2014-03-28 14:19:01

Papa Françesku: bilanci i Zotit nuk është ai i një sipërmarrjeje, aktivi është dashuria


Zoti do. Nuk di gjë tjetër, veçse të dojë. E nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Papa ripohoi se Zoti na pret gjithnjë e gjithnjë na fal. Është Hyji i mëshirës, që bën festë, kur rikthehemi në krahët e tij.

Ka mall për ne, Zoti. Posaçërisht kur i largohemi. Papa Françesku e shtjelloi homelinë e sotme, duke marrë shtytje nga Leximi i parë, shkëputur prej Librit të Ozesë Profet. Zoti, vërejti, na flet gjithnjë me dashuri. Edhe kur na fton të bëjmë kthesë, e fjala e tij na tingëllon më fort në shpirt. Edhe brenda kësaj force, ndjehet malli i dhembshur i Zotit. Ndjehet shqetësimi i atit, që e thërret të birin e i thotë: “Ktheju! Është koha të kthehesh përsëri në shtëpi”. Më pas Papa kujtoi se vetëm me këtë fjalë, mund të kalojmë orë e orë në lutje:
“Është zemra e Atit tonë, kështu është Zoti; nuk lodhet, nuk lodhet kurrë! E këtë e bën në rrjedhën e pafundme të shekujve, ngarkuar me apostazi, me popuj, që largohen prej tij. E Ai vijon të presë, gjithnjë, sepse Zoti ynë është Zot që pret. Nga ajo pasdite në Parrizin tokësor, Adami doli me një dënim, por edhe me një premtim. E Zoti është besnik. Ai i qëndron besnik premtimit të Tij. Sepse nuk mund ta mohojë vetveten. Është besnik. E kështu na pret, të gjithë ne, që vijmë e shkojmë në shtigjet e pafundme të historisë. Është Zot, që na pret, gjithmonë”.
Kujtoi, kështu, Papa, shembëlltyrën e djalit plangprishës. Ungjilli i Lukës, shpjegoi, na tregon se ati e pa të birin nga larg, sepse e priste. Rrinte gjithnjë me sytë mbërthyer te shtegu. E kur nuk e shihte, ngjitej në tarracë, për të parë më larg. Për ta dalluar i pari të birin, kur të kthehej. Duke besuar plotësisht se ai do të kthehej. E priste, pra. E kur e pa, ngarendi drejt tij me krahë hapur e iu hodh në qafë. I biri kish përgatitur ca fjalë për t’ia thënë këtë çast, po i ati nuk e la: ia mbylli gojën me një rrokje gjithë dashuri:
Ky është Ati ynë, Hyji, që na pret. Gjithnjë. ‘Po, o atë, unë jam i ngarkuar me mëkate, nuk e di nëse Ai do të jetë i kënaqur, kur të më shikojë në shteg’. Pa provoje një herë! Nëse do ta njohësh dashurinë e këtij Ati, shko tek Ai e provoje, pastaj eja e më trego’. Zoti, që na pret, është edhe Zot i mëshirës. Zot, që nuk lodhet kurrë duke falur. Jemi ne, që lodhemi duke lypur ndjesë, e jo Ai. Shatëdhjetë herë shtatë: gjithnjë; përpara me faljen. Parë me syrin e një sipërmarrjeje, bilanci është negativ, Zoti del gjithnjë me humbje: humbet në bilancin e sendeve, por fiton në atë të dashurisë”.
E kjo, vijoi Papa, ndodh sepse Ai është i pari që e zbaton Urdhërimin e dashurisë. Ai do. Nuk di të bëjë tjetër gjë! E edhe mrekullitë, që kryente Jezusi me shumë të sëmurë, shtoi, ishin shenjë e mrekullisë më të madhe, që bën Zoti ditë për ditë me ne, kur marrim guximin të ngrihemi e të shkojmë tek Ai. E kur ndodh kjo, shtoi Papa, Zoti bën festë. Shtron gosti. Jo si ai pasaniku, që hante e pinte e nuk e shikonte fare Lazrin, varfanjakun e uritur, që zhgërrahej në prag të portës së tij. Gostia e Zotit është si ajo, që shtron ati, për djalin plangprishës:
Sepse ti do të lulëzosh porsi lili, është premtimi. Do të bëj festë për ty. Do të shtrish rrënjë e degë; do të kesh bukurinë e ullirit, përplot me aromat e Libanit’. Jeta e çdo burri dhe e çdo gruaje, që merr guximin t’i afrohet Zotit, do të mbushet me gëzimin e gostisë së Tij. Kështu kjo fjalë na ndihmon të mendojmë për Atin tonë, Atë, që na pret gjithnjë, që na fal gjithnjë, Atë, që bën festë, kur ne kthehemi përsëri nën strehën e Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.