Tragjedia e së Premtes së Madhe: Detin zgjodhën për rrugë se rrugë tjetër nuk kishte
Sa të zellshëm ishin në vitet ’90, legistët italianë (përfshirë kryetaren e Dhomës
së Deputetëve, Irene Pivetti) kundër shqiptarëve “pushtues” e, me sa zjarr ulërinin
se duhej të qëllohej me top e të fundosej çdo anije apo gomone, që dukej në brigjet
e Italisë, mbushur me të mjeruarit e përtejdetit. Në të kundërtën, sa e ftohtë duket
Wikipedia, e cila e tregon kështu tragjedinë e Otrantos, të 17 vjetëve më parë, si
sot, më 28 mars 1997: “Katri i Radës ishte një motovedetë shqiptare. Më 28 mars 1997,
anija, plot me rreth 120 refugjatë në ikje nga Shqipëria në revoltë, u godit në kanalin
e Otrantos nga korveta “Sibilla” e Marinës Ushtarake Italiane, që kundërshtonte kështu
përpjekjen për të zbarkuar në bregdetin italian. Në mbytjen që pasoi, humbën jetën
81 vetë, të cilëve iu gjet trupi, por vlerësohet se nuk janë gjetur kurrë, së paku
24-27 të tjerë. Mbijetuan 34 vetë”. Për një që di pak aritmetikë dhe e njeh ngjarjen,
llogaria nuk del, por ta lemë mënjanë numërimin. Të bën ndërkaq, përshtypje vendimi
salomonik i gjykatës italiane, e cila shpalli fajtorë të gjithë e asnjë. “Sipas gjykatësve
– citojmë sërish Wikipedian – faji duhej ndarë ndërmjet komandantëve të dy anijeve:
si vendimi i shkallës së parë, në vitin 2005, ashtu edhe ai i shkallës së dytë, në
vitin 2011, shpallën se komandanti i anijes Katër i Radës kishte kryer manovra të
parregullta, pa i dëgjuar thirrjet për t’u ndalur, ndërsa korveta italiane përpiqej
energjikisht të pengonte kalimin. Dënimi për Namik Xhaferrin, në timonin e anijes
shqiptare, qe katër vjet burg, që në apelim, u reduktuan në tre e më pas, në dy vjet
e katër muaj”. Sa të kënaqur duhet ta ndjejmë veten kur mësojmë se “anija e mbutyr,
është nxjerrë nga deti dhe është bërë një monument në Otranto, vepër e artistit grek
Costas Varotsos”. Por sa turp që kujtesa e kësaj tragjedie, përveçse në familjarët
e viktimave, mjegullohet tek tjerët. Në Itali, akoma sot, refugjatët, njerëzit që
ikin nga lufta, kthehen në klandestinë, ndoshta kriminelë, në mendjen e njerëzve të
manipuluar nga politika. “Goditje e qëllimshme” është fjalë e shëmtuar, ndërsa “manovra
të parregullta” ka një farë elegance, bashkuar me një lloj mjegullnaje të pacaktuar.
Tingëllon mirë fjala “energjikisht”, mjafton të mos jetë në të njëjtin rresht me 81
kufomat (108, nëse shtojmë të pagjeturit, që as kanë për t’u gjetur e as kanë për
t’u kërkuar më, pavarësisht se mund të jemi të sigurtë se pushojnë në fund të detit,
jo zyrtarisht të vdekur). Tragjedia e refugjatëve shqiptarë u pasua nga një radhë
e trishtuar deklaratash të rreme, nga izolimi i të mbijetuarve, nga devijimi i hetimeve,
nga manipulimi i opinionit publik, nga vdekje të dyshimta e nga heshtja. “Ndihma që
u dhanë ishte sa për sy e faqe” pati deklaruar avokati i viktimave, Giuseppe Antonio
Maria Baffa, i cili vdiq në një aksident rrugor të dyshimtë, së bashku me avokatin
tjetër, Francesco Perrotta, më 13 janar 2000, pikërisht ndërsa po shkonin në njërën
prej audiencave të procesit për tragjedinë e Otrantos, si mbrojtës të viktimave e
të të mbijetuarve. E ndërkaq, vazhdojnë të ndalohen refugjatët në Kanalin e Siçilisë
e delegohen diktaturat e Afrikës së Veriut të bëjnë për Evropën “punën e ndyrë”, që
nuk do ta lejonte ligji i “demokracive” të këtejdetit, ndërsa shuhet dalëngadalë kujtesa
historike dhe respekti për të fundosurit pa varr.
(Frymëzuar nga artikujt
e Daniele Barbieri dhe të Giuseppe Chimisso, publikuar më 23 mars 2014 në “Corriere
delle Migrazioni”)