Papa: Mundimet e Jezusit, “shkolla më e madhe” e atyre që përkushtohen për të sëmurët
Nuk ka sëmundje, apo vuajtje psikofizike, në të cilën të mos shihet vlera e shenjtë
e jetës njerëzore dhe gjurma e Mundimeve të Krishtit. Kështu tha sot Papa Françesku
në audiencën me anëtarët e Asamblesë së Këshillit Papnor të Veprimtarëve të Shëndetësisë,
të cilëve u shpjegoi se pikërisht kjo i nxit njerëzit të kujdesen me dashuri për më
të vuajturit, duke mbrojtur dinjitetin e tyre. Është Zoti, që përqafon “trupin e Krishtit”,
nënvizoi Ati i Shenjtë, që ngushëllon të sëmurët, që shpesh, përveçse duron dhimbjen
fizike, jeton edhe acarin e braktisjes, të indiferencës: “Në fakt, është
e vërtetë se, edhe në vuajtje, askush nuk është vetëm, pasi Zoti, me dashurinë e Tij
të mëshirshme për njeriun e botën, hap krahët edhe për situatat më çnjerëzore, në
të cilat, imazhi i Krijuesit, i pranishëm në çdo njeri, duket i mjegullt ose i shpërfytyruar.
Kështu ka qenë për Jezusin gjatë Mundimeve. Në Të, çdo dhimbje njerëzore, çdo ankth,
çdo vuajtje është marrë përsipër për hir të dashurisë, për hir të vullnetit për të
na ndenjur pranë, për të qenë me ne”. Mundimet e Jezusit janë shkolla më e
madhe për ata, që duan t’u shërbejnë të sëmurëve e të vuajturve, vazhdoi Papa: “Përvoja
e vëllazërimit me ata, që vuajnë, na bën të kuptojmë bukurinë e vërtetë të jetës njerëzore,
e cila e përfshin edhe brishtësinë. Në mbrojtjen dhe promovimin e jetës, në çdo nivel
e kusht që të gjendet, mund të shohim dinjitetin dhe vlerën e çdo njeriu, nga zënia
e deri në vdekje”. Në fund, Papa Françesku kujtoi shembullin e të Lumit Gjon
Pali II, që nga Letra e 30 vjetëve më parë “Salvifici doloris” mbi domethënien e vuajtjes
për të krishterët, deri tek dëshmia personale e mësimeve të tij ndërsa përgatitej
ta linte këtë jetë. Magjister i gjallë, i dashur dhe i nderuar nga miliona njerëz,
tha Ati i Shenjtë, para se të kërkonte që shembulli i Papës Vojtila të imitohet nga
të gjithë të krishterët.