2014-03-28 17:57:10

Ftesa e Papës rrëfyesve: mos e harroni shpirtin e mëshirës së Zotit


Zemra e meshtarit, ëshë zemër, që di të preket thellë, e jo për sentimentalizëm, as sepse është shumë e ndjeshme. Preket, për shkak të “pafundësisë të mëshirës së Zotit”. Kështu u foli Papa Françesku pjesëmarrësve në kursin e Pendestarisë Apostolike, Gjykatë kompetente kryesisht për çështjet sakramentore, si dhe për ndjesët.

“Jeni të thirrur për të qenë njerëz të Shpirtit Shenjt. Ai është protagonist i misterit të Pajtimit me Zotin”. Papa Françesku nënvizoi, kështu, rëndësinë e formimit të meshtarëve, që të jenë rrëfyes të mirë, të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij shërbimi:
“Rrëfyesi i pret pendestarët jo si të ishte ndonjë gjykatës, e as thjesht si mik, por me dashurinë e Zotit, dashuri e Atit, që e shikon të birin duke u kthyer e shkon ta takojë, të bariut, që e gjen rishtas delen e humbur”.
Papa Françesku kujtoi se rrëfyesit duhet të jenë dëshmitarë e kumtarë të Ngjalljes së Krishtit, duke pohuar, në vijim, se kjo dëshmi lexohet në fytyrën, dëgjohet në zërin e meshtarit, që mbarështon me fe e me “ vajim”, Sakramentin e Pajtimit.
“Zemra e meshtarit është zemër, që di të preket, jo për sentimetalizëm, as thjesht, pse tepër e ndjeshme, por për ‘shpirtin e mëshirës së Zotit”.
Papa Françesku e quan këtë “Sakrament i mëshirës’. Prej këndej:
“Nëse është e vërtetë që tradita na flet për rolin e dyfishtë të rrëfyesit, si mjek e si gjykatës, nuk duhet harruar kurrë se, si mjek, duhet të shërojë, si gjykatës, të shfajsojë”.
Falja, që jep Sakramenti, është jetë e re, dhuratë e Zotit të Ngjallur për njeriun, përmes Shpirtit të Tij, pohoi Ati i Shenjtë, duke shtuar se detyra e meshtarëve është t’ia dhurojnë bujarisht vëllezërve. Një meshtar, që nuk ka kujdes për këtë pjesë të shërbimit të tij, si në sasinë e kohës, që i kushton, ashtu edhe në cilësinë shpirtërore, është si bariu, që nuk ka kujdes për delet e humbura; si ati, që e harron birin larg plangut e pushon s’e prituri. E pastaj nënvizoi:
“Mëshira është zemra e Ungjillit! Është lajmi i mirë se Zoti na do, se e do gjithnjë njeriun mëkatar, e me këtë dashuri, e tërheq nga vetja dhe e fton të pendohet”.
Të mos harrojmë, kujtoi Françesku, se besimtarët nuk e kanë gjithnjë aq të lehtë të gjunjëzohen në rrëfyestore për Sakramentin e Rrëfimit, si për arsye praktike, ashtu edhe të natyrshme, nga që është e vështirë të shkosh e t’ia rrëfesh tjetrit mëkatet e tua. Prej këndej, porosia e Papës: “Duhet të punojmë shumë me vetveten, me humanitetin tonë, për të mos e penguar kurrë, por përkundrazi, për ta ndihmuar gjithnjë njeriun, që ta pranojë mëshirën e faljen:
Shpesh herë ndodh që ndokush vjen e thotë: ‘Nuk rrëfehem prej vitesh. E kam lënë rrëfimin, sepse gjeta një meshtar, që më tha këtë e atë. E këtu ndjehet paurtia, mungesa e dashurisë baritore. Që e largon njeriun nga rrëfystorja, për shkak të përvojës së pakëndshme në rrëfim. Nëse do të silleshim me kujdesin e atit, që vjen nga mirësia e Zotit, një gjë e tillë nuk do të ndodhte kurrë”.
Françesku është i sigurt se Zoti na fal:
“Rrëfimi nuk është gjykatë, që të dënon, por përvojë faljeje e mëshire”.Një thirrje konkrete, në përfundim: “Në çdo famulli, besimtarët duhet ta dinë kur mund të gjejnë meshtarë, të gatshëm për të rrëfyer”.







All the contents on this site are copyrighted ©.