Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët,
sot, Atë Çiprian Nikaj
Atë Çiprian Nikaj(Shkodër, 19. 07. 1900 – Shkodër, 11. 03. 1948) françeskan,
me studime kryer në Shkodër e Austri, shuguruar meshtar në Romë, më 25. 07. 1924;
provinçial i françeskanëve ndërmjet viteve 1938-1941, guardian i Kuvendit Françeskan
nga viti 1944 deri në vdekje, e përfundoi shtegtimin në këtë botë nën peshën e akuzës
së rëndë e shpifëse, se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane
të Gjuhadolit.
Simbol i martirizmit të Kishës katolike
Në shumicën
e botimeve kushtuar martirëve të Kishës Katolike, viktima të diktaturës komuniste
në Shqipëri, shikojmë një kompozim në pikturë, që tashmë është bërë simbol i vetë
martirizimit. Titullohet “Kryqëzimi i shekullit XX”. I realizuar në fibër-vaj nga
piktori shkodran, Pjerin Sheldia, paraqet dy fretër françeskanë, që duket se po japin
shpirt, varur mbi degët e një peme, në oborrin e Kishës së tyre, në sfond. Ndërsa
në plan të parë, me zhgunin që kullon gjak, shikojmë atë Çiprian Nikën, provincialin
e fundit të françeskanëve nën diktaturë, nxjerrë para gjyqit më 1 mars 1948, njëheresh
me imzot Frano Gjinin, Atë Mati Prendushin (në plan të dytë të pikturës), Dom Nikollë
Dedën e disa atdhetarë të tjerë, mbasi kishin pësuar tortura të pashoqe. Ndër to,
edhe varja në degë të pemëve, të cilën e rijetojmë, duke soditur pikturën, që Pjerin
Sheldija e realizoi duke u mbështetur mbi dëshminë e ish të burgusurit K.S: “Një
natë dhetori të vitit 1946, shkruan K. S. pak ditë mbasi isha arrestue, dy oficerë
sigurimi më morën e më nxorën në oborrin e ndërtesës. Më lidhën me duer mbrapa, për
një pemë. Ishte natë me hanë. Oborri ndriste si të ishte ditë, gja që nuk mund ta
thosha për sytë e mi, gjysëm të shuem prej torturave. Kur erdha në vedi, ndigjova
një gjamë të fortë. Çova sytë e dallova aty pranë një njeri të lidhun si unë. Nuk
e njoha. As sot nuk e di se kush ishte. Mbas tij, nën dritën e hanës, pashë përballë
meje tri figura, lidhë për degët e pemëve. I njoha menjëherë: ishin Imzot Frano Gjini,
atë Çiprian Nika e atë Bernardin Palaj. Ma ndej, një tjetër, zhytë në gjysë errësinë.
Duhet të ishte atë Mati Prendushi. Me sa dukej kishte ditë, që i nënshtroheshin asaj
torture, mbasi dukeshin jashtëzakonisht të lodhun. Qendrimi i vazhdueshëm varë për
krahësh, uria, etja dhe pagjumësia i kishin raskapitë deri në atë pikë, sa me t’u
dukë se do t’u delte shpirti prej çastit më tjetrin. Gjithsesi, ma i lodhuni ishte
i panjohuni pranë meje. S’ndihej aspak. Asnjë lëvizje, asnjë rënkim. Kujtova se ishte
shuar, por papritmas e ndjeva se lëshoi një grahmë të hatshme, si njeriu kur jep shpirt.
I pashë meshtarët e lidhun në degë të pemëve tue ba, me kryet e këputun prej torturave,
shenjën e kryqit. I jepshin, kështu bekimin e fundit njeriut, që po i zgjidhej shpirti,
prej trupit të lidhun fort për dru. Ishte, ndoshta, një ndër vojimet ma të jashtëzakonshme
që njeh historia dymijëvjeçare e Kishës katolike". Piktori vuri në qendër të kompozimit
të tij, njërin prej tre meshtarëve, atë Çiprian Nikën, i cili vijon të na shikojë
ashtu, me sytë lartuar drejt qiellit, i varur në degët e pemës, që bota të mos harrojë...
“Martirizmi i Kishës Katolike Shqiptare, 1944-1990, Shkodër, 1993, sipas shkrimit
të Tom Sheldisë e Fritz Radovanit, fq 7-8.