Papa inkurajon liderët fetarë të Afrikës Qendrore: do të flasë për situatën me Obamën
Sot, në audiencën e përgjithshme, mori pjesë grupi i përfaqësuesve të ‘Platformës
së rregulltarëve për paqen” në Afrikën Qendrore. Përbëhej nga imzoti Dieudonné Nzapalainga,
kryeipeshkëv i Bangui, pastori Nikolas Grékoyame-Gbangou, kryetar i Kishës Evangjelike
dhe imami i Bangui, Oumar Kobine Layama. Grupi punon prej kohe për paqen, në një vend
ku, për fat të keq, kanë rifilluar ndeshjet. Papa Françesku i inkurajoi të jenë
gjithnjë të bashkuar, pranë popullit të tyre, duke vijuar përpjekjet kundër çdo lloj
përçarjeje. I siguroi, më pas, se do të flasë për Afrikën Qendrore, në takimin e
nesërm me presidentin e SHBA, Obama. Tre liderët fetarë, që para audiencës u pritën
edhe nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, punojnë prej
kohe për paqëtimin e vendit, duke u takuar me lider të ndryshëm të bashkësisë ndërkombëtare.
Të dëgjojmë Kryeipeshkvin e Bangui: Përgjigje: -
Është fjala për burra e gra qendrafrikane, që jetojnë në pyje, të tmerruar,
të paaftë deri për t’i shprehur ndjenjat e tyre. Gjithnjë në ecje, në zhvendosje,
janë të bindur se askush nuk merret me ta. Nuk i dëgjon. Në emër të tyre jam këtu,
së bashku me të tjerët. E në emër të tyre po takohemi me autoritete nga më të ndryshmet,
me ata, që marrin vendime për fatet e njerëzve. Që ta dëgjojnë, në zërin tonë, sa
i madh është shqetësimi, sa e tmerrshme, vuajtja e sa i padurueshëm mjerimi i këtyre
njerëzve, që vetëm qajnë. Këtyre krijesave, numri i të cilave shtohet ditë për ditë.
Këtë kuptim ka misioni ynë ndërmjet autoriteteve të kësaj bote.