2014-03-30 16:04:58

Papa në Engjëllin e Tënzot: nuk duhet të mbetemi të verbër, por t’ia hapim sytë e shpirtit, dritës së Zotit


Të mos mbetemi të verbër në shpirt, por t’ia hapim Zotit zemrën, për të hyrë drita e Tij e hiri i Tij. Është thirrja e Papës sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në festë, mbushur plot e përplot me një turmë gazmore, shumëngjyrshe. Më se 50 mijë besimtarë, shtegtarë e turistë e ndoqën Atin e Shenjtë, këtë të diel të katërt të Krezhmëve, kur Ungjilli i Gjonit na paraqet figurën e lypësit të verbër që në lindje.RealAudioMP3

Jeta jonë nganjëherë i ngjet asaj të të verbërit, që ia hapi shpirtin dritës, Zotit, e hirit të Tij. Por nganjëherë, për fat të keq, është pakëz si ajo e doktorëve të ligjit, farizenjve, që vijojnë të jetojnë zhyt-mbyt në verbëri shpirtërore. Nga majat e mendjemadhësisë sonë ne jemi në gjendje t’i gjykojmë të tjerët, madje edhe vetë Zotin, reflektoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke e marrë shtytjen nga episodi ungjillor i njeriut, që kishte lindur i verbër, të cilit Jezusi ia kthen dritën e syve. Në fund, i verbëri, i shëruar, fiton edhe fenë. E ky, nënvizoi Papa, është hiri më i madh, që i dhuron Krishti: “Njeriu, që iu hapën sytë, shikon Atë, që është drita e botës. Dhe e njeh”:
“Sot na drejtohet ftesa t’ia hapim zemrat dritës së Krishtit, për të jetuar një jetë të ngarkuar me fryte, për të zhdukur çdo sjellje, që nuk është e krishterë, për të ecur vendosmërisht në rrugën e shenjtërisë”.
Episodi i njeriut, lindur i verbër, shtoi Papa, na bën të shikojmë dramën e verbërisë shpirtërore të shumë e shumë njerëzve, edhe tonën, na çon përsëri tek Pagëzimi:
“Në Pagëzim ne u ndriçuam që, siç e kujton Shën Pali, të mund të sillemi ‘si bij të dritës’ , me përvujtëri, durim, mëshirë”.
E pra ne të gjithë, nënvizoi Ati i Shenjtë, nganjëherë sillemi si të mos ishim të krishterë, por mëkatarë:
“Shpesh herë një vepër e mirë, vepër dashurie të krishterë, nxit thashetheme, diskutime, sepse ka edhe nga ata, që nuk duan ta shikojnë të vërtetën”.
Shën Gjoni Ungjilltar, kujtoi Papa, dëshiron të tërheqë vëmendjen pikërisht mbi atë, që ndodh edhe në ditët tona:
“Duhet të pendohemi për këto sjellje e t’i shlyejmë nga jeta jonë, për të ecur vendosmërisht në udhën e shenjtërisë”.
Prej këndej, Papa i këshilloi të gjithë ta rilexojnë Kapitullin e nëntë të Ungjillit të Gjonit:
“Do t’ju bëjë mirë, sepse kështu do të shikoni udhën, që çon nga verbëria, në dritë; po edhe udhën tjetër të keqe, drejt një verbërie edhe më të thellë. E duhet të pyesim: si është zemra jonë? Si është zemra ime, jotja, zemra e të gjithëve? E hapur, apo e mbyllur? E hapur apo e mbyllur për Zotin? Për të afërmin? E kemi gjithnjë në shpirt ndonjë mbyllje, të lindur nga mëkati, të lindur nga gabimet, nga fajet: por nuk duhet të kemi frikë, nuk duhet! T’ia hapim zemrën dritës së Zotit: Ai na pret gjithnjë. Na pret. Për të na dhuruar hirin që të shikojmë më mirë, për të na dhënë më shumë dritë, për të na falur. Mos e harroni këtë. Ai na pret gjithnjë”.
Në përfundim Papa ia besoi Virgjërës Mari udhën krezhmore, që edhe ne, si i verbëri i shëruar, me hirin e Krishtit, të mund të dalim në dritë, të rilindim për një jetë të re.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti besimtarët e pranishëm, ndërmjet të cilëve, ushtarakët italianë, në përfundim të shtegtimit të tyre, në këmbë, nga Loreto në Romë, duke u lutur për zgjidhje paqësore të të gjitha grindjeve, sherreve e konflikteve:
Kjo është shumë e bukur: Jezusi, në Lumnitë, thotë se janë të lum ata, që punojnë për paqen”.
Papa përshëndeti edhe përfaqësuesit e Wwf-Italia, duke i inkurajuar në impenjimin e tyre për mbrojtjen e ambientit.








All the contents on this site are copyrighted ©.