2014-03-27 14:44:25

Publikohet programi i udhëtimit të Papës Françesku në Tokën Shenjte


Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot programin zyrtar të udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Tokën Shenjte, nga 24 deri më 26 majin e ardhshëm. Në Jeruzalem, Patriarku latin Fuad Tval ua paraqiti atë gazetarëve. Përveç Jeruzalemit, shtegtimi i Atit të Shenjtë prek edhe Jordaninë e Territoret Palestineze.
Rasti është 50-vjetori i takimit në Jeruzalem ndërmjet Papës Pali VI e Patriarkut të Kostandinopojës, Atenagora. Ishte 5 janari i vitit 1964. Tani, Papa Françesku shtegton për në Tokën Shenjte, që ta kujtojë atë përqafim historik. Aman, Betlehem dhe Jeruzalem: këto janë etapat e udhëtimit. Të shtunën, më 24 maj, mbërritja në Jordani, me ceremoninë e mirëseardhjes në Pallatin Mbretëror Al-Husseini në Aman dhe me vizitën e kortezisë tek familja mbretërore e Jordanisë. Më pas, takimi me autoritetet vendase e pastaj, Mesha e Shenjtë në Stadiumin Ndërkombëtar të qytetit. Papa do të vizitojë edhe vendin e Pagëzimit të Jezusit në Betani përtej Jordanit e, në kishën latine, do të takohet me refugjatët sirianë e me të rinjtë me aftësi të kufizuara.
Të dielën, më 25 maj, pasi largohet nga Jordania, Ati i Shenjtë shkon në Betlehem, në Territoret Palestineze. Ceremonia e mirëseardhjes do të zhvillohet në Pallatin presidencial, e ndjekur nga vizita e kortezisë me presidentin palestinez, Mahmud Abas. Më pas, takimi me autoritetet lokale. Papa Françesku do të kremtojë meshën dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Grazhdit e do të drekojë me një grup familjesh palestineze në Kuvendin françeskan të Shtëpisë së Re. Është parashikuar një vizitë private në Shpellën e Lindjes së Krishtit. Pastaj, në Phoenix Center të kampit të refugjatëve të Dheisheh-ut, Ati i Shenjtë do të përshëndesë fëmijët e këtij kampi, por edhe ata të Aidës e të Beit Jibrin-it, që do të mblidhen për këtë rast. Që këtu, Papa Françesku do të shkojë në Tel Aviv të Izraelit, për t’u transferuar në Jeruzalem, në selinë e Delegacionit Apostolik, ku do të takohet privatisht me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I. Të dy do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët. Më pas, në Bazilikën e Varrit të Krishtit, takimi i shumëpritur ekumenik, me rastin e 50 vjetorit të përqafimit të Papës Pali VI me Partiarkun Atenagora. Ati i Shenjtë do të darkojë me patriarkët, me ipeshkvijtë dhe me anëtarët e delegacionit papnor në këtë udhëtim, në Patriarkatin latin.
Të hënën, më 26 maj, pas vizitës tek Myftiu i Madh i Jeruzalemit në ndërtesën e Këshillit të Lartë në Sheshin e Xhamive dhe pasi të shkojë në Murin perëndimor, që njihet si Muri i Lotëve, Papa Bergolio do të vendosë lule në Malin Herzl e do të vizitojë Memorialin e Jad Vashemit. Pastaj, Ati i Shenjtë do t’u bëjë një vizitë kortezie dy Rabinëve të Mëdhenj të Izraelit, si edhe presidentit izraelit, Shimon Peres. Më pas audienca private me kryeministrin Benxhamin Netanijahu në Qendrën e Zojës së Bekuar në Jeruzalem. Pasdite, vizita private me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës në Malin e Ullinjve, ndërsa në kishën e Gjetsemanit, pranë Kopshtit të Ullinjve, takimi me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe seminaristët. Në Sallën e Çenakullit, mesha me ordinarët e Tokës Shenjte dhe me shoqëruesit është akti i fundit i shtegtimit të parë të Papës Françesku në tokën e Jezu Krishtit, para se të niset për në Romë, ku do të mbërrijë të hënën në darkë.








All the contents on this site are copyrighted ©.