2014-03-20 14:20:05

Papa Françesku: kush beson tek vetja e jo në Zotin, humb emrin e gjithçka


Njeriu që beson tek vetja, tek pasuritë e veta ose tek ideologjitë, nuk mund të jetë i lumtur. Por, kush beson në Zotin, jep fryte edhe kur bën thatësirë. Kështu tha Papa sot, gjatë meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
“Mallkuar njeriu që në njeriun beson”, “njeriu që beson tek vetja”: do të jetë si “marena në shkretëtirë”, e dënuar për t’u tharë pa fryte, për shkak të thatësirës. Papa niset nga leximi i parë i sotëm, që, nga ana tjetër, thotë: “bekuar njeriu që beson në Zotin”, “është si një pemë e mbjellë gjatë rrjedhës së ujit”, që në kohën e thatësirës “nuk resht së dhëni fryte”. “Vetëm në Zotin – pohon Papa Françesku – kemi besim. Besimet e tjera nuk shërbejnë, nuk na shpëtojnë, nuk na japin jetë, nuk na japin gëzim”. Edhe pse, e dimë, “na pëlqen të kemi besim tek vetja, të kemi besim tek një mik, ose tek një rrethanë e mirë, apo në një ideologji”, ndërsa “Zoti të rrijë pak mënjanë”. Njeriu, kështu, mbyllet në vetvete, “pa horizonte, pa hapur as dyert, as dritaret” dhe “nuk do të ketë shpëtim, nuk mund ta shpëtojë veten”. Është ajo që i ndodh pasanikut të Ungjillit – shpjegon Papa – “kishte gjithçka: vishej me purpur, hante çdo ditë, në bankete të mëdha”. “Ishte shumë i kënaqur”, por “nuk e vinte re se tek dera e shtëpisë, i mbuluar me plagë”, ndodhej një i varfër. Papa nënvizon se Ungjilli përmend emrin e të varfrit: quhej Lazër. Ndërsa i pasuri “nuk ka emër”:
“E ky është mallkimi më i fortë për atë që beson në veten, në forcat e veta, në aftësitë njerëzore e jo në Hyjin: humbja e emrit. ‘Si e ke emrin?’. ‘Llogaria numër kaq, në filan bankë. Gjithë ato prona, gjithë ato vila, gjithë ato...’ Si e ke emrin? Gjërat që kemi, idhujt. E ti beson në ato. Ky njeri është i mallkuar”.
Të gjithë e kemi këtë dobësi, këtë brishtësi, pohon Papa. Shpresojmë ne veten tonë, ose në miqtë, ose në mundësitë njerëzore dhe harrojmë Zotin. E kjo na çon në rrugën e moslumturisë:
“Sot, në këtë Kreshmë, do të na bëjë mirë ta pyesim veten: ku besoj unë? Në Zotin, apo jam pagan, se besoj tek gjërat, tek idhujt, që kam prodhuar vetë? A e kam ende një emër, apo kam filluar ta humb emrin dhe quhem ‘unë’? Unë, mua, me mua, për mua, vetëm unë? Për mua, për mua... gjithmonë po ai egoizëm: ‘unë’. Kjo nuk na shpëton”.
Por, “në fund – vëren Papa Françesku – ekziston një derë shprese” për ata besojnë në vetveten dhe “e kanë humbur emrin”:
“Tek e fundit, tek e fundit, tek e fundit, gjithmonë gjendet një mundësi. E ky njeri, kur u kujtua se e kishte humbur emrin, kishte humbur gjithçka, gjithçka, çon sytë dhe thotë vetëm një fjalë: ‘Atë’. Dhe fjala e Hyjit është vetëm një: ‘Bir!’. Nëse disa nga ne, gjatë jetës, për shkak të besimit tek njeriu dhe në vetveten, e humbim emrin, e humbim këtë dinjitet, mbetet mundësia për ta thënë këtë fjalë, që është më shumë se magjike, është më shumë, e fortë: ‘Atë’. Ai na pret gjithmonë, për të hapur një derë, që ne nuk e shohim, e do të na thotë: ‘Bir’. T’ia kërkojmë Zotit hirin, që të na japë të gjithëve urtinë dhe të besojmë vetëm në të, jo tek gjërat, tek forcat njerëzore, por vetëm në të”.








All the contents on this site are copyrighted ©.