2014-04-04 15:39:28

Kardinali Xhivish në përvjetorin e vdekjes së Gjon Palit II: Shenjt, në të gjithë udhën e jetës


Më 2 prill 2005 vdiste i Lumi Gjon Pali II. Përfundonte, kështu, papnia e gjatë e papës polak.Dëshmitar i jashtëzakonshëm i këtyre 27 vjetëve si dhe i periudhës së episkopatit të tij në Poloni, është sekretari i tij, Stanislau Xhivish, kardinali i sotëm kryeipeshkëv i Krakovit. Në këtë intervistë, dhënë gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, tri javë para së dielës së Mëshirës Hyjnore, kur Papa Françesku do ta lartojë Gjon Palin II në nderimet e elterit së bashku me Gjonin XXIII, kardinali përshkon disa nga çastet e jetës së Vojtilës dhe lidhjen e tij me Ditët Botërore të Rinisë, që më 2016 do të kremtohet pikërisht në Krakov.RealAudioMP3

Pyetje: - Si e jetoni këtë çast Ju, që ishit aq pranë Gjon Palit II për shumë e shumë vjet?

Përgjigje: - Isha sekretar i Vojtilës për dymbëdhjetë vjet në Krakov, pastaj, gjatë gjithë papnisë së Vojtilës. Kjo periudhë e gjatë, e kaluar përkrah tij, më ka lënë një gjurmë të thellë. Shumë ngjarje rrodhën para syve të mi, duke nisur nga zgjedhja e një pape jo italian, pas 455 vjetëve. Mbetet gjithnjë i gjallë ky çast. E edhe më i gjallë, kujtimi i atentatit dramatik, në të cilin rrezikoi të humbiste jetën, më 1981, pa folur këtu për shtegtimet e tij të panumërta baritore dhe shndërrimet e mëdha, që ndodhën gjatë kësaj periudhe në Evropë e në botë. Të gjithë jemi të bindur se jetuam pranë një njeriu të shenjtë.

Pyetje: - Gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e njerëzimit la jo vetëm jeta e tij, por edhe vdekja e tij. Si i jetuat ato çaste?

Përgjigje: - Me kalimin e viteve, ai na përgatiti pak nga pak për këto çaste të fundit, për çastin e dhimbshëm të vdekjes. Këtë çast e jetoi me qetësinë e me sigurinë e ringjalljes. Thoshte: “E gjithë jeta ime është shtegtim drejt Zotit e tani erdhi çasti për të kaluar në jetën tjetër”. Ishte i ndërgjegjshëm deri në fund të fundit, ndonëse nuk dihet me saktësi kur i humbi ndjenjat. Para se të vdiste, kremtoi Meshën e Mëshirës Hyjnore. U kungua me ndonjë pikë nga Gjaku i Krishtit, për t’u përgatitur për jetën tjetër. Tha, më pas, uratët e natjes dhe oficen e orëve. Më pëlqen të tregoj se në çastet e fundit tha uratën e së dielës, të ditës së nesërme, së Dielës së Mëshirës Hyjnore. E dha shpirt pikërisht në agun e Festës. E gjithë jeta e tij, nga fillimi, deri në sosje, u bashkua me misterin e Mëshirës Hyjnore. Kështu na dhuroi programin për këtë mijëvjeçar: Mëshirën Hyjnore! Bota nuk do të ketë paqe, nëse nuk do të kthehet kah kjo mëshirë.

Pyetje: - Lidhja e Gjon Palit II me të rinjtë ishte krejt e veçantë. Ndoshta pikërisht për këtë, të rinjtë vijojnë ta duan kaq fort?

Përgjigje: - E duan kryesisht, sepse ishte njeri i shpresës. Ai u tregonte një rrugë aspak të lehtë, por të sigurt. E të rinjtë e perceptonin. Prandaj i ngarendnin pas. Shenjtëria e tij dëshmon se rruga, që përshkoi, nga rinia deri në çastin e fundmë të jetës, ishte rruga e drejtë. Edhe në ditët e fundit të shtegtimit në këtë botë, Gjon Pali II deshi t’u drejtonte një fjalë të rinjve, të cilëve u la porosinë: “Mos kini frikë të jeni shenjtorë, sepse shenjtorët e bëjnë historinë e i japin shtytje zhvillimit të shoqërisë”.

Pyetje: - Si lindi ideja e ditëve botërore të rinisë?RealAudioMP3

Përgjigje: - Lindi në vitet ’80, posaçërisht pas takimeve të mëdha të Papës me të rinjtë, kremtuar në 1980, në Parc des Princes të Parisit e në Romë, më 1984, për Vitin Shenjt të Shëlbimit; e edhe në vitin 1985, për vitin ndërkombëtar të rinisë. Në këto raste, Gjon Pali II pa e kuptoi se të rinjtë ishin në kërkim të një prijësi. Ai e njihte thellësisht shpirtin e të rinjve, sepse ka qenë gjithnjë pranë tyre, një herë si prift, pastaj si ipeshkëv e së fundi, si papë.

Pyetje: - Ç’mesazh deshi t’u përcillte të rinjve me këtë nismë?

Përgjigje: - Besoj se mesazhi më i rëndësishëm është sidomos ai i dëshmisë, që i duhet dhënë botës. Përmes të rinjve, Kisha dëshmon se është gjithnjë e gjallë, e aftë të rinohet. E rinohet edhe falë të rinjve.

Pyetje: - Me Papën Françesku, a ndryshon ndonjë gjë në marrëdhëniet me të rinjtë?

Përgjigje: - Çdo papë ka karizmën e vet. Bergoglio ka, sidomos, karizmën e afërsisë me njerëzit, e besimtarët e ndjejnë thellë këtë. Në Argjentinë ishte bari i dioqezës së madhe të Buenos Ajres, prandaj e kupton mirë varfërinë e ligështinë e njerëzve, e kërkon edhe t’u japë përgjigje gjithë këtyre situatave. Duke krahasuar gjestet e tij me gjestet e Papës Gjon Pali II, mund të them se janë të ngjashme, ndonëse, natyrisht, jo të njëjta.

Pyetje: - Si e pritët lajmin për Ditën botërore të rinisë, që do të kremtohet në Krakov?

Përgjigje: - Krakovi e Polonia ngazëllojnë, sepse, pas Ditës Botërore të 1991-së kremtuar në Çestokova, të dy qytetet, e vetë Polonia, do të bëhen qytet e vend i rinisë. Dita e ardhshme botërore e rinisë do të kremtohet më 25 korrik, deri më 1 gusht 2016, në parkun e madh të rrethinave të qytetit, me emrin Beonie. Jemi tejet të kënaqur, që Papa Françesku e mori këtë vendim, gjë që e mbush me gëzim mbarë Poloninë. Çdo dioqezë do të impenjohet për suksesin e kësaj ngjarjeje të madhe. Po kryesisht do të lëvizin vetë të rinjtë, që do ta vënë gjithë entuziazmin e tyre në shërbim të kësaj ngjarjeje. DBR-së lidhen me fije të dyfishta me Gjon Palin II. E kjo Ditë do të jetë më e lidhura. Dëshirojmë t’ia kushtojmë kujtimit të tij, shenjtërisë së tij, vëmendjes së tij të jashtëzakonshme për të rinjtë. Do të jetë edhe rast i përshtatshëm për ta falënderuar për gjithë atë dashuri ndaj breznive të reja, të gjithçkaje që bëri Papa Vojtila e që na e la trashëgim.

Pyteje: - E keni nisur punën për organizimin e takimit të madh të të rinjve?

Përgjigje: - Krakovi ka nisur të hapë zemrën e krahët. Do të shkëlqejë nga gëzimi i arritjes së mijëra të rinjve nga mbarë Bota. Dua ta ftoj, në emër të gjithë Kishës, që është në Krakovë, rininë e të pesë kontinenteve. Po bëhemi gati ta presim përzemërsisht në emër të Krishtit e i kërkojmë të kthehet në shtëpi, duke mbartur në zemër mesazhin e Jezusit, atë që Gjon Pali II na e la trashëgim të gjithëve. Do të jetë sfidë e vërtetë për Krakovin. Dioqeza jonë mund t’i japë botës një shembull besnikërie. Kisha polake ka qenë gjithnjë besnike ndaj vlerave të Ungjillit, ndaj Selisë së Shenjtë. Ka qenë gjithnjë e bashkuar me Romën: kjo është forca e saj, forca e popullit polak, që kapërceu të gjitha vështirësitë nën regjimin nazist e pastaj edhe nën atë komunist. Kisha në Poloni e dinte se ishte dikush, që mendonte për të në Romë, e kjo e mbushte me shpresë.









All the contents on this site are copyrighted ©.