2014-03-24 16:24:40

Të rinjtë dhe Kisha Katolike: filloi në Tiranë, takimi i KKIE-së për baritorinë universitare


Filloi punimet në Tiranë mbledhja e përvitshme e komisionit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës për Katekizmin, Shkollën dhe Universitetin. Tema: “Gëzimi i Jetës. Çfarë është me të vërtetë?”. Nga Tirana, na informon don Marjan Paloka…RealAudioMP3

Meshtarëve të ardhur nga pesëmbëdhjetë vende të Kontinentit të Vjetër ua drejtoi fjalët e mirëseardhjes ipeshkvi ndihmës i Tiranës Imzot Frendo, i cili, duke folur për temën e takimit, tha se, nga njëra anë, gëzimi nuk është virtyt në vetvete, por fryt i një virtyti: shpresës. Nga ana tjetër, megjithatë, gëzimi bëhet forcë, pra virtus, virtyt, që e mbështet njeriun dhe e forcon për të përballuar sfidat e jetës. Imzot Frendo foli për vështirësitë e rinisë shqptare, për shkak të të cilave vihen re raste të humbjes së plotë të shpresës, të cilët përfundojnë me aktin tragjik të vetëvrasjes. Shpallja e ungjillit të gëzimit në këtë kontekst nuk ka si synim të frymëzojë optimizmin, por guximin për jetën.
Profesoresha e Universitetit të Vuxhit (Poloni) Kaja Kazhmierska mbajti kumtesën kryesore për ditën e parë të konferencës. Ajo shtroi pyetjen: “Çfarë ndodh sot në jetën e të rinjve?” dhe foli për përmbysjen e roleve në procesin e edukimit. Nëse deri para disa vitesh brezat e vjetër mësonin brezat e ri, tani, me ardhjen e teknologjisë, sidomos në fushën e informacionit, janë të rinjtë që mendojnë se mund të mësojnë të moshuarit. Krijohet përshtypja se dija e mbledhur nëpër vite, me anë të përvojës personale, nuk është më e nevojshme, sepse burimi i informacionit të menjëhershëm, që mund të jetë google-i, e shumë burime të tjera të mundësuara nga interneti, zëvendëson nevojën për t’iu drejtuar atij që ka më shumë përvojë dhe moshë më të madhe.
Të rinjtë e sotëm nuk kanë pika referimi dhe mendojnë se nuk kanë nevojë për to, prandaj identiteti i tyre, pa pika referimi të pandryshueshme, kthehet në identitet të lëngshëm. Njëra ndër rrjedhojat e këtij ndryshimi në konceptin e identitetit personal është ajo e mosmarrjes së vendimeve përfundimtare. Fusha ku del në pah më me forcë mosmarrja e vendimeve është ajo e marrëdhënieve burrë grua, të cilat rrëshqasin gjithnjë e më shumë drejt zgjedhjes së bashkëjetesës, si shprehje e pëlqimit të ndërsjellë, dhe largohen nga vendimi përfundimtar për t’u lidhur në dashuri, pa e kushtëzuar këtë të fundit nga mosndryshimi i pëlqimit.
Sociologia nga Polonia dha edhe disa të dhëna statistikore, që evidentojnë ndryshimet thelbësore në jetën e të rinjve. Njëra nga statistikat më domethënëse ishte ajo që tregonte ritmin me të cilin shtyhet mosha e marrjes së vendimit për t’u martuar dhe për të lindur fëmijën eparë.
Të rinjtë janë në kërkim të lumturisë, të gëzimit të jetës. Puna baritore me të rinjtë duhet të përqendrohet në përçimin e bindjes se Hyji dhe miqësia me të nuk e zvogëlojnë, por e shtojnë gëzimin.
Pas kumtesës së profesoreshës Kazhmierskaja, folën vetë të rinjtë. Fillimisht një studente nga Parisi, pastaj një italian dhe studenti shqiptar Gjovani Dollani, i cili na tha sa vijon...








All the contents on this site are copyrighted ©.