2014-03-31 12:41:35

Thirrje e Papës për Sirinë: nevojitet më shumë humanitet! Imzot Zenari: konflikt i harruar


Papa Françesku priti sot paradite në Vatikan, imzot Mario Zenarin, nunc apostolik në Damask, i cili i foli për gjendjen dramatike, që vazhdon të përjetojë popullsia në Siri. Në vend vazhdojnë luftimet ndërmjet kryengritësve dhe trupave qeveritare, ndërsa i dërguari i OKB-së, Lakhdar Brahimi, i shkurajuar nga rezultatet e bisedimeve, ka ndërmend të japë dorëheqjen. Për takimin e Atit të Shenjtë me imzot Zenarin, të dëgjojmë këtë të fundit, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Mundësia për t’u takuar me Atin e Shenjtë është ngjarje e jashtëzakonshme, sidomos shpirtërore për kë e ka këtë privilegj. Sidomos për një nunc, që vjen nga një vend i martirizuar, në luftë që prej 3 vjetësh. I solla Papës Françesku ankthet, vuajtjet dhe shpresat e një kombi të tërë. Vështirë të përshkruhet emocioni i këtij takimi, që zgjati rreth gjysëm ore. Është vërtet diçka prekëse, s’mund të shpjegohet.
Cilat janë shqetësimet e shpresat e Papës për Sirinë?
E dija, se Papa i ndjek dhe i ka në zemër këto vuajtje, por pata prova të reja për këtë. Është gjendje, për të cilën informohet rregullisht. Erdha tek ai, ngaqë vërej se në nivelin ndërkombëtar, ashtu si për raste të ngjashme, edhe konflikti i Sirisë po harrohet. Të vjen keq, kur sheh kaq vuajtje, jo vetëm të disave, por të gjithë kombit: kjo dramë po harrohet. Mora guxim, kur pashë se Ati i Shenjtë e kishte për zemër gjendjen e popullit. Më ngarkoi t’u çoj njerëzve, pa dallim, afërsinë e tij, të krishterëve e gjithë popullsisë. Të gjithë e admirojnë Papën, si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, si qytetarët e thjeshtë, ashtu edhe autoritetet. Do të kthehem në shtëpi me ngarkesën e simpatisë e të solidaritetit, që më dha Ati i Shenjtë për gjithë popullsinë, e cila vuan këtë dramë të tmerrshme.
Si e shihni gjendjen në Siri?
Është periudhë shumë, shumë delikate dhe kritike. Vështirë të thuash gjë. Mendoj se duhet të lutemi për ndihmën e Zotit, që të na kursehen vuajtjet.
A dëshironi të bëni një thirrje përmes Radio Vatikanit?
Që të reagojnë ndaj thirrjes së Papës për më shumë humanitet, të cilin do ta marr me vete në Siri, pas disa ditësh. Kjo thirrje dëshiroj të dëgjohet.








All the contents on this site are copyrighted ©.