2014-03-28 14:21:26

Patriarku latin i Jerusalemit: Ati i Shenjtë do të na japë zemër


Në Jerusalem, patriarku latin Fouad Twal paraqiti para gazetarëve programin e shtegtimit të Atit të Shenjtë në Tokën e Shenjtë, ku parashikohet edhe një ndalesë në Jordani. I pyetur nga Radio Vatikani për rëndësinë e kësaj vizite, patriarku u përgjigj:
Është udhëtimi i parë në Jordani dhe jemi të lumtur, edhe pse bëhet fjalë për një vizitë të shkurtër. Në Jordani kemi vetëm një akt publik: meshën e shenjtë në stadiumin e Amanit. Do të vijnë të gjithë të krishterët tanë, bashkë me fëmijët, dhe numri i atyre që do të festojnë ardhjen e Atit të Shenjtë pritet të jetë nga 30 deri në 50 mijë vetë. Pastaj do të zhvillohet, sipas dëshirës së Papës, një takim me refugjatët e vegjël sirianë, simbol e këtij njerëzimi të lënduar. Ao të takojë më shumë se 500 fëmijë. Të nesërmen, të dielën, do të shkojmë me helikopter nga Jordania në Betlehem, ku do të zhvillohet vizita me presidentin palestinez dhe pastaj Mesha. Për ne dhe për besimtarët ky do të jetë një çast shumë domethënës. Një çast i rëndësishëm për Atin e Shenjtë do të jetë ai i takimit me Patriarkun ortodoks, tek Varri i Shenjtë, dhe me patriarkët e tjerë – atë armen dhe katolikët lindorë – të cilët do të vijnë për të marrë pjesë. Do të jetë një festë e bukur. Shumë vetë do të dëshironin ta shihnin Atin e Shenjtë edhe në Galile, por duket se këtë herë nuk do të shkojë. Të lutemi dhe të shpresojmë se do të kemi edhe raste të tjera në të cilët Ati i Shenjtë do të vijë për të na takuar.
Me këtë udhëtim përkujtohet përqafimi historik i Palit VI me Patriarkun Atenagora, para 50 vjetëve. Sikurse u bë e ditur, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë do të kremtohet takimi ekumenik me të gjithë përfaqësuesit e kishave të krishtera të Jeruzalemit, bashkë me Patriarkun e Kostandinopojës, Bartolomeu I. Çarë do të përfaqësojë ky takim në udhën e ekumenizmit?
Një hov të ri, një thirrje të re, një ftesë për bashkësi, për bashkimin e të krishterëve. Më kujtohet se në vitin 1964 pati entuziazëm të madh tek të gjithë të krishterët për këtë lëvizje ekumenike. Kemi bërë përparime, por kemi mbetur të ndarë. E kemi një farë bashkimi, një bashkëpunim në nivelin institucional, në Tokën e Shenjtë, në Jordani dhe në Jeruzalem, me shkollat tona, me spitalet dhe me Karitasin. Por bashkësia, bashkimi i plotë, sipas dëshirës së Zotit Jezus, nuk është realizuar ende. Megjithatë, do ta përjetojmë njësoj entuziazmin, gëzimin, inkurajimin dhe shpresën. Vijojmë të lutemi, vijojmë të punojmë, vijojmë ta jetojmë këtë bashkim në institutet tona katolike latine, të Patriarkatit Latin, në shumë shkolla, në shumë spitale dhe tek veprave të mira të dashurisë për të gjithë, pa diskriminime. Në një farë kuptimi unë them se të gjithë të krishterët janë të mitë: në janë ortodoksë apo armenë, nuk ka asnjë ndryshim para Hyjit dhe historisë.
Të krishterët e Tokës së Shenjtë vuajnë për shkak të kushteve shumë të vështira të jetës, që shpesh i shtyjnë të emigrojnë. Çfarë presin këta besimtarë nga vizita e Papës?
Sot për sot vuan gjithë Lindja e Mesme. Shpresojmë, jemi të sigurt se Ati i Shenjtë do të na thotë fjalë zemërdhënëse, për të na përforcuar në këtë fe. Sa kushton feja këtu? Për të mbajtur fenë, këtu, duhet ta paguajmë një çmim. Kushton. Të mos harrojmë se para nesh, edhe Zoti ka qarë. Vijojmë të lutemi, të qajmë, të presim shtegtarët: që të gjithë të jenë të mirëseardhur, të ndjehen si në shtëpi. Por gjendja është ajo që është. Mos ta humbim kurrë shpresën: Zoti na do dhe na jep zemër.
Po pritshmëritë e bashkësive të tjera? Ajo hebraike, ajo myslimane...
Për fat të gjithë mendojnë se Ati i Shenjtë është miku i tyre. Dhe kuptohet se çdo ligjërim, çdo fjalë për më shumë drejtësi, për më shumë dinjitet, për më shumë bashkëpunim, do ta ketë një përmasë politike të tërthortë.
Çfarë shtyse mund t’u japë udhëtimi i Papës negociatave të paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve?
Duhet të presim pak, për të parë reagimet në gazeta dhe për të dëgjuar zërat e ndryshëm. Nuk duhet të flasim para dhe të djegim etapat.
Në Siri ka më shumë se tre vjet luftë. Papa e ka ngritur zërin disa herë. Është lutur për paqen, për popullsitë e goditura nga konflikti. Patriarkati i Jerusalemit është i angazhuar në pritjen dhe në solidaritetin me refugjatët sirianë. Ju thatë se do të ketë një ndalesë në Jordani. Si do t’i takojë Papa këta refugjatë?
Refugjatët do t’i takojë në Jordani. Jo të gjithë, por vetëm fëmijët. Kemi një milion refugjatë. Fëmijët do të përfaqësojnë disa kampe, sepse nuk ka vetëm një kamp në Jordani. Sirianët gjenden në të gjithë truallin jordanez, deri në jug, dhe kërkojnë punë, dinjitet. Të lutemi edhe për paqen dhe të kujtojmë atë ditë kur Ati i Shenjtë i bëri thirrje tërë “ushtrisë” së besimtarëve të tij për t’u lutur për paqen. Kështu e ndaloi luftën, sulmin ushtarak, që ishte i sigurt, por me lutjen e besimtarëve, faleminderit Zotit, nuk u zhvillua.
Gjatë këtyre javëve Selia e Shenjtë e konfirmoi udhëtimin e Papës, pasi mediat ndërkombëtare kishin folur për vështirësi, madje edhe për anulim, për shkak të grevës së shërbimit diplomatik dhe të nëpunësve të ministrisë së jashtme të Izraelit...
Udhëtimi nuk është anuluar asnjëherë. Ishin hipotezat e disa gazetarëve. Kjo grevë – që vijon, nuk ka përfunduar, në të vërtetë – sigurisht do ta ketë një ndikim tek përgatitjet, por udhëtimi do të bëhet. Shpresojmë se kjo grevë do të marrë fund dhe se edhe Izraeli e izraelitët të kenë gëzimin ta presin Atin e Shenjtë. Të shpresojmë për mirë.
E atëherë, pas vizitave të Palit VI, të Gjon Palit II dhe Benediktit XVI, Papa Françesku si do të mund t’i përforcojë vëllezërit në fe?
Na takon neve të dimë të përfitojmë sa më shumë nga ky zë i bukur profetik. Është një atë, që vjen e lutet për ne, me ne, një atë që e ka për zemër lutjen, paqen, bashkimin e të krishterëve, dialogun. Do të vijë për të nënvizuar këto vlera të krishtera.








All the contents on this site are copyrighted ©.