2014-03-30 12:51:54

Ati i Shenjtë u takua me shurdhmemecët


Sot, Papa Françesku tha lutjen e Engjëllit të Tënzot me besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërsa dje, priti në audiencë në Sallën e Palit VI në Vatikan, Misionin e Vogël për Shurdhmemecët. Mëse 6000 pjesëmarrës nga e gjithë Italia, por edhe përfaqësues nga Brazili, Argjentina, Gjermania, Spanja, Amerika, Anglia dhe Malta. Takimi filloi në orën 8.30, me lutje. Më pas, dëshmia e shurdhmemecëve dhe të atyre, që nuk shohin, të Lëvizjes Apostolike të të Verbërve. Në orën 10.00, mbërritja e Papës Françesku, që mbajti një katekizëm për të pranishmit.
Misioni i Vogël për Shurdhmemecët është themeluar në Bolonja, në vitin 1849, nga Shërbëtori i Zotit, imzot Giuseppe Gualandi (1826-1907). Ai është i pranishëm në Itali, Brazil dhe në Filipine. Pas Pashkëve, do të hapet edhe një bashkësi tjetër në Butembo të Republikës Demokratike të Kongos. Qëllimi i misionit është të ungjillëzojë shurdhmemecët dhe të ndihmojë në intergimin e tyre në shoqëri.

Po në këtë rrjedhë, u mbajt dje e sot edicioni XIII i Ditës Italiane të UNITALSI-t (Bashkimi Kombëtar Italian i Transportit të të Sëmurëve në Lurdë dhe në Shenjtëroret Ndërkombëtare). Vullnetarët e shoqatës qenë të pranishëm në sheshet kryesore të vendit, duke dhuruar një filiz ulliri për një kontribut prej 10 eurosh. Shuma do të shërbejë për të financuar projektet e veprimtaritë e shoqatës, e cila që prej 110 vjetësh, ndihmon njerëzit me aftësi të kufizuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.