2014-04-04 15:35:32

Atë Cantalamessa: Është e mundur ta kemi mik Jezusin. Ai është vërtet i pranishëm


Kush është Jezu Krishti dhe si arrimë të kemi një ide rreth tij, mbi të cilën mund ta mbështesim fenë tonë: kjo është tema që shtjelloi sot paradite Atë Raniero Cantalamessa në predikimin e katërt të Kreshmëve, në praninë e Papës dhe të Kurjes Romake, në kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik. Predikuesi i Shtëpisë Papnore ndoqi fillin e mësimeve të Leonit të Madh, mendimi kristologjik i të cilit është gur kilometrik në Kishë.RealAudioMP3
Jezu Krishti është Hyji i bërë njeri; natyra hyjnore dhe ajo njerëzore rrinë bashkë tek ai pa u përzjerë e pa u ngatërruar, duke ruajtur secila vetitë e veta; ai është Biri i Hyjit – i kryqëzuar e i varrosur – dhe është gjithashtu Biri i njeriut, i ardhur nga qielli. Këto janë të vërtetat themelore, që i quajmë dogma kristologjike. Tradita e Kishës i ka përpunuar në kohë, Shën Leoni i Madh, i cili qe Papë në shekullin V, i lidhi i pari në një formulim të vetëm, që përmbledh persiatjet teologjike të Lindjes dhe të Perëndimit. Mbi këto siguri duhet ta themelojë fenë i krishteri, pohoi Atë Cantalamessa, dhe, me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë, duhet ta shikojë Jezusin si person:
“Fatkeqësisht, Jezusi, për shumë vetë është një personazh, një përmbledhje dogmash, doktrinash, gati një institucion. Por, përkundrazi, është jetike – edhe për ungjillëzimin – që Jezusi të jetë për ne një person i gjallë”.
E, atëherë, duhet të shkojmë edhe më tej:
“Është e mundur ta zgjedhim Jezusin si mik, sepse ai është ringjallur, është i gjallë. Prania e tij, edhe pse shpirtërore, jo fizike, është më reale, pafundësisht më reale se prania fizike, apo e hamendësuar”.
Për të arritur deri në këtë pikë, nuk duhet ndarë në asnjë mënyrë figura e Jezusit, siç rindërtuar hulumtimet historike, nga Krishti i dogmës. Është gabim të ndjekësh arsyen shkencore pa mbajtur parasysh fenë, prandaj duhen lënë mënjanë të gjitha ato rindërtime historike të Jezusit, që e përjashtojnë të vërtetën e pashkëve.
Predikuesi i Shtëpisë Papnore shtoi se “hulumtimi i ungjijve... na tregon se historia” nuk mund të na çojë tek “Jezusi në vetvete”, ndërsa dogma e përkufizon me një formulë: ta shikosh Jezusin si person, do të thotë “të thuash se është ringjallur, se jeton, se është para meje, se mund t’i drejtohem me “ti”, sikurse ai më drejtohet me “ti”.
Pra, historia nuk mjafton, por as formulimet teologjike nuk janë të mjaftueshme. Janë njësoj sikur të gjendeshim përballë një formule kimike, si ajo e ujit. Formula na thotë se uji është i përbërë nga dy molekula hidrogjeni dhe një oksigjeni, por nuk na e jep ujin ta pimë apo të notojmë në të. Megjithatë, formula H2O nuk është e kotë, sikurse nuk janë të kota formulimet dogmatike, por mënyra për ta njohur Jezu Krishtin është tjetër gjë, saktësoi predikuesi i Shtëpisë Papnore:
“Rrallë herë e mendojmë Jezusin si mik, sepse në nënvetëdijen tonë mbizotëron ideja se: “Ah, ky Jezus, pas kryqëzimit, pas ringjalljes, u ngjit në qiell dhe do të kthehet në lavdi, në ditën e fundit”. Pra, është e vështirë, përkundër, ta ndiejmë të pranishëm, me ne, të dëshiruar për të vendosur një marrëdhënie me ne”.
Dhe Ungjilli sipas Gjonit tregon se Jezusi vetë ka thënë: “Unë ju quajta miq, sepse ju tregova të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga Ati im”.








All the contents on this site are copyrighted ©.