2014-03-26 15:02:52

Dioqeza e Limburgut: pranohet dorëheqja e imzot Tebartz-Van Elst


Papa Françesku pranoi sot dorëheqjen e imzot Franz-Peter Tebartz-Van Elst nga detyra e ipeshkvit të Limburgut në Gjermani, sipas kan. 401 §2 të Kodit të së Drejtës Kanonike.
Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njofton se “Kongregata për Ipeshkvijtë e ka studiuar me kujdes raportin e Komisionit, të ngritur nga ipeshkvi dhe nga Kapitulli i Katedrales, për të ndërmarrë hetime më të thella rreth përgjegjësive në ndërtimin e Qendrës Dioqezane ‘St. Nikolaus’. Duke pasurparasysh se në dioqezën e Limburgut është krijuar një situatë, e cila pengon ushtrimin e frytshëm të detyrës nga ana e imzot Franz-Peter Tebartz-van Elst, Selia e Shenjtë pranoi dorëheqjen e paraqitur nga prelati më 20 tetor 2013 dhe emëroi një administrator apostolik ‘sede vacante’, në personin e imzot Manfred Grothe. Ipeshkvi që lë detyrën, imzot Tebartz-van Elst, do të ngarkohet me një detyrë tjetër kur të shihet e arsyeshme. Ati i Shenjtë u kërkon klerit dhe besimtarëve të dioqezës së Limburgut të pranojnë vendimet e Selisë së Shenjtë me përvuajtëri dhe të impenjohen në rivendosjen e një atmosfere dashurie e pajtimi”.
Raporti i Komisionit në fjalë mund të konsultohet në faqen e internetit të Konferencës Ipeshkvnore Gjermane “dbk.de”.







All the contents on this site are copyrighted ©.