekjes. Kultura jonë nxjerr në pah maskën e saj tragjike atje ku jeta poshtërohet dhe fyhet. Mjafton të përmendim: gjestet e terrorizmit dhe të kriminalitetit të rëndomtë, shtimin e armatimeve, përhapjen gjithnjë e më të madhe të drogës, numrin gjithnjë e më të madh të aksidenteve në punë, mendjelehtësinë me të cilën udhëtohet me makina nëpër rrugët tona, mbytjen e jetës në kraharorin e nënës, braktisjen e fëmijëve, mënjanimin e pleqve, si pengesë dhe të padobishëm. Por dhe në marrëdhëniet personale, me dhunën verbale, me tradhtimin e dashurisë dhe të miqësisë, me inatet e pashprehura, që e kërcënojnë fort jetën.
Të pagëzuarit, me rrënjët e ngulura thellë në Krishtin–Jeta e botës, duhet të bëhen mbrojtësit e jetës. Me vendimet e tyre pozitive ndihmojnë, në kantierin e pamatë të njerëzimit, ta shtyjnë historinë drejt qiejve të rinj dhe tokës së re. Nëse jeta jonë duket si një rrokullisje drejt dekadencës dhe shthurjes, shpresa e krishterë pohon mundësinë e një bote të re, sepse fuqia e Hyjit në Krishtin e ka zbuluar fitoren e saj. Eukaristia, që është kremtimi i jetës, e cila është bërë dhuratë, bëhet forca e ringjalljes, nëse i krishteri e përvetëson përmbajtjen e saj: të bëhesh si Krishti, bukë e thyer për jetën e botës.
(Marrë nga: www.maranatha.it)

Ta kremtojmë festën e Zotit me fe të vërtetë
(Nga “Letrat e pashkëve” të Shën Atanasit, ipeshkëv)

Fjala, Krishti Zot, që na është dhuruar neve krejtësisht, vjen e na takon. Ai premton se do të rrijë afër në mënyrë të pandërprerë. Prandaj thotë: “Ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarimin e botës” (Mt 28.10).
Ai është bariu, kryeprifti, udha e dera dhe, si i tillë, bëhet i pranishëm në kremtimin e solemnitetit. Vjen mes nesh ai që prisnim, ai për të cilin Shën Pali thotë: “Krishti, Pashka jonë, është flijuar” (1 Kor 5,7). Vërtetohet çfarë thotë psalmisti: O galdimi im, më çliro nga ata që më rrehtojnë (khs. Ps 31,7). Galdimi i vërtetë dhe solemniteti i vërtetë është ai që na çliron nga e keqja. Për të fituar këtë të mirë, secili duhet të jetojë shenjtërisht dhe duhet të meditojë thellë brenda vetes në paqe dhe me drojën e Hyjit.
Kështu bënin edhe shenjtërit. Ndërsa ishin në jetë, ishin të gëzuar, si në një festë të përhershme. Njëri prej tyre, Davidi i lum, ngrihej natën, jo vetëm një herë, por shtatë herë, dhe me anë të lutjes siguronte përkrahjen e Hyjit. Një tjetër, Moisiu i madh, galdonte me himne, këndonte lavde për fitoren kundër faraonit dhe kundër atyre që i kishin shtypur hebrenjtë. E të tjerë, si Samueli dhe Elia profet, merrnin pjesë me gëzim të pandërprerë në kultin e shenjtë.
Falë këtij stili të jetës, ata arritën lirinë dhe tani bëjnë festë në qiell. Të mendojnë me gëzim shtegtimin e tyre tokësor, të aftë tashmë të dallojnë çfarë ishte shëmbëllim dhe çfarë tashmë është realitet.
Çfarë duhet të bëjmë për t’u përgatitur si duhet për këtë solemnitet të madh? Kë duhet të ndjekim si udhërrëfyes? Askënd tjetër, sigurisht, o të dashurit e mi, përveç atij që ju vetë e quani, sikurse edhe unë, “Zoti ynë Jezu Krishti”. Ai thotë: “Unë jam udha” (Gj 14,6). Sikurse thotë Shën Gjoni, ai “e shlyen mëkatin e botës” (Gjn 1,29). Ai i pastron shpirtrat tanë, sikurse thotë profeti Jeremia: “Ndaluni rrugëve dhe shikoni: vini mendjen cila është rruga e mirë dhe në të do të gjeni ripërtëritjen e shpirtrave tuaj” (Jer 6,16).
Dikur njerëzit e papastër spërkateshin me gjakun e cjepve dhe me hirin e një viçi, por kështu pastrohej vetëm trupi. Ndërsa tani, falë hirit të Fjalës së Hyjit, secili pastrohet krejtësisht në shpirt.
Nëse do të ndjekim Krishtin, do të na duket se gjendemi që tani në tremet e Jeruzalemit qiellor dhe mund ta kremtojmë e shijojmë që tani festën e amshuar. Kështu bënë apostujt, të cilët u caktuan mjeshtër të hirit për bashkëmoshatarët e tyre dhe për ne. Ata nuk bënë gjë tjetër, përveçse të ndiqnin Zotin: “Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje” (Mt 19,27).
Le ta ndjekim edhe ne Zotin, domethënë le ta imitojmë, dhe kështu do të gjejmë mënyrën si ta kremtojmë festën, jo vetëm sipërfaqësisht, por me fryt, pra jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.








All the contents on this site are copyrighted ©.