2014-04-02 12:08:18

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Atë Giovanni Fausti


Atë Giovanni Fausti (Broko, Bresha, Itali, 19. 10. 1899 - Shkodër, 04. 03. 1946) jezuit, misionar italian, me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe, në Shqipëri kishte detyrën e zëvendës-provincialit.RealAudioMP3

Kush është Atë Giovanni Fausti?

Atë Giovanni Fausti, bir i Antonios e i Maria Sigolinit, lindi në Broko, në provincën e Breshas, me 9 Tetor 1899. Broko ishte qendër e vogël, që sot numëron 550 banorë. Ndërtesa më e bukur ishte kisha e Shën Mëhillit Kryeengjëll, ndërtuar qysh në periudhën e Longobardëve. Në këtë kishë Atë Fausti, pinjoll i një familjeje të vjetër fisnike me stemë, u ngjit për herë të parë në elter për të ndihmuar meshë. Në këtë kishë u dashurua me muzikën e me këngën.
Shkollën fillore e ndoqi pjesërisht në Broko, pjesërisht në Vale Pekara, pranë të ungjit, Don Umberto Sigolini. I ungji dalloi në të shenjat e para të thirrjes për rrugën e meshtarisë dhe e ndihmoi të hynte në Seminarin e Breshas.
Në seminar nuk është njëlloj, si në familje: rektori zëvendëson babain, zëvendës drejtori, mundohet të zëvendësojë sadopak nënën, e vëllezër janë shokët e klasës, që së bashku kanë hyrë në rrugën e meshtarisë. Po Fausti do t’i kapërcente të gjitha vështirësitë, i armatosur me idealin e madh: dëshirën për t’i shërbyer Zemrës së Krishtit.
Kur më 30 tetor të vitit 1924 u paraqit te porta e noviciatit të Jezuitëve, në Goricia, kishte mbushur 25 vjeç. Ishte shuguruar meshtar dy vjet më parë - më 9 korrik 1922; ishte lauruar në filozofi e teologji dhe kishte punuar një vit si mësues në Seminarin e madh të Breshas. Punonte dhe jetonte me moton e përvuajtur: “Gjithçka mund të bëjmë, e bëjmë për lavdinë e Zotit”.
Atë Fausti na la ditaret e tij, përmes të cilave mund të njohim hollësisht ndjenjat, mendimet, shqetësimet, luftën shpirtërore, dëshirën për t’i shërbyer sa më mirë Jezu Krishtit. Njohim hollësisht edhe ngjarjet e ditëve të tmerrshme të viteve 1945-1946, ditë martirizimi të klerit katolik, njëra nga të cilat – 4 marsi – do t’i jepte palmën e martirit ndër duar 3 prej meshtarëve nga më të devoçmit e më të aftët. Fragmente nga këto ditare u botuan në librin “Padre Fausti, Martir në Shqipni”, shkruar nga Armando Guideti, botuar në Romë, më 1974.
Për të zbuluar në mënyrë sa më të plotë personalitetin e Atë Gjon Faustit, jeta e tij në këtë libër përshkruhet duke nisur nga vdekja. Sepse vetëm duke u nisur nga vdekja, nga dita kur një plumb komunist e qëlloi në lule të ballit, mbas murit të varrezes katolike të Shkodrës, e duke përshkuar, pastaj, gjithë jetën e tij, mund t’i jepet pergjigje pyetjes: “A ishte Atë Fausti ai, që u përshkrua nga shtypi komunist si kriminel, thjesht për të përligjur arrestin, procesin, dënimin, pushkatimin? Apo ishte një Njeri krejt tjetër!”.
Atë Fausti erdhi në Shqipëri dy herë: herën e parë qëndroi nga viti 1928, deri në vitin 1932. U emërua profesor i filozofisë e i teologjisë në Seminarin Papnuer të Shkodrës. U ambjentua shpejt dhe fitoi respekt të thellë për gjithçka të mirë shqiptare. Me 1932 u kthye në Itali, i sëmurë rëndë. Pa mbaruar mirë mjekimet, u nis sërisht për Shqipëri, këtë radhë si Rektor i Kolegjit Saverian. Me 1944 u plagos nga nazi-fashistët, ndërsa mbronte popullin, që po dilte nga kisha e jezuitëve, në Tiranë.
U arrestua me 31 dhjetor 1946, doli para gjyqit më 30 janar 1946, u pushkatua më 4 mars 1946.
Procesi gjyqësor ishte tejet fyes dhe i padrejtë. Pa llogaritur sharjet nga ana e gjykatësve dhe prokurorit, që ranë si breshëri mbi kokat e të arrestuarve, kujtojmë se diskutimin kryesor, më të zjarrtin, ngarkuar me urrejtje dhe shpifje në adresë të klerikëve dhe besimtarëve katolikë, që kishte për qëllim të dehte sallën, e mbajti Kolë Jakova, duke nisur kështu, me këtë ‘kryevepër’, karrierën e tij letrare si një ndër dramaturgët, poetët dhe prozatorët më në zë të letërsisë enveriane të realizmit socialist. Kjo ishte vepra e tij e parë...
Ndërsa Atë Fausti i pati nisur ‘disi ndryshe’ hapat e para në rrugën e misionarit. Në ditarin e tij shkruan: “Mendimi për të shkuar si misionar, më lindi qysh në vitet e para të seminarit. Po më mundonte një dyshim: a ishte thirrje e vërtetë? Sepse një gjë është e sigurt: për t’ia dalë në krye një pune, nuk mjafton vullneti ynë. Mbi të gjitha është vullneti i Zotit. Shpresoj se në gjendjen time të sotme është Zoti, që më flet. Kam thënë gjithmonë, e sot më shumë se kurrë “ Më fol, o Zot!”.
Atë Fausti ishte njeri i ekuilibruar, bashkëbisedues i këndshëm, i kulturuar e i mëshirshëm. Kishte horizont të gjerë kulturor: njihte mirë gjuhët klasike e moderne; latinishten e greqishten e vjetër, frëngjishten, gjermanishten, nësa italishtja ishte gjuha amtare - e shqipja, si gjuhë e dytë amtare.
Misionari jezuit ishte në dijeni të të gjitha të rejave, që botoheshin në shtyp, jo për kuriozitet, por për të vlerësuar ngjarjet e jetës njerëzore. Në detyrën e tij si mësues e si edukator, ngulmonte për të vënë në jetë devotshmërinë ndaj Zemrës së Krishtit e dashurinë për gjithçka, që çon në përqafimin me fryt të Kryqit. Punonte për t’i drejtuar veprimtaritë e të rinjve drejt një ideali, përmes të cilit të lulëzonin individualitetet në të mirën e përbashkët të Kombit.
Atë Fausti ishte një nga nismëtarët e dialogut ndërfetar me myslimanët. Në lutjen e hartuar prej tij për këtë qëllim, shkruhet: “O Jezus, fjala e bërë njeri e Bir i Marisë, ne po të lutemi për ndjekësit e Islamit. Ata të njohin Ty si profet i të Madhit Zot, e nderojnë Nënën Tënde si Virgjëreshë të Papërlyer, që u zu për virtyt të Gjithëfuqisë Hyjnore. O Krisht! Edhe për ata u derdh në kryq gjaku yt i paçmueshëm. Për t’i çliruar prej mëkatit e për t’u hapur dyert e qiellit. O Jezus! Ndritua mendjet, që të mund të gjejnë, në Ungjillin Tënd e në Kishën e themeluar prej Teje, udhëheqjen drejt Dritës së pambaruar... Premto që zemra jote të jetë edhe për ta burim jete, e t’i bëjë bij të vërtetë të Zotit”...
Sesi u zhvillua gjyqi i Atë Giovanni Faustit, këtë do ta mësojmë prej një artikulli të gazetës “Bashkimi”, datë 12 shkurt 1946, me të cilin gazetari i ri, Androkli Kostallari, niste ‘karrierën’ si gjuhëtar i mirënjohur. Hapi i parë i kësaj karriere do të ishte mashtrimi i opinionit publik dhe justifikimi publicistik i një krimi të shëmtuar, që çoi në pushkatim tre meshtarë e disa laikë të pafajshëm. Dhjetra të tjerë i çoi për gjithë jetën në birucat e burgut – pa llogaritur perndjekjet nip stërnipi të kushedi sesa familjeve – gjë për të cilën komunistët ishin mjeshtër të vërtetë. S’ka shqiptar të cilit të mos i ketë ardhur në majë të hundës, 50 vjet rresht, kërkesa e permuajshme e biografisë, që dridhte edhe eshtrat e stërgjyshërve ndër varre. Të mjerët të vdekur! Më kot kërkonin pushim në paqe! Komunistët i thërrisnin pambarim nga bota e përtejme, që të jepnin llogari për fajet e mëkatet e tyre, atëherë kur këto faje e mëkate ua kishte falur edhe vetë Zoti.
Me 1942 Atë Fausti do të nisej në Shkodër, për të mos u larguar më nga dheu i shqiptarëve. Eshtrat e tij s’do të pushonin kurrë në tokë amtare. Ato u përzjenë, në mënyrë të pandashme, me eshtrat e Martirëve të tjerë të Kishës Shqiptare.
Nësa trupi i Atë Faustit kalbej, pa shenjë kryqi e pa emër, në tokën e rrafshuar, Bashkësia Famullitare e Brokos e pagëzonte me emrin e Tij shkollën e qytetit, ku pa dritën së pari.
Mbi pllakën përkujtimore, që u vendos tek hyrja e shkollës, shkruhet: “Atë Giovanni Faustit, Klerik Jezuit, rënë dëshmor feje në Shkodër të Shqipërisë më 04. 03. 1946... në përvjetorin e 20-të të flijimit, Administrata Komunale dhe gjithë popullata, ia kushton këtë ndertesë, në të cilën do të edukohen breznitë e reja”.
Në letrën, që Provinciali i Jezuitëve i dërgon, më 3 dhjetor 1991, misionit jezuit shqiptar të rimëkëmbur, shkruhet: “…e kam fjalën për martirizimin e Pater Faustit e të Pater Dajanit e të sa e sa shembujve, që dhanë jezuitët në mbrojtje të fesë –shembuj, që na bëjnë ta shikojmë plot shpresë të ardhmen...!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.