2014-04-01 16:52:43

Veprimtaritë para kanonizimit të Gjon Palit II dhe Gjonit XXIII. Nuk ka nevojë për bileta


U mbajt dje, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, konferenca e paraqitjes së udhës drejt kanonizimit të të Lumëve Gjon Pali II dhe Gjoni XXIII, më 27 prill. Një mbrëmje me lutje, gjatë natës, para kremtimit, do të mbahet në të gjitha famullitë e Romës, ndërsa më 22 prill, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, do të mblidhen të rinjtë së bashku me postulatorët e Çështjeve të shenjtërimit të të dy papëve. “Një festë e vërtetë feje”, tha zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, duke ia dhënë fjalën kardinalit Agostino Valini, vikar i dioqezës së Romës: RealAudioMP3
“Në thelb, është mesazh shpirtëror, sepse festë e shenjtërimit. Marrëdhëniet që kanë pasur Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II me Kishën e Romës, ipeshkvij të së cilës ishin, janë marrëdhënie shumë të ngushta, duke filluar nga stili me të cilin e ushtronin shërbimin e tyre; një stil afërsie, mikpritjeje, kujdesi për njerëzit, për njeriun e vërtetë, si të tillë”.
Kardinali Valini i ftoi të gjithë ta jetojnë me përshpirtëri, kohën që na ndan nga dita e shenjtërimeve:
“Kanonizimet janë hir i Zotit, që Hyji na e jep duke na dhuruar si model jete të krishterë, dy njerëz të fesë. E atëherë, të përpiqemi ta përshkojmë këtë shteg, udhë e një përshpirtërie më intensive. Do të thosha se këto janë ndjenjat me të cilat përgatitemi për këtë ngjarje”.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i Kuries së Bergamos, imzot Xhulio Delavite, nënvizoi se Kisha, nga vjen Papa Ronkali, do të privohet nga disa pasuri për t’i përdorur të ardhurat për bamirësi, në këtë çast hiri. Do të realizohen projekte në Haiti, në Shqipëri (në Shëngjin) e në vetë Bergamo. Gjithashtu, 900 meshtarët bergamaskë do të dhurojnë të ardhurat e një muaji për një fond, që ndihmon njerëzit pa punë.
Ndërkaq, për Zyrën e Komunikimeve Shoqërore të dioqezës së Romës, foli imzot Valter Insero, i cili i ftoi gazetarët dhe besimtarët të ndjekin portalin “2papisanti.org” në gjuhë të ndryshme dhe faqen në Twitter “@2popesaints”. Shenjtërimet do të mund të ndiqen edhe në Youtube e në Facebook. Gjatë ditëve të ardhshme, do të jetë gati aplikimi (“app” për Smartphone) “Santo Subito” (Shenjt menjëherë) kushtuar Karol Vojtilës. Atë Lombardi sqaroi se nuk dihet sa besimtarë do të jenë të pranishëm, por të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë në meshën, që – po e kujtojmë – do të kremtohet të dielën, më 27 prill, në orën 10.00. Biletat për të hyrë në Sheshin e Shën Pjetrit nuk do të jenë të nevojshme:
“…besimtarët, pa bileta, do të mbushin Sheshin, Udhën e Pajtimit… Kush mbërrin ndihmon, merr pjesë, por nuk parashikohen bileta. Mos ia kërkoni Prefekturës, sepse nuk do të ketë”.
Mesha, vazhdoi më tej atë Lombardi, do të kremtohet në tremen e Bazilikës, përgatitur më parë nga Përdëllesa e kënduar, pra, nga thënia e Rruzares së Mëshirës Hyjnore, me leximin e teksteve të të dy papëve. Bashkëkremtuesit e meshës do të jenë rreth njëmijë, ndërsa 700 meshtarë do të japin Sakramentin e Kungimit në Sheshin e Shën Pjetrit. I pyetur nëse do të jetë në shesh Papa i nderit, Benedikti XVI, zëdhënësi i Vatikanit u përgjigj:
“Është e qartë që pritet. Është normale të jetë i ftuar, por mungon akoma një muaj. Duhet të shohim pastaj nëse dëshiron dhe a mundet të jetë i pranishëm në një rrethanë kaq të lodhshme. Prandaj, le ta konsiderojmë si mundësi, por nuk ka asnjë siguri e asnjë impenjim nga ana e Benediktit XVI për një hark kohor kaq të madh”.
Sixhadet me fytyrat e dy papëve do të jenë po ato, që janë përdorur gjatë lumnimit. I njëjtë do të jetë relikuari i Gjon Palit II, ndërsa do të realizohet një tjetër, i ngjashëm, për Gjonin XXIII. Në kremtim, informoi atë Lombardi, do të jenë të pranishme dy gratë, për të cilat ka ndërmjetësuar pranë Zotit, Karol Vojtila, duke bërë mrekullitë, që i njihen për shenjtërimin. Pas meshës, besimtarët mund të nderojnë varret e dy shenjtorëve. Të hënën, më 28 prill, kardinali Anxhelo Komastri do të kremtojë meshën e falenderimit, gjithnjë në Sheshin e Shën Pjetrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.