2014-03-24 18:25:11

Papa Françesku: Zoti na i fal gabimet, jo siguritë tona


Nuk na shpëton siguria, që buron nga respektimi i urdhërimeve të Tënzot, por përvujtëria, e cila na kujton se kemi gjithnjë nevojë për Zotin, i vetmi që mund t’i shërojë sëmundjet tona. Këtë theksoi sot Papa gjatë Meshës, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.RealAudioMP3

“Asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet”: homelia e Papës u nis nga këto fjalë të Jezusit drejtuar bashkëvendasve, banorëve të Nazaretit, në praninë e të cilëve nuk mundi të bëjë mrekulli, sepse nuk kishin besim. Jezusi kujton dy episode biblike: mrekullinë e shërimit të Naamanit Sirian nga gërbula në kohën e Elizeut profet dhe takimin e profetit Elia me vejushën e Sareptës së Sidonit, që shpëtoi gjallë në kohën kur bënte kërdi zija e bukës. Të gërbulurit e vejushat, shpjegoi Papa, në atë kohë ishin njerëz të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. E pra, pikërisht këta dy të përjashtuar, të përbuzur, të papërfillur, shpëtuan, duke mikpritur profetët. Ndërsa nazarenasit nuk duan ta pranojnë Jezusin, sepse ishin tepër të sigurt në fenë e tyre, tepër të sigurt në zbatimin e Urdhërimeve, aq sa nuk e ndjenin nevojën për asnjë shpëtim tjetër:
“Është drama e respektimit të Urdhërimeve, pa fe: unë shpëtoj vetvetiu, sepse shkoj në sinagogë çdo të shtunë, përpiqem t’u bindem Urdhërimeve; e të mos guxojë kush të vijë e të më thotë se ishin më të mirë nga unë ai i gërbuluri e ajo vejanja! Ata ishin të përjashtuar nga radhët e njerëzisë! E Jezusi na thotë: ‘ Pa shiko, nëse ty nuk të pëlqen të rrish mënjanë, nëse nuk përulesh, mos prit shpëtim’. Kjo është përvujtëria, udha e përvujtërisë: ta ndjejmë veten shumë të përulur, sepse kemi nevojë për mëshirën e Zotit. Vetëm Ai na shpëton, jo respektimi i Urdhërimeve. E pikërisht kjo nuk u pëlqeu nazarenasve. Prandaj donin ta vrisnin”.
Edhe Naamani, komentoi Papa, në fillim u tërbua, sepse iu duk poshtëruese ftesa e Elizeut për t’u zhytur shtatë herë në ujërat e Jordanit, nëse donte të shërohej nga gërbula. Zoti i kërkoi të bënte një gjest të përvuajtur, si të ishte fëmijë. I kërkoi të bëhej qesharak. E ai iku tërë inat. Por më pas, i bindur nga shërbëtorët e vet, u kthye prap e bëri atë, që e kishte këshilluar profeti. Ky veprim i përvuajtur e shpëtoi. E ky është edhe mesazhi i sotëm, në këtë javë të tretë të Krezhmëve, pohoi Papa. Nëse duam të shpëtojmë, duhet të zgjedhim rrugën e përuljes:
“Maria, në Këngën e vet, nuk shpreh kënaqësinë se Zoti e pa virgjërinë e saj, mirësinë e ëmbëlsinë e saj, shumë e shumë virtyte të tjera, që kishte, jo! Por sepse Zoti e pa përultësinë e shërbëtores së vet, vogëlsinë e saj, përvujtërinë. Këtë shikon Zoti. E duhet ta mësojmë këtë dije, të përvujtërisë, që Zoti të vijë e të na gjejë. Nuk na gjen në qendër të sigurive tona, jo, jo! Atje nuk shkon Zoti. Na gjen në përvujtëri, në mëkatet tona, në gabimet, në nevojat për t’u shëruar shpirtërisht, për t’u shëlbuar; atje vjen e na gjen Zoti”.
E kjo, pohoi Papa, është udha e përvujtërisë:
“Përvujtëria e krishterë nuk është virtyt, që duhet vënë në dukje. Nuk është për t’u thënë: ‘Po, unë jam shërbëtor, nuk vlej fare’ e ta fshehësh mburrjen brenda këtyre fjalëve, jo, jo! Përvujtëri e krishterë është të thuash të vërtetën: ‘Jam mëkatar! Jam mëkatare’. Të thuash të vërtetën; është kjo e vërteta jonë. Por është edhe tjetra: Zoti na shpëton. Po na shpëton atje, ku jemi të përvuajtur; nuk na shpëton në sigurinë tonë. T’i lypim hirin të na japë urtinë e përuljes, hirin e përvujtërisë, për të marrë shëlbimin e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.