2014-03-28 15:10:51

Kremtim pendestar i kryesuar nga Papa: Imzot Fizikela: të rizbulojmë gëzimin e faljes në rrëfyestore


Papa Françesku, sapo ka filluar në Bazilikën e Vatikanit, kremtimin pendestar, që hap nismën “24 orë për Zotin”, organizuar nga Këshilli Papnor për nxitjen e ungjillëzimit të ri, në Kohën e Krezhmëve. Papa do të rrëfejë edhe disa besimtarë. Më pas, duke filluar nga ora 20.00, në tri kisha të qendrës historike të Romës – Shën Anjeza në Agone, Shën Maria në Trastevere dhe Të Shenjtnueshmet Varrë të Krishtit – do të ketë rrëfyestarë për këdo, që dëshiron të pajtohet me Zotin përmes Sakramentit të Pendesës e të Rrëfimit. Besimtarët do të kenë mundësi të adhurojnë Hosten Shenjte gjatë gjithë natës. Të rinj, nga realitete të ndryshme kishtare, do të kenë për detyrë të jenë “ungjillëzues të rinj” të bashkëmoshatarëve, duke i ftuar të hyjnë në kishë, ku do të gjejnë meshtarë, të gatshëm për t’i dëgjuar. Edhe nesër, deri në orën 16.00, do të jetë i mundur rrëfimi në kishën e Shën Anjezës në Agone. Dita e nesërme do të mbyllet në orën 17.00, me kremtimin e Lutjeve të para të Mbrëmjes, në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, shenjtërore e Mëshirës Hyjnore në qytetin e Romës. Është festë e vërtetë e faljes, siç tha vetë Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, të dielën e kaluar. Të dëgjojmë kryetarin e dikasterit organizues të kësaj nisme, imzot Rino Fizikela:
Kjo nismë synon të jetë vërtet një festë, gjatë së cilës duhet të reflektojmë për veten, të gjejmë të vërtetën mbi jetën tonë, të mos kërkojmë shumë justifikime për mungesat tona, por të jemi të sinqertë para vetes e para Zotit. Pas kësaj, të jetojmë faljen e dashurinë e Hyjit, pavarësisht nga mëkati. Kjo është festë, është gëzim, sepse kështu përjetojmë një liri të jashtëzakonshme. Prandaj, Papa deshi ta përurojë vetë nismën, këtu në Romë, por me ne, bashkohen shumë dioqeza në botë, gjatë gjithë natës. Përveç tri kishave në qendër të Romës, do të jenë hapur edhe shumë famulli të kryeqytetit italian. Shpresojmë që kremtimi i mëshirës së Hyjit të sjellë një fjalë ngushëllimi e mbështetjeje, të udhëheqë të gjithë ata, që këto Kohë Krezhmësh, dëshirojnë ta takojnë Zotin e sidomos, të përgatiten për t’i kremtuar Pashkët sa më mirë.
Shumë të krishterë e ndjejnë veten keq, kur është fjala për t’u rrëfyer. Cila është këshilla juaj për t’iu afruar më qetë e me gëzim Sakramentit të Pajtimit me Hyjin?
Është e vërtetë, shpesh, përvoja negative, i largojnë besimtarët nga Rrëfimi. Mendoj se ne meshtarët duhet të jemi më të aftë ta bëjmë të dukshme takimin, dashurinë dhe mëshirën e Zotit, së bashku me gëzimin që sjell. Hyji i pranon të gjithë ata, që kthehen tek Ai me zemër të sinqertë. Dëshirojmë që, ashtu siç shkruan Papa Françesku në “Evangelii Gaudium”, Sakramenti i Pajtimit të jetohet si çast, në të cilin eksperimentohet hiri i faljes, i afërsisë së Zotit, që na kupton, që sheh në thellësitë e zemrës. Për ta thënë me fjalët e Papës, nuk duhet ta përdorim rrëfyestoren si sallë torturash, sepse nuk është e tillë, nuk mund të jetë e tillë. Duhet të jetë një çast, në të cilin, pavarësisht se jemi para Zotit si mëkatarë të gatshëm për t’u gjykuar prej Tij, ndjejmë madhështinë e Mëshirës Hyjnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.