Biblioteka e Vatikanit: marrëveshje me NTT Data për dixhitalizimin e 3 mijë dorëshkrimeve
Risi të rëndësishme për Bibliotekën Apostolike të Vatikanit: sot paradite, u nënshkrua
një marrëveshje me Korporatën japoneze NTT Data për dixhitalizimin e 3 mijë dorëshkrimeve,
në një hark kohor 4-vjeçar. Kjo nismë u paraqit në Sallën e Shtypit nga arkivisti
dhe bibliotekari i Kishës, imzot Jean-Louis Bruguès dhe nga prefekti i Bibliotekës,
imzot Cesare Pasini së bashku me përfaqësuesin japonez. Projekti i dixhitalizimit
të dokumenteve vazhdon tashmë prej vitesh, me synim ruajtjen e 82 mijë dorëshkrimeve,
që numërojnë 41 milion faqe. Me 3 mijë dorëshkrimet e fundit, në vitin 2018, Biblioteka
e Vatikanit do të ketë 15 mijë dokumente të dixhitalizuara, që mund të konsultohen
në internet, falas, nga e gjithë bota. Këto dorëshkrime përfshijnë kultura dhe gjuhë
nga Evropa, por edhe nga Lindja e Largët kineze e japoneze e deri nga Amerika parakolombiane.
Dixhitalizimi i marrë përsipër nga firma japoneze do të kushtojë 18 milion euro. Kujtojmë
se Biblioteka Apostolike e Vatikanit u themelua nga Papa Niccolò V në vitin 1451.