Ipeshkvijtë e SHBA-së kujtojnë emigrantët e vdekur në kufirin me Meksikën
Meshë për më se gjashtëmijë të vdekur në shkretëtirën e Arizonës nga 1998 deri më
sot, në përpjekje për të kapërcyer kufirin ndërmjet Meksikës dhe SHBA-së. Ipeshkvijtë
amerikanë, të udhëhequr nga kryeipeshkvi i Bostonit, Kardinali Sean O’Malley, e shpërndanë
kungimin përtej hekurave të kufirit, në truallin meksikan, ku ishte mbledhur një numër
i madh besimtarësh. Kardinali O’Malley citoi fjalët e Papës në Lampeduzë: “Këta vëllezër
u përpoqën të shpëtonin nga gjendja e vështirë dhe gjetën vdekjen”. Për këtë kremtim
Radio Vatikani intervistoi Ipeshkvin e Tucsonit, në Arizona, Imzot Gerald Kicanas:
Ishte një ngjarje frymëzuese, këtu në Arizonë. Ne kemi emër të keq, për sa
i përket qëndrimit ndaj emigrantëve. Kohët e fundit, në tri zona të shtetit tonë,
sipërmarrës, mësues, udhëheqës fetarë dhe drejtues të shoqërisë civile janë mbledhur
për të shkëmbyer mendime rreth nevojës së ngutshme për ta reformuar politikën e emigrimit.
Nëse do t’ia arrijmë të kryejmë një reformë tërësore në politikën e emigrimit, në
Shtetet e Bashkuara, atëherë mund t’i përdorim forcat tona për t’u marrë me gjendjen
vërtet shqetësuese përgjatë kufirit. Dhe, nëse do të mund ta veçonim emigrantin ekonomik,
në rrafshin e reformës së plotë të politikës së emigrimit, do të arrinim të gjenim
një stil më të përshtatshëm jetese, për të kryer punët, për të cilat ka nevojë vendi
ynë. Po të ekzistonin rrugët ligjore, do të dilnin nga hija ata që nuk kanë asnjë
qëllim kriminal dhe do të gjenin këtu punën për të cilën kanë nevojë Shtetet e Bashkuara.
Kështu, do ta ndihmonin shoqërinë si të mundnin dhe atëherë do të mund t’i përdornim
forcat për të luftuar elementet kriminale, që gjenden përgjatë kufirit dhe që duhen
kundërshtuar.