2014-03-31 16:11:42

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Atë Gaspër Suma


Atë Gaspër Suma (Shkodër, 23. 03. 1897- Shkodër, 14. 04. 1950) rregulltar, pinjoll i familjes së shquar të Sumejve, sulmuar rreptësisht nga komunistët.RealAudioMP3

Arma e Fratit

I lindur në Shkodër, shkollën fillore e të mesme i kreu ndër françeskanë, në Qytetin e Veriut; teologjinë, në Insbruk(Austri). U shugurua meshtar më 31 korrik 1921 dhe shërbeu gjithnjë në zona të vështira malore: Perkash (1923-1924) Nikaj (1927-1931), Toplanë (1932), Theth (1943), Hot (1943-1946), Gomsiqe (1946-1947).
U arrestua më 9 maj 1947 dhe u dënua, pa asnjë faj, me katër vjet heqje lirie. Vdiq në burgun e madh të Shkodrës më 14 prill 1950. Emri i tij mbeti gjatë në harresë, pastaj u riduk me lumni në listën e 40 martirëve, viktima të diktaturës. Portretin e Fratit mund ta pikturojmë me dy penelatat, që pati përdorur Konica, kur e njohu, në gjirin e familjes famëmadhe të Sumejve. Njeri i përvuajtur, me shpirt të madh, ai ishte “Një lartësi e përulur”. Shtatgjatë, me flokë të bardhë, ndonëse i ri në moshë, e me humor tejet të hollë, e kaloi gjithë jetën “me armë në brez”. Armë për të cilën tregonte gjithfarë episodesh humoristike. Ndër të tjera, historinë e arrestimit, në kuvendin françeskan të Vjenës. “Isha në kokërr të gjumit, kallëzonte, kur tre policë, me rrëmbim, hynë në dhomën teme e, me armë drejtue nga unë, bërtitën të madhe: ‘Alt! Duert nalt!’. Çova duert nalt. Atëhere, njeni nga ata më erdhi te shtrati e më bërtiti me të madhe: ‘Mos luej! Trego ku e ke armën!’. Kur i thashë se nuk kisha, polici ma i fuqishëm më kapi për krahu e më uli në krevat. Në mes të shtrojes, pashë rruzaren. E mora dhe i thashë: ‘Vetëm kjo asht arma jeme!’... Ishte ora 3.00 kur më çuen në polici. Një oficer më pyeti për lidhjet me Angjelin Sumën, që ishte i arratisun nga Shqipnia. ‘E kam vëlla’, i gjegja.
Atëhere më dorëzoi rruzaren, që ma kishin marrë, tue më kujtue se u kisha thanë policëve: kjo asht arma jeme”.
- Asht e vërtetë – ia drodha.
- Domethanë nuk deshte me u tallë me policin? Ai asht fye - më tha.
- Nuk kam pasë pse ta fyej e po m’vjen keq qi ai e ka kuptue kështu.
- Po ku e ke mësue gjermanishten, që po e flitke kaq mirë mirë? - më pyeti.
- Këtu, në Austri, kam krye studimet e filozofisë dhe të teologjisë.
Atëhere ai u çue në kambë e më dha dorën, tue më sigurue se do të më lironin mbrenda dite, në rasë se nuk do delte ndonji dishmi tjetër.
Mbas nja tri orësh po hyn në qeli ai polici, qi më kishte ba kontrollin.
- Eja me mue se do të shoqnoj deri në kuvendin e françeskanëve, më tha e shtoi: - Të kërkoj ndjesë për shqetësimin, por detyra asht detyrë!
Rrugës u tregue shumë i dashtun dhe më kërkoi t’i falja, si kujtim, rruzaren, që ma kishte marrë.
- Po ti a nuk e di se arma nuk dorëzohet? – i thashë, nësa e nxirrshe rruzaren prej xhepit, për t’ia vu në qafë. Ai më puthi gati tuj kja. Prej tij mësova se Ahmet Zogut i kishin ba atentat e se policia austriake atë natë kishte arrestue të gjithë shqiptarët…”.
Ky është episodi i parë i “armës së Fratit”, dorëzuar në rrethana kaq lojcake, në Vjenë.
Episodi i dytë është shumë më pak komik, siç ishte gjithë jeta, kur Frati i Sumejve provoi birucën e burgut komunist.

E kishin sjellë në dhomën tonë si të sëmurë, kujton bashkëvuajtësi, Lekë Harapi-Parubi. Në ato ditë më kishin hy, me ushqime, nji palë uratë. Me i dorëzue m’u duk ligështi. Me i mbajtë kisha frikë. Ia tregova shokëve e At Gaspër Suma më tha: ‘Nëse keni frikë me i mbajtë, m’i jepni mue dhe po ju falenderoj njëmijë herë, sepse kam 18 muej qi nuk i kam prekë me dorë’ . Vazhdoi me ngulë kambë e unë ia dhashë, por nuk fjeta rahat për shumë kohë, ndërsa ai, aty pranë meje, më përshpëriste në vesh, tue ba me gisht nga vendi ku e kishte mshehë rruzaren: ‘Tashti jam përsëri i armatosun!”.

Martir feje e demokracie, provoi dhimbjen pakufi të sëmundjes së tumorit në kokë e të dhunës njerëzore, gjithnjë i armatosur me “armën e Fratit”, pa u përkulur, pa i flijuar idealet, pa u ligështuar, pa e njollosur kurrë shpirtin. Eshtrat e tij pushojnë në Kriptë të Kishës Françeskane të Gjuhadolit. Gjithnjë “me armë në brez”! 1

1 Cfr Terezina Suma, Medicinae Doctor, FAMILJA SUMA: Histori, Etikë, Traditë, Florimont 2003, fq 83-86








All the contents on this site are copyrighted ©.