2014-03-31 12:42:07

“Zjarri i mëshirës”: nisma e lutjes, në Poloni, për Gjon Palin II


Duke u përgatitur për shenjtërimin e Gjon Palit II, polakët do të mblidhen në lutje rreth “Zjarrit të mëshirës”, nismë e fondacionit “Vepra e mijëvjeçarit të ri”, me kryetar kardinalin Stanislaw Dziwisz, kryeipeshkëv i Krakovës dhe sekretar personal i Wojtylës për 40 vjet. Dje – njofton agjencia Sir – në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore, në Lagiewniki, iu dorëzuan presidentit polak Bronislaw Komorowski dhe përfaqësuesve të autoriteteve të tjera shtetërore e shoqërore “shkëndijat e mëshirës”, për t’i çuar nëpër kisha të ndryshme, nëpër shtëpi dhe nëpër zyrat e të gjithë vendit. Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore Polake, Imzot Wojciech Polak, i cili e paraqiti këtë nismë, uroi që besimtarët ta përjetojnë në mënyrë “krijuese” periudhën që na ndan nga shenjtërimi i të Lumëve Wojtyla e Roncalli. “Le të përgatitemi, gjatë kësaj kohe, për këtë ngjarje me rëndësi shoqërore, e cila është, mbi të gjitha, ngjarje e madhe e fesë dhe takim me shenjtërinë konkrete të shprehur në jetën dhe në shërbimin e Gjon Palit II”.








All the contents on this site are copyrighted ©.