2014-04-02 15:51:03

Këshilli Papnor për Komunikimet Shoqërore mbush 50 vjet


Këshilli Papnor për Komunikimet shoqërore mbush sot 50 vjet. U themelua nga Papa Pali VI me Motu Prorio “In fructibus multis”, më 2 prill 1964, por historia kishte filluar 16 vjet më parë, siç na tha Imzot Claudio Maria Celli:
Jemi në kohën e Piut XII. Piu XII i kushtoi një vëmendje të veçantë kinemasë si fenomen shoqëror, i vetëdijshëm për ndikimin që mund të kishte kinemaja në zhvillimin e njerëzimit, ndikim që prekte edhe aspektet fetare. Ja pse Këshilli Papnor i fillimit, u interesua për kinemanë, për vlerat e saj të krishtera, fetare e morale. Dhe ky perceptim ka ecur përpara për disa vite. Në vitet 1952 dhe 1954 u sqarua edhe më shumë përgjegjësia e Këshillit Papnor në fushën e kinematografisë. Me Gjonin XXIII, në vitin 1959, u mor parasysh me vetëdije të plotë edhe përmasa e rëndësishme që kishin radioja dhe televizioni. Është interesante, në vitin 1959 Papa Gjoni XXIII deshi t’i jepte këtij komisioni një hov të ri, perspektiva të reja, gjithnjë në këtë fushë të veçantë. Pastaj erdhi Koncili II i Vatikanit. Vitin e shkuar kujtuam dhe kremtuam Dekretin konciliar “Inter mirifica”, miratuar më 4 dhjetor 1963. Pastaj vjen Pali VI, me vëmendjen që kishte kundrejt zhvillimeve moderne të komunikimit dhe ndaj ndikimeve të thella që mund të kishin instrumentet e reja në ecjen e njerëzimit. Ja pse më 2 prill të vitit 1964 Pali VI krijoi Këshillin Papnor për Komunikimet Shoqërore. Në atë çast u hap një mundësi e re, një kompetencë e re, që është ajo e shtypit. Që atëherë, Këshilli Papnor për Komunikimet Shoqërore do t’i kushtonte vëmendje shtypit, radios, televizionit, kinematografisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.