2014-03-30 12:58:41

Krishti, dritë në errësirën tonë


Leximi i parë (1 Sam 16,1.4.6-7.10-13)
Zoti i tha Samuelit: “Deri kur do ta qash Saulin pasi unë e flaka tej që të mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj e eja të të çoj tek Isai betlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij”. Samueli bëri siç i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem.
Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: “S’ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij”. Por Zoti i tha Samuelit:”Mos e shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën”.
Kështu Isai i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Isait: “Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin”.
Samueli i tha përsëri Isait: “A janë vetëm këta bijtë e tu”? Ai iu përgjigj: “Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet”. Samueli i tha Isait: “Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa të vijë ai këtu”. Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: “Çohu e lyeje, sepse ky është”.
Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi mes vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej asaj dite e më tutje. Samueli u ngrit e shkoi në Ramë.

Nga Psalmi 23 (22)
Ref. Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon
Më pushon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.

Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.

Leximi i dytë (Ef 5, 8-14)

Po, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës. Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta - vendosni të bëni çka i pëlqen Hyjit! Mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi, më mirë zbulojini! Sepse veprat që këta njerëz i bëjnë fshehtazi është turp edhe të fliten! E çdo gjë që zbulohet, del në dritën e vet të vërtetë, sepse çdo gjë që është e zbuluar, është dritë. Prandaj thotë: ‘Zgjohu ti që fle,ngrihu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti!’

Ungjilli (Gjn 9,1-41)

Duke kaluar rrugës pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër. Nxënësit e tij e pyetën: “Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që lindi i verbër?”. “Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij - u përgjigj Jezusi - por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit. Derisa të jetë ditë na duhet t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi. Po vjen nata, kur askush s’mund të punojë. Derisa të jem në botë, jam drita e botës.”
Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë; I dërguari)”. Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte.
Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin: “Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?”. “Ai është” - thoshin disa. “Jo, por është një që i përngjan atij - thoshin disa të tjerë. Ai vetë thoshte: “Unë jam”. Atëherë i thanë: “Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?” Ai u përgjigj: “Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.” “Ku është ai?” - i thanë. “Nuk di” - u përgjigj. Farisenjtë e pyesin të verbërin si u shërua.
Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve. Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve. Ky u përgjigj: “Më vuri baltë në sy, unë u lava - dhe, ja, tani shoh!” Atëherë disa prej farisenjve thanë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!” Por disa të tjerë thoshin: “Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?” Dhe u bë përçarje ndër ta. Pastaj e pyetën prapë të verbërin: “E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?” “Është profet” - iu përgjigj.
Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbër dhe se iu shëruan sytë, derisa thirrën prindërit e atij që u shërua, dhe i pyetën: “A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?”
Atëherë prindërit e tij u përgjigjën: “E dimë se ky është djali ynë dhe se lindi i verbër. Si sheh tani, nuk e dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyetni atë: është njeri i rritur, ai do t’ju tregojë për vete.”
Prindërit e tij folën kështu, sepse i druanin judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që Jezusin do ta dëshmonte për Mesi. Për këtë arsye u përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’
Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!” “A është mëkatar - u përgjigj - s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!”
Atëherë ata i thanë: “Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?” “Tashti ju thashë ‑ u përgjigj ‑ e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?”
Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin: “Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut! Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej nga është!”
“Pikërisht kjo gjë është e çuditshme - u përgjigj njeriu - ju s’dini as prej nga është, e mua më dha dritën e syve! E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe e kryen vullnetin e tij! Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia ka dhënë të pamit e syve të verbërit që lindi i verbër! Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!”
“Që kur linde, s’je tjetër veç mëkat - iu përgjigjën - e ti po na mëson!?” Dhe e hodhën përjashta.
Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha: “A beson ti në Birin e njeriut?” Ai iu përgjigj: “Po kush është ai, Zotëri, që të besoj në Të?” “E pe - i tha Jezusi - Është ai që po flet me ty!” Ai tha: “Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij. Jezusi i tha: “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin!”
Disa prej farisenjve që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë: “Vallë, a thua edhe ne jemi të verbër?” Jezusi u përgjigj: “Po të ishit të verbër, s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet.”


Krishti, dritë në errësirën tonë

Kur lind një fëmijë, përdoret një shprehje, që thotë: “doli në dritë”. Ky kalim bën të mundur vijimësinë e jetës. Kur dikush vdes, thuhet “u shua”. Është domethënëse që gjuha e përbashkët e njëjtëson jetën me dritën dhe vdekjen me errësirën. Drita dhe errësira shprehin simbolikisht gjendjen njerëzore me kundërshtitë e saj: jo vetëm jetë-vdekje, por edhe vërtetësi-gënjeshtër, drejtësi-padrejtësi. Vetë ndërrimi kozmik i ditës me natën tregon rëndësinë themelore të marrëdhënies dritë-errësirë. E mbështjellë me errësirë, bota e humb rëndësinë e vet, gjërat nuk kanë hir as ngjyrë, njeriu është i verbër, lëndor, i mbërthyer nga ndjenja therëse e vetmisë, e bjerrjes, e frikës. Vezullimi i parë e rizgjon jetën, gëzimin dhe shpresën.

Nga errësira në Dritë

Në ungjillin e sotëm vihen përballë njëra-tjetrës drita dhe errësira. Njeriu i prekur nga verbëria e pashërueshme, i mënjanuar nga shoqëria dhe feja është personifikimi simbolik i gjendjes mëkatare në të cilën është njeriu i pandriçuar nga Krishti. Vetëm takimi me Krishtin, Drita e botës, drita “që ndriçon çdo njeri” (Gjn 1,9) – e heq perden nga sytë, e ripërtërin njeriun, ia kthen tërë dinjitetin, e lejon të pikasë shkëlqimin e gjërave dhe shijen e re të jetës.
Tregimi ungjillor i njeriut që “u lind i verbër” është interpretuar gjithmonë në perspektivën e pagëzimit. Pagëzimi është pishina jonë e Siloesë, kalimi nga errësira në dritë, çasti i përndritjes. Që në kohët apostolike i pagëzuari quhej i përndritur (shih Heb 6,4; 10,32), mbiemër që shprehte gjendjen e tij të re. Të bashkohesh me Krishtin-Dritë do të thotë të bëhesh i aftë të shohësh realitetin e Hyjit, misterin e njeriut dhe të historisë me sy të rinj; do të thotë të marrësh mendësinë e fesë, duke përvetësuar si kriter vlerësimi dhe vendimmarrjeje logjikën e Ungjillit. I pagëzuari hyn në zonën dritëplotë të Krishtit-Dritë, që e bën “ta shohë historinë si Ai, ta gjykojë jetën si Ai, të zgjedhë e të dojë si Ai, të shpresojë siç mëson Ai, të jetojë nëpërmjet Tij bashkësinë me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë” (Përtëritja e katekezës, 38. Shih: Catechesi tradendae, 20). Ky synim nuk përmbushet asnjëherë plotësisht. Mbeten gjithmonë zona të errëta, të padepërtueshme nga drita. Shtresa e trashë e errësirës së historisë, ngjarjet dramatike në të cilat përfshihet i krishteri, dëshira për mirëqenie mund ta rrëgjojnë dritën në një fitil tymues.
Aq më tepër kur feja sjell përplasjen me frymën dhe logjikën e botës. Tregimi i njeriut që kishte lindur i verbër është domethënës në këtë drejtim: prindërit kanë frikë përplasjen me pushtetarët, stepen nga frika e judenjve dhe e masave që ata do të merrnin; por biri i tyre bëhet guximtar dhe provokues kundrejt bashkëbiseduesve të tij të zymtë, të cilët, për shkak të mendjemadhësisë, shndërrohen mirëfilli në të verbër.

“Jetoni si bij të dritës”

Të zgjedhur nga Hyji krejtësisht falas, të pagëzuarit marrin shugurimin mbretëror të Shpirtit, që depërton tërë qenien (leximi i parë) dhe jep përndritjen e fesë. Asambleja e shpreh në këtë mënyrë vetëdijen e këtij realiteti: “Në misterin e mishërimit (Krishti) u bë udhëzuesi i njeriut, që ecte në errësirë, për t’i prirë drejt dritës së madhe të fesë” (prefaci). “Dikur ishit errësirë, tani jeni dritë në Zotin. Silluni, prandaj, si bijtë e dritës...” (leximi i dytë). Ndryshimi i gjendjes mbart me vete detyrimin për të shfaqur me jetë risinë që sjell pagëzimi. Vetë kremtimi eukaristik është përndritje e re, sepse është bashkim jetik me Atë që është Drita: “shkova, u lava dhe tani shoh” (kthesa e kungimit). Të jesh dritë në Zotin do të thotë të jesh edhe burim i dritës, të prodhosh ato fryte që Pali i sheh “tek çdo mirësi, drejtësi dhe vërtetësi” (leximi i dytë)

Si duhet të jetë prania e krishterë në botë?

Në një botë në të cilën dhuna, konflikti, rivaliteti dhe gënjeshtra duket se kanë epërsinë, prania e të krishterëve përbën forcën e shenjës së kundërshtimit, e cila i padit veprat vdekjeprurëse. Mirësia është jeta me dashuri, mikpritje, gatishmëri dhe falje. Drejtësia është ndershmëri, sjellje e drejtë, pranim i vullnetit të Zotit. E vërteta është pranim i Ungjillit dhe i kritereve të tij, mundësia për të qenë të lirë nga gënjeshtra e mëkatit dhe nga skllavëria. Errësira është e paaftë të “prodhojë”, mundet vetëm të “veprojë”, por vepra e saj është shterpë.
A janë me të vërtetë familja dhe bashkësia e krishterë vendet ku shfaqet drita, ku edukohemi në fe dhe në vlerat e saj? Nëse Fjala e Zotit na padit, ajo na ndihmon edhe për t’u bërë sërish të vetëdijshëm për çfarë jemi dhe çfarë duhet të jemi.

Krishti, rruga për tek drita, e vërteta dhe jeta
(Nga “Trajtesat përreth Gjonit” të Shën Agostinit, ipeshkëv)

Zoti, në mënyrë të përmbledhur, ka thënë: “Unë jam drita e botës; kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gj 8,12), dhe me këto fjalë urdhëron një gjë dhe premton një tjetër. Të përpiqemi, pra, të zbatojmë çfarë na urdhëron, sepse përndryshe do të ishim të paturp dhe të pafytyrë nëse di t’i kërkonim çfarë na ka premtuar, pa përmendur se, kur të na gjykojë, do të dëgjojmë këtë qortim: A ke zbatuar çfarë të kam urdhëruar, që të kërkosh tani çfarë të kam premtuar? Çfarë ke urdhëruar, atëherë, o Zot Hyji ynë? Do të të përgjigjet: që ti të vish pas meje.
Ka urdhëruar një këshillë jete. Të cilës jetë, përveçse asaj për të cilën është thënë: “Në ty është burimi i jetës”? (Ps 35,10).
Prandaj, të vihemi në punë menjëherë, ta ndjekim Zotin: t’i këpusim vargonjtë që na pengojnë ta ndjekim. Por, kush mund t’i thyejë këta vargonj, nëse nuk na ndihmon ai për të cilin qe thënë: “I këpute vargonjtë e mi”? (Ps 115,16). Për të një tjetër Psalm thotë: “Zoti i liron të burgosurit, Zoti e ngre të rrëzuarin” (Ps 145,7.8). Çfarë ndjekin ata që janë liruar dhe ringritur, përveçse dritën, për të cilën dëgjojnë t’u thuhet: “Unë jam drita e botës; kush vjen pas meje nuk ecën në errësirë”? (Gj 8,12). Po, sepse Zoti ua hap sytë të verbërve. O vëllezër, tani sytë tanë janë mjekuar me vajin e fesë. Në fillim, në të vërtetë, përzjeu pështymën e vet me dheun, për të lyer atë që kishte lindur i verbër. Edhe ne kemi lindur të verbër prej Adamit dhe kemi nevojë që ai të na ndriçojë. Ai përzjeu pështymën me dheun: “Fjala u bë njeri dhe erdhi për të banuar mes nesh” (Gj 1,14). Përzjeu pështymën me dheun, sepse kështu kishte qenë parashikuar: “E vërteta do të mbijë nga dheu” (Ps 84,12) dhe ai thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gj 14,6).
Do ta shijojmë të vërtetën, kur ta shohim ballë për ballë, sepse edhe kjo gjë na është premtuar. Kush do të guxonte të shpresonte diçka të cilën Hyji nuk do të ishte denjuar ta premtonte apo ta jepte?
Do ta shohim ballë për ballë. Apostulli thotë: Tani njohim në mënyrë të paplotë; tani shohim si në pasqyrë, vagëllimthi; por atëherë do të shohim ballë për ballë (shih 1 Kor, 13,12). Dhe Apostulli Gjon, në letrën e tij, shton: “Fort të dashur, ne që tani jemi bij të Hyjit, por çfarë do të jemi nuk është zbuluar ende. Megjithatë, e dimë se, kur ai të shfaqet, ne do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim ashtu siç është” (1 Gj 3,2). Ky është premtimi i madh.
Nëse e do, shko pas tij. Ti thua: e dua, në cilën udhë duhet ta ndjek? Nëse Zoti Hyji yt do të të kishte thënë: unë jam e vërteta dhe jeta, ti, duke dëshiruar të vërtetën dhe duke u djegur për jetë, do ta kërkoje me siguri udhën për të arritur tek njëra dhe tek tjetra. Do të thoshe me vete: gjë e madhe është e vërteta, e mirë e madhe është jeta. Ah, sikur shpirti im ta gjente rrugën për t’i arritur!
Ti po kërkon udhën? Dëgjoje Zotin, që të thotë pikë së pari: Unë jam udha. Para se të të thotë ku duhet të shkosh, të ka treguar nga duhet të kalosh: “Unë jam” – thotë “udha”! Udha për ku? Për tek e vërteta dhe jeta. Në fillim të tregon udhën që duhet të marrësh, pastaj pikëmbërritjen. “Unë jam udha, unë jam e vërteta, unë jam jeta”. Kur ishte pranë Atit ishte e vërteta dhe jeta. Kur u vesh me mishin tonë, u bë udha.
Nuk po të thuhet: duhet të lodhesh për të gjetur udhën që të çon tek e vërteta dhe tek jeta. Nuk po të thuhet kështu. Përtac, çohu! Vetë udha erdhi tek ti dhe të ka zgjuar nga gjumi, nëse me të vërtetë të ka zgjuar. Çohu dhe ec!
Ndoshta ti përpiqesh të ecësh, por nuk mundesh, sepse të dhembin këmbët. Pse të dhembin? Sepse u është dashur të përshkojnë shtigjet e ashpra ku i kanë detyruar të ecin egoizmat e tu? Por, Fjala e Hyjit ka shëruar edhe të çalët.








All the contents on this site are copyrighted ©.