2014-03-24 16:23:48

Dita e lutjes për misionarët martirë: kujtimi i atë Lançiotit e dëshmia e atë Bizimanës


U kremtua dje Dita e 22-të e lutjes dhe e agjërimit në kujtim të misionarëve martirë, organizuar nga Lëvizja Rinore e Veprave Papnore misionare, në përvjetorin e vrasjes së imzot Oskar Romeros, kryeipeshkëv i San Salvadorit.RealAudioMP3 Tema është “Martyria”, thirrja për ta jetuar fenë me fund, duke dhuruar edhe jetën për kumtimin e saj. Në një kohë kur në botë vijon martirizimi i atyre, që shkojnë ta kumtojnë kudo Ungjillin e Krishtit. Për shkaqe nga më të ndryshmet, duke nisur nga përpjekja për t’i shpëtuar të varfërit nga shfrytëzimi, për çlirimin e të rinjve nga tregtarët e drogës, shpëtimin e grave dhe të vajzave nga tregjet e prostitucionit… Vriten nga tregtarët drogës, të tregjeve të turpit, nga ata, që kanë etje për pasuri, të fituar me rrugë kriminale. Një nga martirët e ditëve tona është edhe atë Lançioti. E motra, Françeska, në mikrofonin tonë, tregon pse e vranë:

Përgjigje: - Sepse thoshte që nuk mund të jetosh ndërmjet të varfërve, pa e ndjerë veten si ata. Sepse i kuptoi nevojat e tyre materiale e shpirtërore. Ndërtoi një kishë, mendoi për një spital e një shkollë. Se e aktivizoi shumë vetë popullsinë, që nisi ta ndjente se këto struktura ishin të sajat. Nisi edhe seminarin për formimin e meshtarëve të parë vendas. I ndihmoi të varfërit aq, sa ata iu kundërvunë tregtarëve të drogës e të prostitucionit. Tregtarët e kuptuan se keqja u vinte pikërisht nga prifti. I çuan, prandaj vrasësin, që i tha: “Unë jam vetë shejtani e ti po më besdis pak si tepër. Prandaj edhe po të vras!”.

Dëshmitar i Krishtit në një tokë të shkretuar nga dhuna, si Ruanda, në muajt e genocidit të vitit 1944, është edhe atë Fabien Bizimana, asistent i përgjithshëm i barnabitëve. Ai i pa me sytë e tij masakrat, gjatë të cilave vdiqën edhe 3 ipeshkvij, si dhe dhjetra meshtarë: edhe ai vetë qe viktimë e një sulmi të armatosur, siç kujton, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Në vitin 1994 isha pranë shtëpisë sonë të formimit, në Kuangugu të Ruandës. E atje pashë me sytë e mi meshtarë të therur, e jo vetëm meshtarë, por edhe njerëz të thjeshtë, që mbyteshin në liqenin e Kivusë, aty pranë. Ne shpëtuam, sepse ishim kongolezë, vetëm për këtë. Përndryshe, tani do të ishim skelete në fund të liqenit.

Kështu, pra, skllavëri të reja, metoda të vjetra martirizimi e udhë të reja për të ecur në gjurmët e martirëve, që u përkujtuan sot edhe në Francë, në “Natën VI të dëshmitarëve”, kushtuar të krishterëve të persekutuar, organizuar nga Lëvizja ‘Ndihmë për Kishën që vuan’, me temë: “Dhanë jetën për Krishtin. Ejani t’u lutemi për ndërmjetësim”. Manifestimi u organizua në shumë qytete të vendit, me mbrëmësore lutjeje e dëshmi nga Afrika Qendrore, Libia, Egjipti, Libani e Siria, vende ku gjaku i martirëve vijon të bëhet farë e frytshme për ‘mbirjen’ e të krishterëve të rinj.
Strasburg, Bordò, Marsejë, Paris… Kjo ishte maratona e përkujtimit të martirëve në Francë. Përkujtim që do të përfundojë më 28 mars, në katedralen e Shën Marisë së Parisit, me një lutje, kryesuar nga kardinali Andrè Vënt-Trua. Domethënëse, prania e dëshmitarëve, ndërmjet të cilëve, Fortlumturia e Tij, Ibrahim Isak Sidrak, patrik kopt i Egjiptit; imzot Dieudonné Nzapalainga, kryeipeshëv i Banguit, në Afrikën Qendrore; imzot Amal Shamon Nona, kryeipeshkëv i Mosulit, në Irak; rregulltarja siriane, Ragida Al Khouri dhe meshtari maronit, Samer Nasif, nga Libani.
Të enjten, më 27 mars, të gjithë këta personalitete do të marrin pjesë në një konferencë shtypi, në Paris, pranë selisë së Konferencës ipeshkvnore franceze.










All the contents on this site are copyrighted ©.