2014-03-20 14:19:25

Papa: mungesa e punës e cënon dinjitetin e njeriut. Krijimtari e solidaritet, për të dalë nga kriza


Salla e Palit VI në Vatikan u mbush sot me punëtorë, të gjithë nga Metalurgjiku i Ternit, që u takuan me Papën Françesku, me rastin e 130-vjetorit të themelimit të stabilimentit industrial. Ati i Shenjtë, duke pasur parasysh gjendjen e të gjithë punëtorëve në këto kohë krize, bëri thirrje të garantohet punë me dinjitet për secilin. Puna, nënvizoi Papa, ka të bëjë drejtpërdrejt me jetën e njeriut, me lirinë e me lumturinë e tij: RealAudioMP3
“Vlera parësore e punës është e mira e njeriut, sepse e realizon si të tillë, realizon aftësitë e tij intelektuale, krijuese e prodhuese. Prej këtej, rrjedh se puna nuk ka vetëm qëllime ekonomike apo përfitimi, por sidomos qëllime, që kanë të bëjnë me njeriun dhe dinjitetin e tij”.
Dinjiteti i njeriut varet nga puna, vazhdoi Papa, i cili tregoi për bisedën e tij me disa të papunë:
“Takova disa punëtorë të rinj, pa punë, e më thanë: ‘Ne në shtëpi, me grua e fëmijë, hamë çdo ditë, sepse në famulli, ose në klub, ose në Kryqin e Kuq, na japin për të ngrënë. Por, unë nuk di ç’do të thotë të çosh bukën në shtëpi e vërtet, kam nevojë të ushqehem, por kam nevojë edhe për dinjitetin që fitoj kur çoj bukën në shtëpi'. Kjo është puna! E nëse mungon puna, ky dinjitet cënohet rëndë!”
I papuni, ose ai që ka punë të përkohshme, vazhdoi Ati i Shenjtë, mund të mënjanohet nga shoqëria, të çkurajohet e të bjerë në apati. Problemi i papunësisë, sidomos ndër të rinjtë, prek gati gjithë Evropën. E Papa denoncoi arsyet:
“Është pasojë e një sistemi ekonomik të paaftë të krijojë punë, sepse ka vendosur në qendër një idhull, që e ka emrin ‘para’! Prandaj, subjektet e ndryshme politike, shoqërore dhe ekonomike duhet të favorizojnë një sistem të ndryshëm, të bazuar mbi drejtësinë e solidaritetin…”.
Me keqardhje, Papa Françesku vërejti se sot “solidariteti” duket gati si fjalë e keqe, e përjashtuar nga fjalori. Por lufta kundër papunësisë ka nevojë pikërisht për mjete të tilla, si solidariteti dhe krijimtaria:
“Krijimtaria e afaristëve dhe e artizanëve të guximshëm, që shohin të ardhmen me besim e shpresë. E solidariteti ndërmjet të gjithë anëtarëve të shoqërisë, të cilët heqin dorë nga ndonjë gjë, duke jetuar më thjeshtë, për të ndihmuar nevojtarët”.
Kjo sfidë i takon edhe bashkësisë së krishterë, theksoi Papa Bergolio, duke kujtuar vizitën e të Lumit Gjon Pali II në Metalurgjikun e Ternit. Feja e krishterë, shpjegoi Ati i Shenjtë, është në gjendje ta pasurojë shoqërinë, duke i dhënë asaj forcën humanizuese, që vjen nga dëshmia e një besimi të gjallë e gjallërues në Zotin:
“Të dashur vëllezër e motra, mos rreshtni kurrë së shpresuari në një të ardhme më të mirë. Luftoni! Luftoni për të! Mos lejoni t’ju mbërthejnë në vorbullën e pesimizmit! Nëse secili do të bëjë detyrën e vet; nëse të gjithë do të vendosin në qendër njeriun e jo paranë, njeriun me dinjitetin e tij; nëse konsolidohen sjelljet e solidaritetit e të vëllazërimit, frymëzuar nga Ungjilli, mund të dilet nga këneta ekonomike ku jemi zhytur, nga kjo gjendje e lodhshme dhe e vështirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.