2014-03-25 16:17:02

Sfidat e baritorisë universitare në mbledhjen e KKIE-së në Tiranë


Dita e dytë e punimeve të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës në Tiranë. Tema, mbi të cilën po reflektojnë përgjegjësit e baritorisë universitare nga mbarë kontinenti evropian, është “Gëzimi i jetës. Çfarë është në të vërtetë?”. Ndjek punimet për ne, don Marjan Paloka. Ta dëgjojmë, me telefon nga kryeqyteti i Shqipërisë…RealAudioMP3

Dita e dytë dhe e fundit e takimit të personave të angazhuar në kujdesin baritor të studentëve evropianë. Tema kryesore, përgatitja e truallit për mbjelljen e Fjalës së Hyjit. Çdo njeri është ara ku bie fara. Nëse një bujk i mirë, para se të hedhë farën, e përgatit tokën, që të mos shkojnë dëm të mbjellat, bujku i Ungjillit e hedh farën pa e përgatitur tokën. Bujaria e Hyjit është më e rëndësishme se kujdesi njerëzor në fushën e madhe të ungjillëzimit. Në shëmbëlltyrën ungjillore Jezusi flet për mbjellësin që e hedh farën në tokë të thatë, me gurë e me ferra.
Hapi i parë në përgatitjen e njerëzve për ta pranuar lajmin e mirë është kumtimi i tij dhe besimi i mbjellësit se Zoti mund ta kryejë vetë veprën e vet.
Hapi i dytë është ai i nxitjes së kureshtjes. Kureshtja e shëndoshë e drejton shikimin tonë përtej problemeve të ditës. Jezusi bën 183 pyetje në Besëlidhjen e Re dhe jep shumë më pak përgjigje. Të gjithë njerëzit kanë pyetje themelore dhe ai që u afrohet të tjerëve në emrin e Jezusit, duhet t’i ndihmojë t’u japin zë pikërisht këtyre pyetjeve.
Hapi i tretë është ai i gatishmërisë shpirtërore. Gjë e vështirë, sepse kemi frikë se Zoti mund të na marrë gjënë më të shtrenjtë: lirinë personale. Të krishterët, që shoqërojnë të rinjtë universitarë në kërkimin e Hyjit nuk mund t’i nxisin të dorëzohen në duart e Zotit pa dëshmuar vështirësitë personale në këtë rrugëtim.
Hapi i katërt është kërkimi i Kishës, duke mbajtur në qendër të vëmendjes Jezusin. Fjala e Jezusit është e para. Është më e mundur që të rinjtë të pranojnë Kishën për shkak të fjalës së Jezusit, sesa Jezusin për shkak të fjalës së Kishës.
Hyrja në Kishë është edhe hapi i fundit, i nxënies. I krishteri është gjithmonë nxënës, sepse vë gjithmonë në qendër Mësuesin. Kisha, si bashkësi organike, e ruan të shëndoshë tërësinë e saj vetëm duk u kujdesur për secilin anëtar në veçanti. Kur nevojat praktike të Kishës kërkojnë angazhimin e një personi të veçantë, duhet të kemi kujdes, që të mos gjejmë njeriun për të kryer shërbimin, por shërbimin që përkon me dhuratat që ka njeriu.
Paraditen e sotme ishin të pranishëm dy të rinj universitarë shqiptarë: Luli Ndreu dhe Xhulio Gjaçaj, të cilët i pyetëm si e jetojnë ata marrëdhënien me fenë. T’i dëgjojmë... RealAudioMP3 RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.