Mesazh i Atit të Shenjtë, dioqezës së Jubës në Sudanin e Jugut: mjaft me dhunë; pa
paqe, nuk mund të ketë zhvillim
Një thirrje e fuqishme për t’i dhënë fund dhunës në Sudanin e Jugut, për të siguruar
ndihmën e nevojshme humanitare e për punuar për paqen: këtë kërkon Papa Françesku
në mesazhin, drejtuar dioqezës së Jubës, tekstin e të cilit, nënshkruar nga Sekretari
i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, e lexoi sot paradite kardinali
Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, që kryesoi Meshën
në katedralen e Shën Terezës, në Jubë, në përfundim të vizitës së tij pesëditore. “Pa
paqe, nuk mund të ketë zhvillim”: e shkruan qartë këtë, Papa Françesku në mesazhin
e tij. Pohim, që i përshtatet fort Sudanit Jugor: komb i ri, i pavarur vetëm prej
tri vjetësh, nga dhjetori i 2013-tës, ku menjëherë pas pavarësisë, shpërthei një ndeshje
e përgjakshme etnike ndërmjet forcave qeveritare të presidentit Kiir, me etni dinka
dhe besnikëve të ish-presidentit Macharm, me etni nuer. Luftë që, nënvizon Papa, shkaktoi
shumë sëmundje e vdekje. Nuk mund të rrimë indiferentë, përballë këtij realiteti,
nënvizon Françesku, pa harruar edhe gjendjen dramatike të të shpërngulurve e të refugjatëve.
Janë shumë. Njerëz, që morën rrugët e kurbetit, që jetojnë në kushte të papërshtatshme
për dinjitetin e tyre, në vise, ku konsiderohen më shumë statistika pa emër, më shumë
numra, sesa njerëz.Prej këndej, thirrja e Papës që të gjitha palët në konflikt, me
mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, t’i japin fund dhunës, të sigurojnë hyrjen
e ndihmave humanitare për nevojtarët dhe të kërkojnë, pa u lodhur kurrë, rrugëzgjidhje
paqësore, duke i vënë gjithnjë interesat e përbashkëta, mbi ato vetjake.