Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët,
sot, Atë Bernardin Palaj
Atë Bernardin Palaj (Shllak, Shkodër, 02. 10. 1894 – Shkodër, 08. 12. 1947)
frat e poet i madh, do të vdiste në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar
në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhës i parë
i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, muzikant e pianist i talentuar. Pasardhës
i denjë i Fishtës së madh, u mbyt, e u harrua.
I gozhduari
Enigmë
mbetet deka e Atë Bernardinit. Deri tashti dëshmitë për fundin e tij janë tepër të
vorfna. Letra e mbrame, që shkroi, iu drejtue Atë Jakob Marlekajt në kulmin e sulmit
të komunizmit mbi institucionet fetare. Ishte si një kushtrim dalë prej vorrit. Shkruente:
I dashtuni P. Jakob, jena në gazep të Zotit. Thueju miqve t' ikun andej qi
t'orvaten me sa të munden për me na pshtue prej këtij kobit. Ka nji ka nji po na qesin
faret të gjithve. Bâne të njoftun mjerimin t'onë ku të dijësh. Të fala B.dini 20.
IV. 1946 Letra e masipërme ruhet në fletoren "Histori" të Atë Paulin Margjokajt(AFSH),
ku lexojmë edhe dishminë: "Kopjue prej notes: P. Bernardini i pat shkrue P. Jakob
Marlekajt në tetuer 1945 prej Oroshit njëkto fjalë: Nji ka nji të tanë intelektualt
po na hjekin qafet. Njoftoj (bâni me dije) botës kulturore t'andejshme gjejen e trishtueshme
t'onën"Mos më harro! B."Pranë këtij shenimi ruhet vetë letra. Dhe shtohet:
"Më ka kallëxue edhe Gjoni i Marka Gjonit se P. Bernardini i paska thanë kto fjalë:
"Zoti nuk ká si na lshon doret". Kaq, e ma s' iu ndie zâni. E arrestuen, si të
tjerët. Ata që vuejtën me tê kallëxojnë se e lidhen me tel të ndryshkun aq fort, sa
teli i hyni në mish e shkaktoi tetanozin me dhimbje të tmershme. Thohet se e çuen
në spital e e flakuen nën shkallë, ku edhe diq. Kur u përhap lajmi se Atë Palaj
nuk ishte ma mes nesh – dëshmon Pater Viktor Volaj, - u mundova, tue u ruejtë fort,
me mbledhë dishmitë e mbrame të jetës së tij. Më thanë se Palaj iu nënshtrue torturave
ma mizore, qi njihen në historinë botnore të mundimeve. Se, mbasi e kishin torturue
keqas, ashtu tanë varrë, prej nga gurronte gjak, e kishin flakue nën shkallë të burgut,
lidhë me tela të ndryshkun. Aty edhe kishte dhanë frymën e fundit, me dhimba të papërshkrueshme,
shkaktue prej tetanozit. Mandej kush e di në ç’gropë e flakuen. Mbet pa kangë e pa
vorr. Kështu më kallëxuen. Por një ditë, njeni prej atyne, që ishte torturue bashkë
me ‘Zogun e kangëve’, më dha lajmin ma të mnershem. Në sa gjimonte, shtri mbi një
dërrasë, nën shkallë, aty pari kishte kalue nji prej kriminelave të sigurimit. Kishte
ndigjue gjamën e kishte zdrypë nën shkallë për të shijue prej së afërmit mundimet
e Fratit të kangëve. Dërrasa, ku e kishin shtrî, ishte plot me gozhda të ndryshkuna.
Atëherë katili zhguli nji gozhdë e, tue marrë një gur aty ngjet, e gozhdoi për dërrasë
dorën e djathtë të Fratit, atë dorë që i kishte dhurue Kombit Kangët e Kreshnikëve.
Tue gozhdue, kështu, me të, edhe Mujin e Halilin e epet e trimnive të tyne e darsmat
e mortet e padeksueme te kanga. Këtë shpërblim i epte Atmja Poetit. Njeriu, qi më
kallëxonte, vijon Atë Volaj, shtoi se prej nënshkallës ishte përhapë nëpër korridore
nji gjamë e randë, si gjama e motit në bjeshkë, kur e merr fryma rrapin e Jutbinës,
këndue me aq art prej atij, qi po diste mbi një dru, me dorën e djathtë të gozhdueme,
si dora e Krishtit. Atë Zef Pllumi, një nga dëshmitarët e rrallë të kohëve tragjike,
mbetë gjallë vetëm për të tregue, shkruen kështu për fundin e Atë Palajt: "Atë Bernardini
mbaroi tragjikisht në burgun e Sigurimit të Shtetit komunist në vitin 1946". Sigurisht
që gjatë hulumtimeve për lumnimin e tij, duhet të kenë dalë në dritë dëshmi të reja.
Urojmë, sidomos, t'i gjinden eshtënt-relike. Do të ishte figura ma e përshtatshme
për t'u njohë si Pajtor i Rapsodëve, i Poetëve e i Muzikantëve shqiptarë. Në se
nuk asht ma shenjti ndërmjet artistave, sigurisht do të jetë ma artisti ndërmjet shenjtënve.
Sipas
veprës së Atë Daniel Gjeçajt “Galeria e artit të martrizimit”,
Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër, 2012
"Frati, kangëtari, poeti folkloristi, shkencëtari... ai zog i rrallë” Atë Bernardin Palaj, frat, kangëtar, poet, folklorist, shkencëtar, Martir i fesë
së Krishtit, kje "zog i rrallë"(atë Zef Pllumi). S' mund të ishte gjetë
fjalë ma shprehëse për një nga figurat madhore të kulturës shqiptare, endè larg vendit,
që i takon. Lindi në Shkodër më 2 tetor 1894 në një familje të shpërngulun prej
Shllakut. Prindët, Gjoni e Marta, e pagëzuen me emnin Zef e në të rritun, e çuen në
shkollën e fretënve, ku kreu filloren e liceun "Illyricum". Më 15 shtator 1911, sapo
i kishte mbushë 17 vjetët, veshi zhgunin e Shën Françeskut. Kushtet e para i bâni
me 1 nanduer 1912; kushtet e përjetshme, më 14 korrik 1917. Mbasi kreu shkollën e
mesme, të parët e çuen për të vijue studimet në Austrí, fillimisht në Salcburg, mandej
në Insbruk, ku kreu filozofinë e teologjinë, fakultete të detyrueshme për të gjithë
ata që kishin zgjedhë rrugën meshtarake. Në të njejtën kohë ndoq edhe kurset e rregullta
universitare në fakultetin e letërsisë. U pregatit shkëlqyeshëm për t'u ngjitë në
elter. Meshën e parë e çoi më 2 gusht 1918. Fillonte për tê jeta e misionarit të Krishtit.
Ishte thellue në filozofi e teologji, kishte njohuni të plota në letërsi, njihte mjeshtrat
ma të mëdhaj të muzikës botnore, flitëte e shkruente mrekullisht gjuhët klasike, gjermanishten
e italishten, i binte pianos, këndonte. Atë Zef Pllumi na e përshkruen kështu pamjen
e tij të jashtme: "Kishte një trup qeskin dhe një pamje shumë simpatike".Ndërsa të
vetmin portret që kemi prej Atë Palajt, e pikturoi Atë Ambroz Martini, i cili ruen
shumë kujtime për sivëllaun frat. Kështu, qeskin, i ri, simpatik e sidomos, tejèt
i pregatitun, u kthye menjëherë në Atdhé. Nga Austria e kulturueme, në maje të bjeshkve,
në Palç të Mërturit, vend emnin e të cilit misionarët e huej e shkruejshin dhe e shqiptojshin
Plaç; mandej në Toplanë, Shalë, Bushkash, në maje të shkambit të Rubikut. Në vetmí
të maleve, vetmi lodhëse, vetmí e njeriut të mësuem me viset e qytetnueme, në mes
malsorëve, me të cilët kurr nuk mund të çilë, nga shkaku i mendësisë rrâjsisht të
ndryshme, marrëdhanie shfryese shpirtënore. E me mendue, mandej, se dimnit këto vise
për gjashtë muej shkëputshin çdo marrëdhanie me qytete. Po frati i mësuem dinte si
me e mbushë kohën, më sa vetminë e vuejtjen ia lehtësonte vetëdija e naltë e detyrës,
e misionit që kryente në ato vende të egra, ku malsorët kishin aq shumë nevojë për
fratin e frati për malsorët. Përndryshej do të kishte dalë mendsh. Ose do të kishte
zdeshë zhgunin e do t'ia kishte mbathë kambëve nepër botë, ku me kulturë që kishte,
mund të jetonte kambë mbi kambë, në mjes të kryeqyteteve ma në zâ. Po kjo as nepër
mend s'i shkoi zhgunamurrtit të maleve. Palçi, ku pat ndejën për një kohë të gjatë,
si famullitar i Mërturit, ishte një ndër famullitë malore ma të largtat e ma të vështirat.
Ata që shkojshin me e takue në mes malesh, çuditeshin kur e ndiejshin tue bisedue
si njeri mali me njerëzit e malit, në sa kishin ndigjue bisedat plot vlerë e mendehapta
të fratit ndërmjet rretheve ma të arsimueme të qytetit. Së pari, me Krishtin, e mandej
me kulturën e krishtenë e me Kombin. Në vetminë e rreptë të qelës së Palçit, midis
maleve. Përshkonte me kalë shtigjet e thikta, për me shkue atje ku e pritëte detyra.
Kthente vonë në qelë. Ma parë ndigjohej zhapllima e thundrave të kalit të tij, mandej
dukej edhe ai vetë, me mantelin që i valëvitej prej erës së bjeshkëve në sa kali,
edhe ma i lodhun se i zoti, u epte mundimshëm kambëve kah tëbana. Atje Frati kishte
një odë të vogël, ku ndrynte ato thesare që ia ambëlsojshin vetminë e ia bâjshin të
kandshme ndejen në ato vise të egra. Mbi lëpizat e një rafti të vjetër kishte rendue
turra letrash, zverdhue prej motit, tuba tefterësh të trashë, të pluhnuem. Mbrenda
tyne ishte tanë jeta e Kombit, me djepa e kunorë, me kremte e gjamë. Aty ai kishte
mbyllë tanë historinë e atyne maleve të ashpra. Pritshin me dalë prej aty mija kangë
kreshnikësh e trimnísh, mija valle darsmash, poezi shekullore e popullit shqiptar,
përherë e njomë, kalue nga goja e breznive në të sosun në gojën e breznive në të këndellun.
I shfletonte ato fletë në dimnat acár, kur pullazi rrezikonte me u shembë prej peshës
së borës, kur dielli shndritëte fort e xete pak e i merrte frima rrapat, kthye në
shtatore të çuditshme, me degë e gjeth akulli. Shfletonte e ndiente si prej tyne delte
fryma e nji prandvere së amshueme. Niste kanga e rapsodit të Dukagjinit, që i këndonte
Mujës e Halilit me gjuhë të kulluet e të thekshme. Ndigjoheshin po ato kangë, por
me zânin e kangëtarëve të Malsís së Madhe, tanë fantazi e gjallësí. Mandej vallet
e Kosovës e të Dibrës plot njomësi dashunore. Ato të Shestanit e të Ulqinit me përfëtyrime
detare, të holla, të lëmueta. Ato të Bizës françeskane, tu Kepi i Rodonit, afër Durrësit.
Delikate, plot analogjí me trajtat toskënishte. Nuk e dij se kush pat thanë se gjithkund
në botë poetët këndojnë për popullin, vetëm në Ballkan populli, ma i madhi poet i
këtyne trevave, këndon për poetët. Kjo e vertetë shndritëte ma shumë se kudo e se
kurdoherë, në Palç, në qelën e heshtun të fratit të kangëve. Atje duhet të ishte Muzeu
Kombëtar i Eposit! Ai, në vetminë e malit, ia vente veshin kangës së pashterrshme,
që buronte shi nga thellësitë e zemrës së Kombit arbënuer dhe ia rrëmbente atê harresës.
Tue harrue vetin e tue u shkrî më nja me atë jetë që lëvizte e hasharitej ndër lëpizat
e pluhnueme të qelës vetmitare në maje të thepave. Në ato lëpiza flente fara e pranverës
së përtardhun e poezisë së re shqiptare, për të cilën u mundue dhe e nxorri në dritë Gjatë
Luftës II Botnore, Palaj shkoi në Romë për arsye shëndetësore. Kishte fillue me e
ndie sëmundjen e zemrës dhe kishte nevojë për t'u kqyrë nga specialistat e përmendun
të kryeqytetit të Italisë. Për fat të tij në Romë aso kohe banonte dhe kryente detyrën
e mjekut pranë Kuries gjenerale të françeskanëve e pranë Universitetit Antonian, një
frat, italo-shqiptár nga nana, Pater Domenico Franzè, françeskan edhe ky e mik i përzemërt
i fretënve shqiptarë. E 'i mend, kur ndërmjet këtyne e qeverisë fashiste italiane
shpërthei kundërshtimi i hapët për çashtje okupimi, Franzè kje dërgue në Shqipní porsi
ndërmjetës e paqëtues për të pështue çka ishte e mujtun para tanksave të ushtrisë
pushtuese. Pater Franzè pat njohë mirë Atë Gjergj Fishtën e shumë fretën
tjerë ma të rij, të cilët radhë mbas radhet kishin pasë krye mësimet e nalta fetare
në Romë. Me Atë Gjergjin, mandej, Pater Domenico kishte pasë lidhë që me kohë një
miqësí të ngushtë vëllazënore. Jo vetëm në bazë të kësaj miqësie, por edhe përsè
i gjakut tonë, Franzè simpatizonte fretënt e shqiptarët në përgjithësí. Në të
vertetë, në atë pak kohë që ndei në vendin tonë, pat rasë t'i takojë e t'i peshojë
gati tanë fretënt. Që atëherë xû të çmojë veçanërisht talentin e Atë Bernardinit,
për të cilin tashti kujdesohej me ande dhe e paraqitëte e e porositëte te kolegët
e vet kardiologë. Palaj përfitoi, në këto rrethana, të kalojë Javën e Madhe posi
mik i Kolegjës ndërkombëtare të Shën Andout në Via Merulana, jo larg nga bazilika
e Shën Gjonit në Lateran. Ishte e para herë që Palaj shijonte për së afërmit sjelljet
fetare të atyne ditëve të mëdhá në Romën e papëve e qendrën e krishtenimit, sjellje
këto të cilat zhvilloheshin aso here e kryhen përherë me madhní të veçantë. Poeti
s'e njihte mirë Romën, jashta se përsá dinte nga historia e nga kultura fetare. Gjithçkafja,
prandej, i bânte përshtypje dhe, dashtë pa dashtë, çdo kuadër i Romës së vjetër thadronte
në mende e zemër të tij virgjin, tejèt të ndieshme, altorelieve të bindshme arti. Rapsodi
i kulturuem iliras kundronte si në vegim qytetin e Konstantinit, fisi sinë, shihte
Romën e papëve të njëzet shekujve dhe kënaqej në kundrime. Para rrenojeve madhështore,
teprica të njaj bote pagane në kulmin e zhvillimit, para tempujve të dërmuem nga motet,
para truporeve mermeri e bronxi, të gjymtuem nga vershimet e kavaljeteve, Poeti sheh
botën kristiane dhe, në panteonin e së kaluemes së vorrueme, kundron emblemën e kulturës
së ré, që ka për shenj kryqin e për autor të Kryqzuemin. Jeton çka kujton e merr
pjesë në çka andërron. Kazani i fantazisë së tij të gjallë vlon. Në valë të kësaj
fantazie, pajisë me pastërtinë e qiellit të Dukagjinit, që fratit poetë i dha djepin
e lindjes, në ngrohtësinë e diellit italik, Palajt i rrjedh fjala, i grumbullohen
mendimet posi rrëshina e brejve shekullorë para rrezeve flakë të diellit. Në Qytetin
e Amshuem, muzé i hapun nën kupolën e qiellit, viziton sidomos bazilikat e mëdha e
kishat e famshme, ndalet para kryeveprave të artit, kudo i gjen, tue shenue, mandej,
edhe mbresat e thella, në sa shpirti i Kangatarit të maleve komunikon mistikisht me
shpirtënt e artistëve, që frymojnë prej afreskeve e pëlhurave të plasarituna motmotesh.
Këto mbresa do të shihshin dritën e shtypit në të përkohshmet e fretënve, ku botoi
herë mbas heret edhe studime e vrojtime për kishat e lashta të Shqipnisë. Asht një
material i gjanë, që pret të mblidhet e të botohet. Këtu shkruen poemthin "E Dielja
e Larit në Aventin", që dallohet për gjuhë të pastër, begati fjalori, shprehje lapidare,
përshkrime të gjalla, freskí ngjyrash e frazeologjí të zgjedhuna. Poezia asht përplot
me fluturime lirike, që na çojnë në historinë e lashtë të Romës e në Romën e krishtenë,
e cila feston me jonet e kumbonëve të treqind kishave të veta, të Dielën e Larit.
Së fundi, natyrshëm, Muza e çon meshtarin shqiptar të përshpirtshëm te Zoja e Këshillit
të Mirë, Pajtorja e Shqipnisë, së cilës ia nalton uratën në gjuhë të vet: "Nder
treqind kishët e Romës, Treqind kumbonë po bijshin. Per Ave Maria ato po bijshin. Larg
m' treti mendja e syni Asajë kodre tue ju ulë; Larg, te një mal i tretun, Mbi
Gjenacan, te Nana e Këshillit të Mirë, Te Zoja ilire… Shqyp un kësajë Nanë
ju luta: T' falem, o Mërí, O Hirëplote - t' falem, O Nana e Këshillit të
Mirë, Maria….”. Palaj si poet përfaqësohet me një mori krijimesh, ndërmjet të cilave
poemi i pakryem "Valët e nji shpirti" që përmban 1533 vargje, vende-vende me fuqi
të rrallë poetike, shkrue me një farë vargu të lirë, pa rima, me formë krejt moderne.
Në pjesën ma të bukur të poemit, me tingëllim të fuqishëm aktual, i kjahet halli një
mërgimtari të ri, plot mall për atdheun, plot angushtí për fatet e tokës që e lindi,
por që s'kje në gjendje ta ushqente e i dha udhët e trishtueshme të botës: "…
gjithkund dhén po ma kërkon. Të tanë copash mendja m'ju ka bâ. Kur ndërmendi
i Shqipnisë po m'i bjen, Gjumi i natës atë kurr nuk po ma merr. E m'i lutet
Zotit, qi rrin në qiell, Për njatë gjak të këtyne trojeve qi âsht derdhë, Njanën
dysh i Lumi me e bâ: Ndo edhe 'i herë Shqipninë Ai me na e falë, Ndo të tanë
faret mâ mirë me na qitë…”. Një prej kryeveprave të Palajt asht elegjia "Kah nata
e vetme". Gjama për dekën e Fishtës vêhet sa në gojë të poetit, aq të popullit shqiptar,
të orëve e zanave e deri të të dekunve, që thirren prej jetës së përtejme për me ia
lehtësue Poetit vetminë e vorrit, peshën e dheut, mallin per jetën. Poemthi "Ndërmjet
Shën Gjergjave" asht plot me muzikalitet, plot dritë-hije e ngjyra, plot ajër e larushí
pejzazhi shqiptar në të ardhun të pranverës. Vlejnë me u përmendë edhe poezitë
"Vorreve të flamurit"; "Kuq e zi"; "Prej burgut të jetës" etj, etj. Në vargjet e Palajt
figura bâhet ritëm; ritmi bâhet jetë, jeta - kangë; kanga-muzikë. Mjaftojnë pjesët
e citueme, për t'i sigurue veprave të Palajt një vend dinjitoz në letërsinë shqiptare. Me
prejardhje prej maleve, mori si trashigim prej familjes një shqipe të kullueme e të
pasun. Njohjen e gjuhës amtare e thelloi dhe e përsosi shkencërisht me studime të
vëmendshme të autorëve tonë të vjetër e të rij. Veçanërisht ia vû veshin me kujdes
të madh, ligjërimit popullor. E ngriti kështu, të folmen e Dukagjinit, trashigim prej
të parëve, në naltësinë e një gjuhe arti, plot begati e përpikmëni. Krijoi atë të
folme, që i përshtatej plotësisht frymëzimit të tij liriko-epik. Palaj xên vend
nderi ndër mbledhës të kangëve të popullit tonë. Vepra e tij si mbledhës i folklorit
ishte hapi i parë që bâhej për ruejtjen e vûmjen në pah të Rapsodive të Veriut. Njëkohësisht
kjo veprimtari folklorike ushtroi ndikim të fuqishëm në prodhimin letrar të tij e
të një vargu poetësh, tue fillue nga Fishta. Rapsoditë e Mujit e të Halilit u botuen
për herë të parë më 1924 në revistën "Hylli i Dritës". Lexuesët me kulturë letrare
e kuptuen menjëherë se gjindeshin para një zbulimi me shumë randësí. Hijeshia e përfëtyrimeve
e fuqia shprehëse e rapsodive popullore, i lanë pa mend. Atë Gjergj Fishta u trondit
nga hovi i tyne epik dhe në pjesën e dytë të Lahutës së vet, sidomos në episodin e
Tringës, tue lanë mbanesh frymëzimin që i vinte nga kangët tërthorçe e maje krahut
në vargje tetërrokësh, ndoq shembullin e këtyne rapsodive. Simbas dishmisë së
Atë Viktor Volajt, Atë Bernardini shumicën e rapsodive e mblodh prej kangatarit Mirash
Ndou, i dukagjinas. Ai ma parë ia kallëxonte ngjarjen në prozë, tregim që shpesh herë
ishte edhe ma poetik se vetë kanga; mandej e recitonte epin në vargje të bardha e,
mbasi e kryente ketë rit, merrte në dorë lahutën e niste homofoninë e lashtë. Atë
Viktor Volaj, mik i ngushtë me Mitrush Kutelin, në sa ishte rektor i kishës së Shën
Andout në Tiranë, dëshmon edhe se, kur prozatori i madh pogradecar i lexoi për herë
të parë epet e mbledhuna prej Pater Bernardinit, i mahnitun prej bukurisë së tyne,
e pat pvetë Fratin: "Thua t’i ketë prekur Fishta, që kanë fituar gjithë atë shkëlqim?
E pamundur të kenë qenë aq të bukura. E kanë fituar formën e tyre të përkryer, sepse
i kanë prekur françeskanët e, prej françeskanëve, më e mundshmja është që t’i ketë
prekur Pater Gjergji”. Mitrushi më tregoi - vijon dëshmia e Atë Volaj - se kur
ishte në Rumani, në praninë e njenit prej studiuesve ma të mëdhaj të Emineskut, kishte
ndjekë diskutimin për një poezi popullore. Qe aq e bukur, sa shumëkush shprehu mendimin
se nuk mund të ishte pastertisht popullore e se dikush kishte vû dorë në tê. Sigurisht
e kishte prekë një dorë gjeniale. Studiuesi i Emineskut tha: “Edhe në mos qoftë popullore,
bekuar ajo dorë, qi vuri dorë në tê e e bëri kaq të bukur”. “Qoftë bekuar, prandaj,
dora e Fishtës, në i pastë bërë aq të bukura këngët e Mirash Ndout, regjistruar me
pendën e Pater Bernardinit!”, tha Mitrushi. Palaj - dëshmon Pater Viktori - ishte
po aq i madh, sa Pater Gjergji! Por nuk ishte Pater Gjergji, ai qi i preku kangët.
Ishte vetë Bernardini qi, me dorë të lëmuet e pa ia cenue njomësinë virgjin, ia dhetëfishoi
shkelqimin. Prandej rapsoditë janë kryeveprat e vërteta të Palajt. Shumica e fretënve
mendojnë kështu. Pater Gjergji nuk e njohu Dukagjinin drejtpërdrejt, por tërthortas.
E njohu prej sivëllazënve, sidomos prej Atë Bernardinit. Sidokjoftë, “nuk mërrijti
me pí ujin e cegëmt të gjuhës së panjollë, si bora e virgjin e majeve të thepisuna,
ku s'shkeli kambë tjetër, veç ajo e mbathun me caruqe e opangë e malcorit shqiptar,
ku s'u fol tjetër, veç fjalës shqipe, ku veç kangët e lashta të lahutës bridashe ushtuen
nepër shkrepa, pyje, tëbana….”. Gjithsesi botës letrare shqiptare iu deshtën disa
vjet për me mërrijtë te shijimi i kangatarëve rapsodë të Veriut, fuqinë shprehëse
të të cilëve e kishte hetue aq shpejt mbledhësi i tyne i parë. Rapsoditë e zbulueme
e të vlerësueme prej Palajt dolën të mbledhuna në një vëllim më 1937, në vargun e
botimeve të "Visarit Kombëtár". Kujton Atë Zef Pllumi një bisedë me Atë Palajn,
një mësim të çmueshëm për vlerësimin e eposit: "Ndigjoje, djalë e mbaje mend mirë
se në fondin tonë kemi 400 kangë, por në botim kemi zgjedhë vetëm 40, tue përjashtue
56 që ia kam dhanë zotní Ernest Koliqit e që nuk m'i ka kthye, për ketë punë jam prishë
me tê, sepse nuk u tregue korrekt me mue"… Besoj - vijon Atë Pllumi, se ato do të
gjinden në bibliotekën e pasun personale të shkrimtarit shkodran, që sot gjindet në
duert e trashigimtarëve të tij në Itali. Mendoj se Ministria e Kulturës e ka për detyrë
që ajo pasuní të kthehet në Shqipni dhe të vendoset në fondin e Bibliotekës Kombëtare
nën emnin e shkrimtarit të shquem".Ndoshta ndoshta për bibliotekën, e cila përbân
një pasuní të vertetë, edhe materiale, ka me u kujtue ndokush, kur t'i dalë deliri
i soçëm që vlerë e zot ka veç arin, por a do të kujtohet kush se përveç bibliotekës,
edhe i Zoti ka mbetë në Itali, tue pritë kthimin? Kujtojmë se sot disa prej epeve
janë përkthye në disá gjuhë të ndryshme të botës, ndonësè nuk asht aspak e lehtë
as të përkthehen e as të kuptohen. Atë Bernardini nuk u mjaftue vetëm me rapsoditë:
studioi edhe të drejtën zakonore, Kanunin e Maleve. Na la kështu, trashëgim, një ndihmesë
të shqueme për studimin e njohjen e shpirtit e të mendësië së popullit shqiptar. Shkruen
frati: "E verteta âsht kjo, se besa, kanuni, miku e ndera e armëve - personifikim
i njij autonomije së plotë - përveç besimit të ruejtun gjithmonë me pushkë për faqe,
nepër këto fise të Dukagjinit të hershëm, ku gjejmë vetít ma karakteristike, qi e
dallojnë shqiptarin veç tjerësh në familjen indoevropjane, kanë nder këto krahina
nji kuptim ligjuer e nji atillsí në të ruejtun të dokeve ma të pikatun, se nder fise
të tjera". E, për me e bâ ma të njohun ketë botë, Palaj s'pushoi së gërmuemi ndër
katunde të Dukagjinit, derisá mblodh zakone e mitologji, tregime për orë e zana, për
orën e gjarpnin e shtëpisë, për synin e keq e shpirtin e keq, për kultin e dekës e
të vorreve. Iu vû mandej punës për mbledhjen e legjendave mbi fiset. Vijoi me mbledhë
mite, rite, mëgji, gjithçka kishte të bânte me jetën e popullit, qysh prej djepit
deri te nata e vetme. Një fushë tjetër në të cilën Palaj dha një ndihmesë jo të
paktë, asht edhe ajo e Kanunit të Maleve. S'kemi endè një studim të plotë për
zhvillimin e prozës shqiptare prej Buzukut e në ditët tona, për t'i caktue vendin
që i takon Palajt si prozator. Proza e tij, e zhvillueme në qarkun e veprimtarisë
së dy shkollave letrare të Shkodrës, ruen origjinalitetin e vet. Ka stil të gdhenun,
pa zbukurime të tepërta e pa shkëndija humoristike. Në të ideja themelore theksohet
me vija të trasha. Gjithsesi kjo prozë shpesh mërrin kumbime vagneriane e me hijeshí
burrnore, na kujton së largu, tingëllimin e motiveve të lahutarëve. Mjerisht proza
gjindet e shpërndáme në të përkoshme të ndryshme. Disá nga copat ma dinjitoze të saj
janë: "Mikëpritja e maleve"; "Kremtime që mund të kenë rrjedhë ilire"; "Buka e lamit"
etj. Atë Palaj ishte edhe muzikant e kangëtár. Shkruen për ketë Atë Zef Pllumi:
"Atë Bernardini i binte pianos me një shkathtësi të çuditshme, ndërsá me zânin e vet
prej bilbili të rrallë interpretonte pjesë nga operat klasike…". Veprimtarinë muzikore
Atë Bernardini e zhvilloi në bashkëpunim të ngushtë me Atë Martin Gjokën. Shpesh
të dy muzikantat krijuen muzikë origjinale, ose ia përshtatën teksteve të veta muzikën,
që e kishin prû me veti prej viseve të Austrisë ku kishin studiue. Mjafton të kujtojmë
vargjet përqethëse të "Hymnit të Kosovës", të cilat Pater Bernardini i shkroi e i
muzikoi simbas melodisë së një kange austriake, regjistrue në shirit magnetofoni.
Ruhet në arkivin tem në Romë. Qe edhe fjalët e kangës: “Hymni i Kosovës” “Urrà,
djelmní p’r atdhé e per lirí! Ç’janë ato fusha andej kufinit, Tanë veshë n’blerim
per bukurí? Atje â’ Kosova e bregu i Ulqinit Me Pejë e Shkup, Diber, Prizrend,
Plavë e Gusí. Atje s’bjen dielli as s’erret nata, Ke bukë e gjak do t’hajë Shqiptari
i ngratë, Ke në voter t’tij Shkjau ruen me spata, E shqip as Zotit nuk e lên
me i thanë nji uratë. Atje fshajnë po Hot e Grudë, Mâ t’parat fise n’tanë Shqipní Qi
ball per ball me Shkjá tue u gri, Murojë atdheut gjithmonë kjenë n’luftë. Atje
n’Hot per t’paren herë Nji Dedë Gjo’Lul mkambi Malsinë E i xuer Shqipnisë autonominë, Tue
i lanë atdheut mâ të madhen nderë. Po edhe ato troje i shklet Serbjani E qyqet
këndojnë vorr m’vorr nji kangë per mnderë: Shqiptarë, ju të gjallët s’keni shka
e bâni, Ja t’gjith të lirë, ja t’gjith të mbluem n’nji vorr p’r i herë. Zoti
i lum, qi vranë e kthiellë, E shef çdo kob që per nen qiellë Bân dhuna e forca
kur Ty s’të dron, Vetëm në Ty Shqiptari sot shpëreson. E aj gjak fatozash qi
nder né Pa dhunë po derdhet per fis të vet, Le t’vlojë sot n’zemër t’djelmnisë
s’ré Lum ai qi shkrihet per atme t’vet! Vetëm çka asht botue prej Atë Palajt
dëshmon se ai, ashtu si Atë Gjergj Fishta, e meritonte kunorën e larit sa ishte gjallë.
Por frati i malit ishte tepër i përvûjtë, aq sa gati-gati me i ardhë marre para Atë
Gjergjit për vargjet e veta. Ndërsa Poeti Kombëtar e shikjonte me dashtëni, shpresë
e besim se nuk do të shkonte me këndue me harpë e lirë ndër Valle të Parrizit, pa
lânë ma parë një dishepull të dêjë me lahutë në dorë në "Mrizin e Zânave" . Si
shpërblim i dashtënisë së pakufí që kishte për Atdheun, në elter të cilit vûni dije,
talent, djersë, gjak e deri jetën, u mbyt mizorisht dhe u harrue. Vargjet tij zdrypën
bashkë me të në vorr. Për me u ngjallë në të tretën ditë, sepse një Poet si Atë Bernardini
nuk mund të hupë aq kollaj. Në mos tjetër Krishti ia ka vlerësue flijimin, në sa pritet
të ngjitet në nderimet e elterit. Sipas veprës së Atë Daniel Gjeçajt
“Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër,
2012