2014-04-06 12:40:29

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, shekullarët


Me Pater Gjonin, Pater Dajanin e Pater Faustin, për të cilët folëm në emisionet e kaluara, u dënua me vdekje edhe seminaristi Gjergj Bici; pastaj civilat Gjelosh Lulashi, Qerim Sadiku e Fran Mirakaj e disa të tjerë. Sentenca merrte fund më 22 shkurt 1946. RealAudioMP3

Genocid mesjetar në shekullin XX

Titullohet kështu, libri i botuar nga shtypshkronja “Camaj – Pipa”, në Shkodër, më 2001. Autori, Gjovalin Zezaj, e provoi mbi lëkurën e vet gjyqin e parë kundër klerit katolik, me të cilin niste “genocidi i madh”. Asokohe gati fëmijë, sot me kujtesë ende të fortë, përjeton me të gjitha hollësitë tragjedinë e jetës së tij e të të dënuarve me vdekje, ndërmjet të cilëve, figura ndër më të spikaturat e klerit katolik, meshtarë, seminaristë e laikë.
Ishin laikë, të rinjtë malësorë Qerim Sadik Myftari, nga Gucia; Gjelosh Lulash Bajraktari, nga Shoshi i Dukagjint e Fran Mirakaj, nga Puka, kujton, duke sqaruar se dënimi me vdekje për seminaristin Gjergj Bici do të kthehej në burgim të përjetshëm, për Frano Mirakajn, në dënim të mëvonshëm, që do të ishte pushkatimi e zhdukja pa asnjë gjurmë varri. Dënimin e firmoste “Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha”.
Pas kësaj firme, breshëria e mitrolozit pas murit të Rrëmajit, që do të rrëzonte përdhe në lule të rinisë, edhe tre djemoshat.
Gjelosh Lulashi, (02. 09. 1925- 04. 03. 1946) i lindur në Dukagjin, më 2 shtator 1925, ishte besimtar i thjeshtë, shekullar. Shërbente në spitalin ushtarak të Shkodrës, kur u njoh me të rinjtë e revoltuar nga shenjat e para të genocidit mbi popullsinë e, sidomos, mbi të krishterët. I njohu pikërisht kur rrekeshin të krijonin organizatën “Bashkimi shqiptar”, për t’iu kundërvënë, me rrugë paqësore, parlamentare, regjimit, që nuk premtonte asgjë të mirë. Ishte një organizim i pavarur seminaristësh e të rinjsh laikë që, pa dijeninë e eprorëve, shestonin për ditë plane në bankat e seminarit papnor e të gjimnazit të shtetit.
Gjelosh Lulashi, djali i bajraktarit të Shoshit ishte 20 vjeç, kur doli para gjyqit. Bir i një familjeje të përmendur për bujari, trimëri e atdhedashuri, e donte fort edhe jetën, Po pati forcë ta flijonte, duke mbrojtur me një burrëri, të denjë për të parët e tij, idealet para një gjykate të padrejtë. I hodhi poshtë, me neveri, të gjitha akuzat e rreme kundër tij e, sidomos, kundër rregulltarëve, duke i mbrojtur vendosmërisht bindjet e veta politike, sa t’i mahniste të pranishmit në sallë.
Pyetje –përgjigjet ishin aq të gjata, aq të përsëritura, aq të rreme, aq të pabesueshme, sa është e kotë të kujtohen. E gjithë loja luhej me një skenar të përgatitur, me të gjitha dialoget e monologet, e edhe me pikën kulmore tragjike, pushkatimin, në një skenë ndërmjet varreve e zajeve të shkreta, buzë një lumi, që çohej vazhdimisht breg më breg nga reshjet e shpesha. Duke marrë me vete ç’të gjente.
Qerim Sadiku (12. 02. 1919 - 04. 03. 1946) i lindur në Vuthaj (Shkodër) më 12 shkurt 1919, ishte ndërlidhës ndërmjet qytetit e malësive. U arrestua më 03. 12. 1945. I përballoi me durim të jashtëzakonshëm torturat e gjyqin, dënimin me vdekje e pushkatimin. Një breshëri plumbash ia këputi jetën, pasi kishte shqiptuar fjalët e fundit, të protokolluara nga vrasësit. Provë krimi, në procesverbalin e komunistëve; provë shenjtërie, në analet e martirëve të Kishës Katolike: “I fali ata, që mujtën me më ba keq. Ata, që më dënuen me vdekje. E ata, që po më pushkatojnë”.
Fran Mirakaj (13. 08. 1916- ?. 09. 1946) ishte ndërlidhës i grupit të të rinjve rebelë me krerët nacionalistë, që vijonin rezistencën në arrati.
Që të tre, shpërndarës të trakteve të para antikomuniste, që i bënin thirrje popullit të mendohej mirë, para se ta hidhte votën në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Pa e kuptuar aspak se liria e mendimit dhe e votës, po pushkatohej në Zajet e Kirit, për t’u zhdukur, në shkurt të vitit 1947, me “Grupin e Deputetëve” antikomunistë, që patën fituar në zgjedhjet. Kujtojmë se ndërmjet të rinjve ishte edhe Gjon Shllaku, përkthyesi i mëvonshëm i kryeveprave të letërsisë klasike greke. Ishin, pra dy vetë me të njëjtin emër: njëri frat, tjetri i ri. Pikërisht ky i fundit e shkroi traktin e parë.
Autori i “Genocidit...” Gjovalin Zezaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, pati fatin të dilte i gjallë nga skëterra, ku la rininë. Ja si e përshkruan lirimin, në librin e vet me kujtime:
“.. polici më njoftoi të përgatitesha për lirim. Te baraka, ku rrija, u grumbulluan shokët. Ishin shumë, nga e gjithë Shqipëria. Ata qeshnin nga gëzimi, për lirimin tim, unë qaja, për ndarjen…
Udhëtova kah Shkodra, kah nana, që vuajti aq shumë, mbi një kamion transporti, ngarkuar me mullarë sane. Arrita e trokita në atë derë, prej nga kisha dalë i ri, e kthehesha i burrëruar. Më priste nëna. Ishin çaste të paharrueshme. Po shumë shpejt e kuptova se kisha dalë nga një burg i vogël, për të hyrë në burgun e madh, të rrethuar nga telat me gjemba”.
Që atë ditë e sot Gjovalin Zezaj jeton me kujtimin e atyre, që nuk janë më, dëshmitar me vlerë për të njohur më thellë këtë histori tragjike:
“… Ishim të rinj, dëshmon, por na vlonte shpirti, plot me ndjenja patriotike e demokrate. Nuk mund ta duronim sundimin e diktaturës. Arrestimet, raprezaljet, keqtrajtimet, pushkatimet. Nuk mund të rrinim duarkryq, sepse në dej na vlonte gjak shqiptari. E nuk mund të lejonim që propaganda komuniste të premtonte parajsa të paarritshme, sofra me lugë ari, duke e hequr pas hunde popullin shqiptar, drejt skëterrës.
Ishim ëndrrimtarë të pashërueshëm. Tani në vend tonë, pikërisht mbi atë truall ku ndodhën këto ngjarje jo shumë të largëta, rritet një brez i ri. Uroj të ketë në zemër ndjenjat tona e të mos rrehet nga premtimet e sofrave me lugë ari, prej ngado që të vijnë!









All the contents on this site are copyrighted ©.