Kur vdes një Shenjt. Kardinali Sandri kujton Karol Vojtilën
Nëntë vjet më parë, më 2 prill, Gjon Pali II kthehej në Shtëpinë e Atit Qiellor, pas
një sëmundjeje të gjatë, të përballuar me guxim e fisnikëri. Lajmin e vdekjes së Gjon
Palit II, në Sheshin e Shën Pjetrit, shndërruar në Çenakull nën qiell të hapur, e
dha zëvendës-sekretari i Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij, Leonardo Sandri,
sot, prefekt i dikasterit për Kishat Lindore. Para mikrofonit tonë, kujton emocionet
e thella, të paharrueshme të atij çasti.
(Njoftimi
i Kardinalit Sandri) “Të dashur vëllezër e motra, në orën 21.37, i shumëdashuri
Ati ynë i Shenjtë, Gjon Pali II, u kthye në shtëpinë e Atit. Të lutemi për të!”.
Përgjigje:
- Emocioni ishte i madh. E tani, ky kalim i një shenjti nga toka, në Shtëpinë
e Atit, më ngjall emocion të dyfishtë. E ndjej veten të padenjë e tepër larg njeriut,
që ishte ungjillëzues i mirëfilltë, njeri i paqes, njeri me jetë të madhe shpirtërore,
bazë e të gjitha veprimtarive të tij: njeri, që e jetoi papninë në përkorjen më të
madhe, në varfërinë më të plotë.
Pyetje: - Ç’kujtime keni, nga takimet
me Gjon Palin II?
Përgjigje: - Kam shumë, shumë kujtime. Posaçërisht
pata mundësinë të shikoj sesi Zoti e kishte pajisur Karol Vojtilën me një humanitet
të jashtëzakonshëm. E gjithë shenjtëria, që ne e kemi parë, pastaj, gjatë jetës së
tij meshtarake, ipeshkvnore e papnore, mbështetej mbi një njeri, që kishte vuajtur
shumë: kishte provuar persekutimin, vdekjen e nënës, kur ishte ende i njomë, sulmin
nga ana e regjimit, faktin, që i duhej të jetonte në një mjedis armiqësor... Të gjitha
këto i kishte jetuar ky njeri i jashtëzakonshëm për simpati, për pamje fizike, thellësi
kulturore, pasuri studimesh, njohje të filozofisë e edhe të fenomenologjisë... E pastaj,
për aftësinë e jashtëzakonshme që kishte për t’i njohur njerëzit, aftësinë për të
hyrë në lidhje me ta, njohjen e gjuhëve e të botës, ku kishte jetuar, edhe kur kishte
qenë ipeshkëv në Poloni. Ishte humanitet i lartuar nga Zoti, përmes një jete me ballafaqime
të ashpra, një jete me vuajtje, me flijime, një jete tejet të thjeshtë... Gjëja, që
kam admiruar më shumë në ditën e fundme të jetës së tij, ishte pamja në shtratin e
vdekjes, krejtësisht i zhveshur nga gjërat tokësore, edhe në këndvështrimin material:
asnjë luks, asnjë shenjë madhërie rreth atij krevati. Thjeshtësi emocionuese. Ky humanitet
i thellë u kurorëzua nga Zoti me dhuratat e Shpirtit Shenjt. E prej këndej, kishte
gjithçka, duke u nisur nga feja, shpresa e dashuria, që duhet për ta bërë Shenjt edhe
një njeri të zakonshëm, si të gjithë.
Pyetje: - Të gjithë e kujtojmë
8 prillin, salikimet e Gjon Palit II. Populli i Hyjit e quajti Shenjt. Çfarë do të
kenë më shumë besimtarët me 27 prill, kur Karol Vojtila do të shpallet shenjt? Përgjigje:
- Gjykimin autoritar të Kishës. Duhet të mendojmë se formula e shenjtërimit
ka solemnitet gati dogmatik: ai është në Qiell, e prej këndej ne, besimtarët, që besuam
se ishte shenjt, që kur e patëm njohur, ose ata, që e patën shpallur “Shenjt menjëherë”
në Sheshin e Shën Pjetrit, tani sigurohen, nga autoriteti i Kishës, autoritet i Pasardhësit
të Shën Pjetrit, që thotë pikërisht kështu: “Shpall, përcaktoj, kumtoj se ky njeri
është shenjt e tani ndodhet pranë Zotit” e jeton në vegimin e asaj, që ne shpesh e
vegojmë vetëm përmes hijes e nuk e shikojmë me sytë tanë njerëzorë: sheh Zotin sy
për sy. Ai tani e shikon, e këtë e garanton edhe Kryebariu i Kishës, që është Papa
Françesku.