Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët,
sot, Dom Mikel Beltoja
Dom Mikel Beltoja(Beltojë, 09.05. 1935- 10. 02. 1974, mbasi mbrojti
heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash,
u dënua me një nga vdekjet më të tmerrshme.
E shkyen katërsh,
pse mbeti një nëpër ndryshime!
Kemi kujtuar, duke ecur në udhën e Krezhmëve
2014 pas martirëve, ardhur nga prova e madhe, një mori faktesh, historish, situatash,
arrestimesh, akuzash, qëndrimesh, dënimesh, torturash, ushtruar mbi klerin katolik
e, më në përgjithësi, mbi gjithë shqiptarët vullnetmirë, që patën guximin njerëzor
t’i kundërvihen diktaturës komuniste, me bindjen se ajo nuk mund të ishte e përjetshme.
Do të shembej një ditë. Njerëz, që shkruan me gjak, para syve të popullit, trullosur
nga propaganda e kuqe, faqet e arta të librit të historisë së vërtetë të këtyre viteve.
Që të mos guxonte më kush t’i falsifikonte! A t’i zhdukte në harresë. Në këtë libër
është shkruar edhe jeta e fundi i Dom Mikel Beltojës, Meshtar i shuguruar nën diktaturë,
Natën e Krishtlindjes 1961, me studime filozofike e teologjike kryer në shkollën e
Imzot Ernest Çobës, kthyer në ‘universitet’ të Kishës së heshtimit. Që atë natë, u
ndoq hap pas hapi, në sa kryente misionin e tij të shkurtër meshtarak, kryesisht në
Beltojë. Një ditë i hynë në qelë. Kontrolluan vrimë e skutë. Morën gjithçka gjetën:
petkat e Meshës, librat liturgjikë, objektet e shërbimit meshtarak. Si të ishin n’e
ve’në, siç thotë populli në këso rastesh. Morën gjithçka mundën. E edhe atë vetë.
Ia vunë prangat më 19 prill 1973, para Kishës së Beltojës, kthyer në qendër kulture,
e para besimtarëve të tij, të tmerruar. Pasi e shtynë e e pështynë. Akuza: “Ka thënë
se dashuria e Zotit është e amshuar, drejtësia e njerëzve, e përkohshme. Se besimtarët,
bashkë me bukën e përditshme, duhet t’i ushqejnë fëmijët edhe me virtytet e krishtera.
Se atdheun mund ta forcojnë e ta ndriçojnë, vetëm njerëzit e virtytshëm. Se kush do
Zotin, do edhe Kombin”. Pas gjashtë muajsh e nxorën në gjyq, ku iu kundërvu me
aq forcë diktatorit e bashkëpunëtorëve të tij të ndërgjegjshëm, sa për të ruajtën
një nga torturat më të tmerrshme. Populli e përmbledh në një frazeologji që sot, fatmirësisht,
vijon të përdoret vetëm si shprehje figurative: e shkyen katërsh! Jo figurativisht.
Kjo torturë vinte në skenën e Shqipërisë diktatoriale nga Hungaria e shekullit
XIII, prej nga u përhap në mbarë Evropën. Varianti i plotë ishte më mizori, që u ushtrua
ndonjë herë mbi njeriun. Më i tmerrshëm se therja e kafshëve, të cilat kasapi i copëton
vetëm pasi të jenë mbytur. Po njeriu çohej i gjallë në vendin e ekzekutimit, në
një shesh publik. Zhvishej e i lidheshnin duart pas shpine. Varej, por jo aq, sa
të vdiste. I priteshin organet gjenitale, e pastaj edhe organet e tjera, jo jetësore.
Çka pritej, digjej para syve të të dënuarit ose u hidhej qenve. I pritej koka. Shkyhej
katërsh. Secila nga të katër pjesët, varej në të katër anët e qytetit. Koka ekspozohej
në kullën më të lartë. Kështu ekzekutoheshin në Evropë, ata që kryenin krimet më
të rënda për kohën: tradhti, rebelim, fyerje kundër mbretit. Kur lindi anglikanizmi,
dënoheshin kështu edhe katolikët e rebeluar kundër fesë së re. Natyrisht, të dënuarit
ishin njerëz të popullit. Fisnikëve u pritej koka e gratë digjeshin mbi turrë të druve.
Kjo metodë vijoi deri në vitin 1792, kur Franca shpiku gijotinën. Po shqiptarët,
mbrapa botës në gjithçka, vijuan ta përdorin edhe në shekullin XX. Natyrisht xhelatët
e Dom Mikelit nuk i respektuan të gjitha fazat. Në veprën “Martirët e Kishës Katolike
në Shqipëri”, në fund të jetëshkrimit të tij të shkurtër, hartuar nga dëshmitarë
pamorë, lexojmë: “...Xhelatët e tërhoqën prej gjymtyrësh. Trupin e shkyen katërsh.
E hoqën pastaj zvarrë e, për së vdekuri, e pushkatuan” 1. Duhet të ishin
katër, ata që e ngrehën, deri në coptim. Në historinë klasike të torturave, këtë punë
e kryejnë kuajtë, ose kasapët me varcak në dorë! Natyrisht nuk guxuan t’i varnin
gjymtyrët në të katër skajet e Qytetit të Veriut, të martirizuar, të fyer, të marrë
nëpër këmbë, të shqyer katërsh, më keq se martirët, e as t’ia ekspozonin kokën në
ndonjërin nga pirgjet e Kështjellës Rozafa. E dinin se kështu do t’i shtonin një faltore
të re, katedrales së nëndheshme mesianike... Nuk ishte koha e mesjetës, që komunistat
e përshkruajnë si kohë terrinash të dendura e krimesh të shëmtuara. Ishte viti 1974,
data 10 shkurt, 40 vjet më parë... 1“Martirët e Kishës Katolike
në Shqipëri”, Shkodër, 1993, fq 193