2014-03-25 14:14:27

Papa: shëlbimi është dhuratë për t’u pranuar me përvujtëri, siç bëri Maria


E veçantë festa e sotme liturgjike, së cilës Papa Françesku nuk mund të mos ia kushtonte meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Në Solemnitetin e Lajmërimit të Zojës, Ati i Shenjtë nënvizoi se vetëm një zemër e përvuajtur, si ajo e Marisë, mund t’i afrohet Zotit. Shëlbimi, që na dhuron ai i Lumi, nuk blehet e as shitet. Po ku na çon mendjemadhësia, kur zemrën nuk e kemi si Vasha e përvujtë, e zgjedhur prej Hyjit për mishërimin e Birit të Vet? RealAudioMP3
Papa Françesku mori shembullin e Adamit e të Evës, të cilët, duke kapitulluar para joshjes së Qoftëlargtit, besuan se mund të ishin si Zoti, duke u larguar kështu nga Parrizi. Por Hyji, gjithsesi, nuk i lë vetëm, u premton shëlbimin dhe ecën me ta në jetë. E ajo udhë e popullit, që lindi prej tyre, fillon me mosbindje, por përfundon me ‘po’-në e Marisë, kur engjëlli e lajmëron se do të mbajë në kraharor Birin e Hyjit:
“Zoti është për udhë bashkë me popullin e Vet. E pse ecte me popullin, me kaq dhembshuri? Për të na e zbutur zemrën. E thotë vetë, krejt qartë: ‘Unë do ta kthej zemrën tënde prej guri në zemër mishi’. Na e zbut zemrën për të qenë të denjë për premtimin e bërë në Parriz. Përmes një njeriu hyri mëkati, përmes një njeriu tjetër vjen shpëtimi. E kjo udhë kaq e gjatë na ndihmoi të gjithëve të kemi një zemër më njerëzore, më pranë Hyjit, të mos jemi aq mendjemëdhenj, të mos na mjaftojë vetvetja”.
Sot, vazhdoi Papa, liturgjia na flet për këtë etapë të udhës së shëlbimit, na flet për bindjen, për zemërbutësinë e përvujtërinë para Fjalës së Zotit:
“Shpëtimi nuk blihet, nuk shitet: dhurohet. Është falas. Ne nuk mund të shëlbohemi vetë: shëlbimi është dhuratë, krejtësisht falas. Nuk blihet me gjakun e buajve e as të dhive: nuk mund të blihet. Vetëm se, që ky shpëtim të na pushtojë, nevojitet një zemër e përvuajtur, një zemër e butë, një zemër e bindur. Si ajo e Marisë. Modeli i kësaj udhe shëlbimi është vetë Zoti, Biri i Tij, që nuk e quajti si cilësi të patjetërsueshme, faktin se ishte i njëgjëjtë me Hyjin. Kështu thotë shën Pali”.
Papa vuri theksin në rrugën e përvuajtërisë. Çdo burrë e çdo grua, nënvizoi, duhet të pranojnë se ekziston një Zot në qiell, më i madh se ata vetë, të cilit duhet t’i binden me dëshirë e me të cilin, duhet të ecin në udhën e shëlbimit përgatitur nga Hyji për ta. Këtë pati pranuar Maria me gatishmërinë e saj, prandaj, tha Papa Bergolio, e festojmë Solemnitetin e Lajmërimit të Zojës, e cila e kalon këtë gatishmëri si nënë në një nënë tjetër, nga një baba në babain tjetër:
“Sot, mund ta përqafojmë Atin Qiellor, i cili, falë gjakut të Birit të Tij, bëhet njëri prej nesh e na shëlbon. Ky Atë na pret çdo ditë… T’i kthejmë sytë nga ikona e Evës dhe e Adamit, e pastaj nga ajo e Marisë dhe e Jezusit, e të shohim udhën e historisë me Zotin, i cili ecën me popullin e Vet. E le të themi: ‘Faleminderit. Faleminderit o Zot, sepse sot, Ti na pohon se na ke dhuruar shëlbimin’. Sot është dita për të falenderuar Hyjin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.