Papa: kush ka pushtet, kërkon t’ua mbyllë gojën profetëve, por Shpirti nuk mund të
ngujohet në kafaz
Kur kumtohet Ungjilli, shkohet drejt persekutimeve. Këtë pohoi sot Papa Françesku
në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Kapelën e Shën Martës. Papa kujtoi se sot ka më
shumë martirë, sesa në kohët e para të Kishës dhe u dha zemër besimtarëve të mos tremben
nga moskuptimet e as nga persekutimet.
Zemra e të prapëve,
që largohen nga Zoti, dëshiron ta përvetësojë fenë. Papa e shtjelloi homelinë duke
u nisur nga fragmenti i Librit të Urtisë, në Leximin e parë. Prandaj, vërejti, armiqtë
e Jezusit i ngrejnë kurthe, e mbulojnë me shpifje, bëjnë çmos t’ia zbehin famën. Përgatisin
atmosferën për ta shkatërruar të Drejtin. E këtë e bëjnë sepse u kundërvihet veprimeve
të tyre, i qorton ata, që shtrembërojnë ligjet, ua vë në dukje drejtpërdrejt shkeljet
kundër edukatës, që kanë marrë. Në të gjithë historinë e shëlbimit, vërejti më tej
Papa, profetët kanë qenë gjithnjë të persekutuar. E këtë është vetë Jezusi ai, që
ua vë në dukje farizenjve. Gjithnjë në historinë e shëlbimit, në kohën e Izraelit,
edhe në Kishë, pohoi, profetët u persekutuan. U persekutuan, sepse e shprehën haptazi
mendimin e tyre. U thanë atyre, që po gabonin: ju dredhuat, gabuat rrugë. Kthejuni
në rrugën e Zotit! E kjo, vërejti Ati i Shenjtë, nuk u pëlqen fare njerëzve që kanë
pushtet në këtë rrugë të gabuar: “Ungjilli flet qartë, apo jo? Jezusi fshihej
në ditët e fundit, sepse nuk kishte ardhur ende ora e Tij: po Ai e dinte si do të
mbaronte. Jezusi persekutohet që në orët e para: kujtojmë sesi në fillim të predikimit
të Tij kthehet në vendin e vet, shkon në sinagogë e predikon; menjëherë pas admirimit
të madh, ia nisin avazit: po ky po na flet, si të mos e dinim nga është. Ky është
një prej nesh. Po, me ç’autoritet vjen e na flet kështu? Ku na paska studiuar ky?
E shkualifikojnë. Kujtojnë se e dinë nga vjen. Ndërsa, në të vërtetë, askush nuk e
di kur vjen e prej nga është! Të shkualifikosh Zotin, të shkualifikosh profetin, për
t’i hequr autoritetin”. E këtë e bëjnë, sepse Jezusi dilte vetë e i bënte
edhe të tjerët të dilnin nga ky mjedis fetar i mbyllur, nga ky kafaz. Profeti, pohoi
Ati i Shenjtë, lufton kundër njerëzve, që duan ta mbyllin në kafaz Shpirtin Shenjt.
Prandaj e persekutojnë. Gjithnjë. Profetët, vijoi të reflektojë Papa, janë të gjithë
të persekutar, ose të keqkuptuar, të lënë mënjanë. Nuk u japin kurrë vendin, që meritojnë.
E kjo situatë nuk ka përfunduar me vdekjen e me ngjalljen e Krishtit: vijon në Kishë!
Të persekutuar nga jashtë e nga brenda. Kur lexojmë jetët e shenjtorëve, kujtoi Papa
Françesku, shikojnë se edhe ata pësuan sa e sa keqkuptime, sa e sa persekutime, sepse
ishin profetë: “Edhe shumë nga mendimtarët e Kishës u persekutuan.
Mendoj, këtë çast, për njerin, që nuk është shumë larg nesh, për një njeri vullnetmirë,
profet i vërtetë, që me librat e tij e qorton Kishën, duke i vënë në dukje se po largohet
nga rruga e Zotit. E thirrën menjëherë, librat e tij u ndaluan, ia hoqën katedrën,
deri sa e përfundoi kështu jetën: jo shumë kohë më parë. Po koha kaloi e ai sot është
i Lum! Po si tashti, deri dje ishte heretik e sot i Lum? Puna është se dje ata që
kishin pushtet, donin t’ia mbyllnin gojën, sepse nuk u pëlqente ajo, që thoshte. Sot
Kisha, që faleminderës Zotit di të pendohet, thotë: ‘Jo, ky njeri është i mirë! Për
më tepër, është për udhë kah shenjtëria: është i lum”. Të gjithë njerëzit,
që i zgjedh Shpirti Shenjt për t’i thënë të vërtetën Popullit të Hyjit, shtoi, pësojnë
persekutime. E Jezusi është pikërisht modeli, ikona. Zoti rëndoi mbi të të gjitha
persekutimet e Popullit të vet. E edhe sot, vërejti me keqardhje të thellë, të krishterët
vijojnë të persekutohen. Mund të them se ndoshta sot ka më shumë martirë, sesa në
kohët e para të krishterimit, sepse në shoqërinë e botës së sotme, në këtë botë, që
dëshiron të jetë e qetë, që nuk i do problemet, thonë të vërtetën, kumtojnë Jezusin: “Ekziston
dënimi me vdekje ose burgu, pse ke në shtëpi Ungjillin, pse jep mësime katekizmi,
e në disa vise të botës. Më tregonte një katolik i këtyre viseve se nuk munden as
të luten së bashku. Është e ndaluar! Mund të luten vetëm, fshehurazi. Po ata duan
ta kremtojnë Eukaristinë. E si ia bëjnë? Bëjnë një festë ditëlindjeje, bëjnë sikur
po kremtojnë ditëlindjen e kremtojnë Eukaristinë, para se të nisin festën. E, ndodh
edhe që në mes të kremtimit të arrijnë policët. Atëhere ata fshehin menjëherë gjithçka
e nisin nga urimet: ‘Urime, për shumë vjet! Qofsh i lumtur!’, për të vijuar festën.
Pastaj, sa zhduken policët, rikthehen tek festa e vërtetë, Eukaristia. Duhet të bëjnë
kështu, sepse e kanë të ndaluar të luten së bashku. Sot”. E kjo histori
persekutimesh, nënvizoi Papa, është udha e Zotit, udhë e atyre që e ndjekin Zotin.
Por, shtoi, pastaj përfundon ashtu si Zoti: me ringjalljen, pas kalimit nëpër udhën
e Kryqit, Në përfundim të homelisë, Papa kujtoi atë Mateo Riçin, ungjillëzues i Kinës,
që nuk e kuptuan. E megjithatë ai iu bind vetëm zërit të Hyjit, si Jezusi. Do të ketë
gjithnjë persekutime, rikujtoi Papa, e edhe keqkuptime. Po Jezusi është Zot, e kjo
është sfida e Kryqit e fesë sonë. Zoti, përfundoi Papa, na dhëntë hirin të ecim në
udhën e tij e, në se dëshiron, edhe me kryqin e persekutimeve.