Papa në audiencën e përgjithshme: meshtari ose e do popullin me zemrën e Jezusit,
ose nuk shërben
Ipeshkvi, prifti ose diakoni, që nuk janë në shërbim të bashkësisë, me ndjenjat e
dashurisë së Jezusit, nuk e kryejnë mirë misionin e tyre. Rreth këtij mendimi e zhvilloi
sot Papa Françesku katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën
Pjetrit, kushtuar sakramentit të shugurimit. Ipeshkvi e meshtari, tha Papa, duhet
ta jetojnë thellësisht Eukaristinë, ta dëgjojnë me vëmendje të madhe Fjalën e Zotit
e ta praktikojnë rregullisht Sakramentin e Rrëfimit.
Shërbëtorë të
bashkësisë, me dashuri. Është e vetmja epërsi, që përfytyroi Jezusi për Apostujt
e vet e për gjithë pasardhësit e tyre, krerë të Kishës, sepse, të parët për t’i shërbyer.
Çdo formë tjetër e ushtrimit të autoritetit është thellësisht e gabuar e nuk i bën
mirë askujt, pohoi, me fjalë tejet të qarta, Papa Françesku, në praninë e 50 mijë
vetëve, që e ndiqnin me ombrella të hapura, nën shiun e ftohtë, dhuratë e fundme e
dimrit për pranverën. Grigja, pohoi Papa, kullotet me zemrën e Jezusit, zemër përplot
me dashuri: “Meshtari, ipeshkvi, diakoni, duhet ta kullosin grigjën e Zotit
me dashuri. Nëse nuk e bëjnë me dashuri, domethënë se nuk shërbejnë. E në këtë kuptim,
shërbëtorët, që zgjidhen e shugurohen për këtë shërbim, e zgjatin praninë e Jezusit
në kohë: gjithnjë nëse e bëjnë këtë me pushtetin e Shpirtit Shenjt, në emër të Zotit,
me dashuri”. Dashuria është rregulli kryesor i meshtarit, të çdo rendi
e të çdo grade. Por për ta dashur Jezusin, duhet të jesh i lidhur me Të në mënyrë
të pazgjidhshme, me vepra, me fjalë, me ndjenja. Përndryshe, siguron Papa Françesku,
humbet, pa asnjë dyshim, kuptimi i vërtetë i këtij shërbimi. E me të, edhe gëzimi,
që buron nga bashkimi me Jezusin: “Ipeshkvi që nuk lutet, ipeshkvi
që nuk e dëgjon e nuk e ndjen Fjalën e Zotit, që nuk kremton ditë për ditë, që nuk
rrëfehet rregullisht - e njëlloj edhe meshtari, që nuk i bën këto gjëra – me kalimin
e kohës e humbasin bashkimin me Jezusin e zhyten në një mediokritet, që nuk i bën
mirë Kishës. Prandaj duhet t’i ndihmojmë ipeshkvijtë e meshtarët të luten, ta dëgjojnë
Fjalën e Zotit, buka e tyre e përditshme, ta kremtojnë ditë për ditë Eukaristinë
e të shkojnë të rrëfehen vazhdimisht. Kjo ka rëndësi të dorës së parë, sepse i shenjtëron,
si ipeshkvijtë, ashtu edhe meshtarët”. Krerë të bërë një me Krishtin, Mësues
i dashurisë dhe i shërbimit; por edhe krerë të pasionuar të bashkësisë, që u është
besuar kujdesit të tyre. Për Papën Françesku, në kraharorin e meshtarit nuk mund të
rrahë një zemër e akullt. Për të, ripohoi, Kisha është familja, së cilës duhet t’ia
kushtojë gjithë vetveten, ta dojë me gjithë shpirt: “Ipeshkvi, meshtari,
e duan Kishën në bashkësinë e tyre, e duan fort! Po si? Ashtu si e do Krishti Kishën.
Ashtu siç thotë Shën Pali, kur flet për martesën: dhëndri e do fatin e vet, si Krishti
Kishën. Është mister i dashurisë së madhe, ky i shërbimit e edhe ky i martesës, dy
sakramente, udhë përmes së cilës, zakonisht, njerëzit shkojnë tek Zoti”. Mendimi
i fundit iu kushtua atyre, që nuk janë ende meshtarë, por që i tërheq fort kjo rrugë
jete. Për t’u bërë, shpjegoi Papa me ironi të hollë, nuk shkohet atje, ku lëshohen
çeqet. Thirrja nuk blihet, as nuk shitet, sepse është nismë e pastër e vetë Zotit: “Zoti
thërret: e thërret secilin nga ata, që duan të bëhen meshtarë, e ndoshta edhe këtu
ka të rinj, që e ndjejnë në zemër këtë thirrje. Dëshirën për t’u bërë meshtarë, dëshirën
për t’i shërbyer të tjerëve në sendet, që vijnë nga Zoti. Dëshirën për të qenë gjithë
jetën në shërbim për të katekizuar, për të pagëzuar, për të falur, për të kremtuar
Eukaristinë, për të mjekuar të sëmurët: po për gjithë jetën kështu. Nëse ndonjëri
e ka këtë thirrje në zemër, është vetë Jezusi, që e ka vënë aty, eh? Ruajeni këtë
ftesë e lutuni të rritet e të japë fryte në mbarë Kishën”.Në përfundim të
audiencës së përgjithshme, Papa Françesku ceku situatën në Lindjen e Mesme, duke përshëndetur
besimtarët e gjuhës arabe, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit nga Jordania, Libani e
Iraku, e, më pas, në gjuhën italiane, përshëndeti oficerët dhe ushtarakët e ushtrisë
e të Rojes Bregdetare të Salernos, disa prej të cilëve do të nisen për mision paqeje
në Liban.